2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

PROFETI MUHAMED (A.S.)

Më të lexuarat

Nëse do ta imagjinonim veten në botën e para 1400 viteve, ne do të gjendeshim në një vend krejtësisht të ndryshëm. Mundësia e shkëmbimit të ideve do të ishte e pakët dhe mjetet e komunikimit të kufizuara e të pazhvilluara. Errësira do të mbizotëronte dhe vetëm një dritë e vogël dijeje e pamjaftueshme për të ndriçuar horizontin e dijeve njerëzore do të mund të shihej. Njerëzit e asaj kohe kishin një vizion të ngushtë dhe idetë e tyre në lidhje me njerëzimin dhe botën ishin të kufizuara në rrethinat e tyre. Të zhytur në injorancë dhe në bestytni, mosbesimi i tyre ishte kaq i fuqishëm dhe i përhapur, saqë ata refuzonin të pranonin ndonjë gjë si të lartë dhe sublime përderisa ajo të mos shfaqej nën mantelin e të mbinatyrshmes. Ata kishin zhvilluar një kompleks kaq të madh inferioriteti saqë nuk arrinin të imagjinonin një njeri që të kishte shpirt hyjnor apo dispozita të shenjta. 

Atdheu i Profetit (a.s.)

Në atë epokë prapambetjeje, errësira ishte shtrirë më gjerë se kudo tjetër në atë vend. Vendet fqinje si Persia, Bizanti dhe Egjipti, zotëronin pak qytetërim dhe një rreze të zbehtë diturie, por Gadishulli Arab, i izoluar dhe i kufizuar nga oqeane të mëdhenj rëre, ishte nga pikëpamja kulturore dhe intelektuale një nga rajonet më të prapambetura të globit. Hixhazi, vendlindja e Profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, nuk kishte mundur të arrinte as edhe zhvillimin e kufizuar të rajoneve fqinje dhe nuk kishte përjetuar asnjë lloj zhvillimi shoqëror e as nuk kishte pasur ndonjë arritje intelektuale për t’u shënuar. Megjithë gjuhën shumë të zhvilluar të rajonit me anë të së cilës mund të shpreheshin nuancat më të rafinuara të leksikut, një studim i detajuar i atyre çfarë ka mbetur nga letërsia e tyre, nxjerr në pah shtrirjen e kufizuar të dijeve të tyre. E gjithë kjo ilustron më së miri standardet e tyre të kufizuara të kulturës dhe qytetërimit, natyrën e tyre thellësisht supersticioze, traditat e tyre të egra dhe barbare si dhe konceptet e tyre primitive dhe degradimin moral.

Ai ishte një vend pa një qeveri, ku secili fis deklaronte epërsinë e tij dhe e konsideronte veten të pavarur. I vetmi ligj që njihej ishte ligji i “xhunglës”. Zjarrvëniet, plaçkitjet dhe vrasjet e të pafajshmëve dhe të dobtëve ishin në modë. Jeta, prona dhe nderi, ishin përherë të rrezikuara dhe fiset mbanin përherë shpatat ngrehur kundër njeri-tjetrit. Një incident sado i rëndomtë mund t’i fuste ata në luftëra të egra që nganjëherë mund të zgjasnin edhe një dekadë dhe t’i vinin zjarrin gjithë vendit. Siç ka shkruar një dijetar:

Këto luftëra shkatërruan sensin e bashkimit kombëtar dhe zhvilluan një ndjenjë separatizmi të pashërueshëm; secili fis e quante veten të vetëmjaftueshëm dhe e konsideronte pjesën tjetër të popullsisë si viktimat e tij të ligjshme, të lejuara për t’i vrarë, skllavëruar dhe plaçkitur1.

Të paaftë për të dalluar të pastrën nga e papastra dhe të ligjshmen nga e paligjshmja, konceptet e tyre për moralin, kulturën dhe qytetërimin ishin primitive dhe të papërpunuara. Jeta e tyre ishte e egër dhe sjelljet e tyre ishin barbare. Ata ishin të zhytur në imoralitet, kumar dhe pije. Qëndronin lakuriq përballë njëri tjetrit pa asnjë ndjenjë turpi dhe gratë silleshin rreth Qabes, Shtëpisë së Shenjtë, të zhveshura.

Prestigji u bënte thirrje për vrasjen e foshnjave femra. Duke u shndërruar në adhurues gurësh, pemësh, idhujsh, yjesh dhe shpirtrash, ata i kishin harruar plotësisht mësimet e profetëve të mëparshëm. Ata e kishin njëfarë ideje në lidhje me faktin se Ibrahimi dhe Ismaili kishin qenë paraardhësit e tyre, por pothuajse të gjitha dijet dhe konceptet fetare të këtyre paraardhësve rreth Zotit, i kishin humbur.

Jeta e Muhamedit përpara profetësisë

Ky ishte atdheu i Profetit Muhamed ku ai lindi në vitin 571. Babai i tij Abdullahu, vdiq përpara se ai të lindte dhe nëna Emineja, vdiq kur ai ishte 6 vjeç. Rrjedhimisht ai u privua nga çfarëdolloj edukimi apo kujdesi, të cilit i nënshtroheshin fëmijët arabë të asaj kohe. Gjatë fëmijërisë së tij, ai mbeti krejtësisht analfabet dhe i pashkolluar.

Profeti doli jashtë Gadishullit Arab vetëm dy herë. Kur ishte i ri ai shoqëroi xhaxhain e tij Ebu Talibin në një mision tregtar në Sham (sot Izraeli, Palestina, Libani, Siria dhe Jordania). Hera e dytë ishte kur ai udhëhoqi një mision tregtar në të njëjtin rajon për llogari të vejushës Hatixhe, një tregtare e pasur mekase 15 vjet më e madhe në moshë. Ata u martuan kur ai ishte 25 vjeç dhe jetuan të lumtur së bashku gjersa ajo vdiq pas më shumë se 20 vjetësh.

Duke qenë analfabet, ai nuk i lexoi ndonjëherë tekstet fetare hebreje dhe kristiane dhe nuk pati asnjë marrëdhënie për t’u shënuar me ta. Traditat dhe idetë e mekasve ishin të orientuar drejt idhujtarisë dhe krejtësisht të pandikuara nga idetë fetare kristiane apo hebreje. Edhe hanifët mekas të cilët ishin njerëz që pasonin fenë e drejtë të Ibrahimit, por sipas një mënyre të papastër dhe të devijuar dhe të cilët nuk e pranonin idhujtarinë, nuk ishin të ndikuar aspak prej Judaizmit apo Krishtërimit. Asnjë ide hebreje apo kristiane nuk është pasqyruar në trashëgiminë poetike të mbijetuar deri në ditët tona të këtyre njerëzve. Në qoftë se Profeti do të kishte bërë ndonjë përpjekje për t’u njohur me të tilla mendime, do të ishte vënë re menjëherë.

Për më tepër Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), u qëndroi larg trajtave të poezisë dhe retorikës, karakteristike për popullsinë lokale të asaj kohe, edhe përpara profetësisë së tij. Historia nuk shquan ndonjë veçanti të tij ndaj të tjerëve me përjashtim të cilësive të tij morale, besnikërisë, ndershmërisë, besueshmërisë dhe pavarësisë në vendime e veprime. Ai nuk dinte të gënjente dhe kjo është e vërtetuar nga fakti që edhe armiqtë e tij më të betuar, kurrë nuk e kanë quajtur gënjeshtar. Ai fliste me edukatë dhe kurrë nuk përdorte provokimet dhe fjalët abuzive gjatë bisedave të tij. Personaliteti i tij tërheqës dhe sjelljet e mira i bënin për vete zemrat e atyre që takoheshin me të. Ai ndoqi gjithmonë parimin e drejtësisë, altruizmit dhe korrektesës me njerëzit dhe kurrë nuk mashtroi njeri dhe nuk i theu premtimet.

Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, u mor me tregti për disa vjet, por kurrë nuk bëri matrapazllëqe. Ata të cilët i lidhte puna me të, kishin besim të plotë në të dhe në vendimet që ai merrte. Të gjithë e thërrisnin El Emin (i besueshëm). Edhe armiqtë e tij i linin sendet e tyre të çmuara tek ai me besim të plotë në mënyrë që t’ua ruante dhe ai në mënyrë të përpiktë e përmbushi përherë detyrën, pra e justifikoi besimin e tyre. Ai ishte simboli i modestisë në një shoqëri e cila ishte jomodeste që nga koka e deri te këmbët. Edhe pse i lindur dhe i rritur mes njerëzve të cilët i konsideronin pijen dhe kumarin si virtyte, ai kurrë nuk piu alkool dhe nuk luajti bixhoz. Edhe pse i rrethuar nga njerëz të pashpirt, zemra e tij ishte e tejmbushur me nektarin e mirësisë njerëzore. Ai ndihmonte jetimët, gratë e veja dhe të varfrit, si dhe ishte mikpritës ndaj udhëtarëve. Ai nuk donte të shqetësonte njeri – ndaj u vu në vështirësi financiare për të ndihmuar të tjerët. Ai ishte në pararojë të punës për pajtimin e mosmarrëveshjeve duke kapërcyer ndarjet fisnore. Ai kurrë nuk iu përul asnjë krijese dhe nuk mori pjesë asnjëherë në ceremonitë e idhujtarisë, madje as edhe kur qe fëmijë, sepse ai urrente të gjitha llojet e adhurimeve ndaj çdo gjëje tjetër përveç Allahut. Shkurt, ai zotëronte një personalitet rrezatues i cili kishte zënë vend midis atij ambienti të errët e të ndotur dhe dukej si fanar ndriçues, i cili i jepte një dritë një nate të tillë të zezë apo si një diamant në mes të një grumbulli qymyri.

Misioni

Në vitin 610, kur profeti ishte 40 vjeç, një ndryshim i madh ndodhi në jetën e tij. Zemra e tij, e ndriçuar nga Drita Hyjnore, tani e kishte forcën e duhur për t’i shërbyer Atij për të Cilin ajo digjej. Gjatë njërit prej izolimeve të shumta të tij në shpellën Hira ku shkonte shpesh për meditim, gjatë muajit të Ramazanit, ai mori Shpalljen e parë nga Kryeengjëlli Xhebrail. Xhebraili i tha Muhamedit: “Lexo.” Muhamedi u përgjigj: “Nuk di të lexoj,” meqenëse ai nuk kishte marrë më parë asnjë lloj arsimimi dhe ishte analfabet. Xhebraili pastaj e përqafoi atë aq fort, saqë Profetit gati iu mor fryma dhe pasi e lëshoi, i tha: “Lexo.” Përgjigjja e Muhamedit ishte e njëjtë si më parë. Xhebraili e përsëriti përqafimin dhe për të tretën herë i kërkoj atij të përsëriste fjalët pas tij dhe tha:

“Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Alak, 96:1–5)

Atë ditë Muhamedit iu ngarkua misioni i Profetit të fundit, ndaj ai e la shpellën tek e cila izolohej periodikisht, shkoi tek populli i tij dhe i ftoi ata për në Islam.

Për 40 vjet me radhë, Muhamedi jetoi si një njeri i zakonshëm mes popullit të tij. Ai nuk ishte i njohur si një udhëheqës, predikues apo orator. Askush nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë të mësojë dhe të këshillojë njerëzit, apo të diskutonte në lidhje me parimet e metafizikës, etikës, ligjit, politikës, ekonomisë apo sociologjisë. Ai nuk kishte ndonjë reputacion si luftëtar, e as nuk ishte i njohur si gjeneral i madh. Ai nuk kishte thënë asgjë më parë në lidhje me Zotin, engjëjt, librat e shpallur, profetët e hershëm, popujt e zhdukur, Ditën e Gjykimit, jetën pas vdekjes, apo për Xhenetin dhe Xhehenemin. Pa dyshim që ai kishte një karakter të mrekullueshëm dhe sjellje të shkëlqyera si dhe ishte njeri me takt, por asgjë nuk të shtynte të mendoje se ai mund të ishte njeriu që do të mund të bënte diçka të madhe dhe revolucionare. Ata që e njihnin, e dinin për një njeri të qetë, të matur, serioz, të sjellshëm dhe besnik. Por kur doli nga shpella e Hirasë me një mesazh të ri, ai ishte krejtësisht i transformuar.

Kur nisi të predikonte, populli i tij e shikoi me respekt dhe u mahnit nga elokuenca e tij e mrekullueshme dhe aftësia e tij e të bërit për vete. Ai ishte kaq impresiv dhe zemër-rrëmbyes, saqë edhe armiqtë e tij më të mëdhenj kishin frikë ta dëgjonin, duke u trembur se mos vallë ai mund t’ua mbushte mendjen për të braktisur fenë dhe kulturën e tyre tradicionale. Ligjëratat e tij ishin aq të pakrahasueshme, saqë asnjë poet arab, predikues apo orator, sado i shkathët dhe me përvojë që të ishte, nuk mund të matej me të për gjuhën e mrekullueshme dhe të folurën e shkëlqyer kur ai i ftonte ata të ndesheshin në këtë fushë. Megjithëse bashkëpunuan me njëri-tjetrin, ata nuk arritën të bënin qoftë edhe një varg i cili të mund të krahasohej me ato që recitonte Muhamedi.

Edhe pse hasi në kundërshtime të menjëhershme dhe të ashpra, ai i përballoi kundërshtarët e tij me buzëqeshje dhe qëndroi i palëkundur ndaj kritikave dhe presioneve të tyre. Kur ata e kuptuan se kërcënimet e tyre nuk e frikësonin këtë njeri të shquar dhe se vështirësitë e mëdha që i shkaktuan atij dhe pasuesve të tij nuk patën efekt, tentuan të përdornin një taktikë tjetër, e cila gjithashtu ishte e destinuar të dështonte.

Një përfaqësi e krerëve të kurejshëve (fisit të tij), i ofroi atij një propozim me synimin për ta korruptuar:

“Nëse do pasuri, ne do të t’i grumbullojmë ty aq sa dëshiron; nëse kërkon nderim dhe pushtet, ne të premtojmë besnikëri si i pari ynë; nëse do bukuri, do të japim për grua vajzën më të bukur që ti do të zgjedhësh.”

Këto fjalë do të ishin tepër joshëse për çdo njeri të zakonshëm, por ata nuk kishin asnjë vlerë për Profetin. Përgjigjja e tij u ra si bombë përfaqësisë së kurejshëve të cilët mendonin se kishin hedhur në lojë kartën fituese:

“Unë nuk dua as pasuri, as pushtet. Allahu më ka ngarkuar mua t’u tërheq vëmendjen njerëzve. Unë përhap mesazhin e Tij ndër ju. Në qoftë se ju e pranoni atë, ju do të keni lumturi dhe gëzim në këtë jetë si dhe bekim të përjetshëm në botën tjetër. Nëse ju refuzoni, Allahu do të vendosë për ju dhe për mua.”

Në një rast tjetër, ai i tha xhaxhait të tij të cilit i ishte bërë presion nga krerët e fiseve për ta detyruar të hiqte dorë nga misioni i tij:

“O xhaxhai im. Edhe nëse do të më vendosin diellin në dorën time të djathtë dhe hënën në të majtën për të më shtyrë të heq dorë nga ky mision, unë nuk do ta bëja këtë. Unë nuk do të tërhiqem asnjëherë, ose Allahu do të bëjë që ky mision të triumfojë, ose unë do të vdes në këtë përpjekje.”

Besimi, qëndrueshmëria dhe vendosmëria me të cilën ai e çoi përpara misionin e ngarkuar drejt suksesit përfundimtar, është një dëshmues i qartë i besimit të tij maksimal në kauzën e vet. Nëse do të kishte edhe fijen më të vogël të dyshimit apo të pasigurisë në zemrën e tij, ai kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje të përballonte stuhinë e cila vazhdoi me tërë furinë e saj 23 vjet rresht.

Angazhimi në thirrje

Personat e parë të cilët pranuan ftesën e Profetit për në Islam qenë Hatixheja, Aliu, Zejd ibn Harith dhe Ebu Bekri. Ata u pasuan nga Osmani, Abdurrahman ibn Auf, Sa’d ibn Ebi Vakkas, Talhai dhe Zubejri. Këta muslimanë të parë e në veçanti Profeti, iu nënshtruan mundimeve të mëdha prej duarve të adhuruesve të idhujve. Në fakt, shumë muslimanë si p.sh. Jasiri dhe e shoqja Sumeje, u vranë pas torturave të padurueshme.

Qëndresa e këtyre muslimanëve të parë, ndikoi së tepërmi në përhapjen e Islamit. Është fakt që gjatë gjashtë viteve të para të profetësisë së tij, burra të fuqishëm si Hamzai dhe Omeri e përqafuan Islamin dhe e panë veten mes shokëve të Profetit. Sa më shumë rritej numri i atyre që besonin në Islam, aq shumë shtoheshin pengesat e paganëve të cilët mundoheshin të parandalonin përhapjen e kësaj feje të re. Në vitin e pestë dhe të gjashtë të profetësisë, disa  muslimanë u detyruan nga rrethanat të merrnin leje nga Profeti për të emigruar në Abisini.

Në vitin e shtatë, jobesimtarët i izoluan muslimanët në një zonë të caktuar dhe shpallën bojkotin ndaj tyre. Atyre iu ndalua të bënin tregti, të udhëtonin dhe të kishin kontakte me njerëzit e tjerë. Kjo situatë zgjati për tre vjet me radhë. Në vitin e dhjetë të profetësisë, me vdekjet e njëpasnjëshme të Hatixhes dhe Ebu Talibit, persekutimi dhe vuajtjet që armiqësitë u shkaktonin muslimanëve u rrit edhe më tepër. Hatixheja dhe Ebu Talibi ishin njerëz të respektuar në shoqëri, ndaj ky respekt në njëfarë mase i kishte siguruar një shkallë të caktuar imuniteti Profetit.

Profeti vajti në Taif në përpjekje për të siguruar ndopak mbështetje nga jashtë. Por banorët e Taifit, jo vetëm që nuk e pranuan Islamin dhe refuzuan t’i jepnin mbështetje Profetit, por e gjuajtën me gurë dhe ai mezi arriti të shpëtonte duke u strehuar në një kopsht jashtë Taifit, i mbuluar me gjak. Në lutjen që i bëri Zotit pas gjithë këtyre torturave të tmerrshme, ai tha ndërmjet të tjerave se në qoftë se ishte duke e kryer mirë detyrën, këto tortura s’kishin rëndësi për të. Nuk ka dyshim që ai ka vepruar drejt dhe se e përmbushi misionin e tij plotësisht.

Pavarësisht gjithë këtyre vështirësive, përpjekjet e Profetit Muhamed për përhapjen e Islamit vazhduan. Ai i shtoi edhe më shumë këto përpjekje duke bërë propagandë nëpër udhëkryqe, nëpër të cilat mund të kalonin udhëtarët që vinin nga jashtë qytetit. Më në fund, një grup prej gjashtë personash që kishin ardhur nga Medine (Jethribi i atëhershëm) për pelegrinazh, dëshmuan vërtetësinë e mesazhit të tij dhe premtuan të plotësonin kushtet e Islamit. Vitin tjetër, pesë veta nga ky grup erdhën së bashku me shtatë njerëz të tjerë nga Medine dhe i dhanë besën Profetit në Akabe. Një besëlidhje e dytë u bë kur shtatëdhjetë e pesë persona, një vit më vonë erdhën nga Medine dhe u zotuan se do ta mbronin Profetin ashtu siç mbronin gratë dhe fëmijët e tyre. Në periudhën që pasoi, me lejen e Allahut dhe pastaj të Profetit, muslimanët të cilët po vuanin së tepërmi në Mekë, emigruan nga Meka për në Medine. Kjo ngjarje njihet si hixhreti në literaturën Islame dhe shënon fillimin e kalendarit Islam. Të fundit që emigruan qenë Profeti dhe Ebu Bekri. Ky qe një emigrim shumë i vështirë, me paganët mekas që i gjurmonin ata hap pas hapi, që nga shpella e Taurit në jug të Mekës e deri në afërsi të Medines. Profeti dhe Ebu Bekri patën një udhëtim me shumë peripeci, por në fund ia dolën të mbërrinin në Medine. Medinasit, ndryshe nga Mekasit e morën në gjirin e tyre Profetin. Ata u bashkuan të gjithë rreth tij dhe i përkrahën pa rezerva ata të cilët kishin lënë shtëpitë e tyre në Mekë për hir të Allahut. Për këtë arsye Allahu i Madhëruar i quan medinasit Ensarë (ndihmues), në Kur’an. Është fakt që menjëherë pas emigrimit të profetit u vendos një raport vëllazëror ndërmjet Ensarëve dhe emigrantëve. Në këtë mënyrë akti i të ndihmuarit të njerëzve mori një dimension shpirtëror. Kjo mbështetje ndihmoi të kapërceheshin problemet psikologjike. Emigrantët gjetën mundësinë ta ndanin përvojën e tyre në Islam me medinasit. Ata gjithashtu hapën dyqane dhe tregje dhe për një kohë shumë të shkurtër arritën që të jenë në gjendje të mbanin vetveten. Në këtë mënyrë, emigrantët përfituan nga jeta ekonomike e qytetit.

Të gjitha këto zhvillime i frikësuan paganët në Mekë. Ata dëshironin t’i shkatërronin muslimanët përpara se këta të fundit të forcoheshin më tej. Si rezultat, u zhvilluan luftërat e Bedrit, Uhudit, Lufta e Hendekut dhe Murajsi. Në vitin 630 u mor Meka nga muslimanët. Profeti u rikthye triumfues në qytetin nga i cili qe përzënë më parë. Qëllimi i këtij rikthimi ishte pastrimi i Qabes dhe rrethinave të saj prej idhujve dhe kthimin e saj në gjendjen natyrale, siç kishte qenë kur u ndërtua së pari nga Ademi dhe pastaj kur u rindërtua nga Profeti Ibrahim. Profeti nuk u hakmor; ai nuk u mbajti mëri banorëve të Mekës. Përkundrazi, ai shpalli një amnisti të përgjithshme. Ai e shfaqi madhështinë e tij duke falur kur ishte i fuqishëm. Ai po planifikonte bashkimin, festën e madhe, ndaj nuk kishte kohë për të humbur në çështje ngatërresash fisnore. Prandaj, muezini i Profetit, Bilal el Habeshi, duke kënduar ezanin nga tarraca e Qabes, shpalli epërsinë dhe njësinë e Zotit të Vetëm në qiejt e Mekës.

Fisi kryelartë dhe arrogant i Havazinit, i cili nuk mund t’i kapërdinte kaq lehtë këto ngjarje, thuri plane për frenimin e përhapjes së Islamit, por këto plane rezultuan të pasuksesshme. Ata u mundën në luftë prej muslimanëve. Për rrjedhojë, emri i Islamit kumboi nëpër të gjithë rajonin, duke nisur nga Hixhazi e pastaj nëpër të gjithë Gadishullin Arabik. Brenda një viti që prej kohës kur Profeti u rikthye në Medinë, ai priti e përcolli përfaqësues nga qindra fise.

Në vitin 632 gjatë Haxhit, Profeti (a.s.) foli përpara një turme prej më shumë se njëqind mijë muslimanësh. I njohur si Haxhi i Lamtumirës, ky fjalim qe një përmbledhje e ideve Islame dhe përbën dokumentin më të përkryer në lidhje me parimet dhe të drejtat e njeriut. Profeti i dashur, i cili qe në gjendje të komunikonte mesazhin që i ishte besuar me shumë përpikmëri falë durimit, vendosmërisë dhe aftësive të tij, i mbylli sytë në këtë botë të Hënën më 8 Qershor 632.

Cili qe mesazhi i tij?

Profeti Muhamed, përkufizohet në Kur’an si “përgëzues dhe paralajmërues”. Kur ai u rikthye tek bashkësia e tij pas marrjes së misionit, ai nisi të luftonte si gjendjen e prishur të njerëzve ashtu edhe format e devijuara të besimit. Ajo çfarë ai i predikoi shoqërisë së tij dhe nëpërmjet saj, njerëzve të të gjithë kohërave, mund të përmblidhet shkurtimisht me këto fjalë:

Idhujt që ju adhuroni janë të rremë, ndaj ndaloni së adhuruari ato. Asnjë njeri, yll, pemë, gur apo shpirt nuk duhet të adhurohet nga ju. Mos bini në sexhde para tyre. I gjithë universi i përket vetëm Allahut të Madhëruar. Vetëm Ai është Krijuesi, Ushqyesi, Mbajtësi dhe rrjedhimisht Sovrani i vërtetë përpara të Cilit ne duhet të biem në sexhde dhe që është i Denjë për adhurimin dhe bindjen tuaj. Ndaj adhuroni vetëm Atë dhe binduni urdhrave të Tij.

Vjedhjet dhe plaçkitjet, vrasjet dhe rrëmbimet, padrejtësia dhe mizoria, si dhe të gjitha veset e tjera të cilat ju i zotëroni, janë mëkate në sytë e Allahut. Lëreni rrugën e djallit. Thoni të vërtetën, jini të drejtë. Mos vrisni asnjeri, sepse kushdo që vret një njeri padrejtësisht, është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin dhe kushdo që e shpëton jetën e një njeriu, është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin (Maide, 5:32). Mos grabisni asnjeri, por merrni atë çfarë ju takon dhe jepuni të tjerëve atë çfarë u takon ashtu siç duhet.

Mos i bëni shokë Allahut sepse do të dënoheni dhe do të jeni të braktisur. Nëse njëri nga prindërit tuaj ka arritur moshën e pleqërisë dhe jeton me ju, trajtojeni atë më respekt dhe jini të mëshirshëm me të. Jepini farefisit atë që i takon. Jepuni nevojtarëve, udhëtarëve dhe mos u bëni shpërdorues. Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë apo për arsye të tjera. Largohuni nga imoraliteti, sepse ajo është një vepër e fëlliqur dhe djallëzore. Mos e prekni pasurinë e jetimëve dhe të njerëzve të dobët.

Përmbushini zotimet sepse do të merreni në pyetje rreth tyre. Mos mashtroni në matje dhe në peshim. Mos ndiqni atë për të cilën nuk keni njohuri sepse sytë, veshët dhe zemra juaj do të merret në pyetje në lidhje me të. Mos ecni me mendjemadhësi sepse ju nuk e keni hapur tokën dhe nuk e keni arritur gjatësinë dhe peshën e maleve. Flitini fjalë të mira njëri-tjetrit, sepse djalli i përdor fjalët e ashpra për të futur ngatërresa mes njerëzve. Mos e shtrembëroni fytyrën me përbuzje dhe mos u zemëroni me të tjerët, si dhe mos ecni me pakujdesi nëpër tokë.

Allahu nuk i do ata që mburren, ndaj bëhuni modestë në sjellje dhe mos e ngrini zërin. Mos përqeshni të tjerët sepse ata mund të jenë më të mirë se ju. Mos u mundoni të gjeni të meta tek të tjerët apo t’i thërrisni ata me nofka fyese. Largohuni nga shumica e dyshimeve, sepse disa lloj dyshimesh janë mëkate. Mos spiunoni apo përgjoni njëri-tjetrin. Jini pasues të palëkundur të drejtësisë dhe të dëshmisë së drejtë për hir të Allahut, edhe pse ajo mund të jetë kundër jush apo prindërve dhe të afërmve të tyre, pavarësisht nëse ata janë të pasur apo të varfër. Mos devijoni nga rruga e drejtë duke rendur pas kapriçove tuaja. Bëhuni mbajtës të palëkundur të barazisë për hir të Allahut dhe mos lejoni që urrejtja juaj për të tjerët t’ju mposhtë dhe t’ju bëjë të padrejtë në lidhje me ta.

Frenojeni zemërimin dhe falini fyerjet që ju bëjnë të tjerët. Veprat e mira dhe ato djallëzore nuk janë e njëjta gjë, ndaj shlyeni një vepër të keqe me një të mirë, në mënyrë që të dy palët të mund ta kapërceni armiqësinë tuaj dhe të bëheni miq të ngushtë. Kompensimi për një të keqe që të bëjnë, është një e keqe e po asaj përmase; por kushdo që e fal dhe e përmirëson keqbërësin me mirësi dhe me dashuri, do të shpërblehet nga Allahu. Largohuni nga alkooli dhe lojërat e fatit, sepse Allahu i ka ndaluar ato.

Ju jeni qenie njerëzore dhe të gjitha qeniet njerëzore janë të barabarta përpara Allahut. Askush nuk ka lindur me njollën e turpit në fytyrë apo me shallin e nderit rreth qafës. Njerëzit e vetëm që janë të nderuar dhe të lartësuar, janë njohësit e Allahut dhe të Mëshiruesit, ata të cilët janë të drejtë në fjalë e vepra. Dallimet në lindje dhe lavdia e racës nuk janë kritere madhështie dhe nderi.

Një ditë, pasi ju të vdisni, ju do të dilni përpara një gjyqi suprem dhe do të jepni llogari për të gjitha veprat tuaja; asgjë prej tyre nuk do të mund të fshihet. Regjistrimi i jetës suaj do të jetë në një libër të hapur tek Allahu. Fati juaj do të përcaktohet nga punët tuaja të mira e nga ato të këqija. Në gjyqin e Gjykatësit të Vërtetë, Allahut të Gjithëdijshëm, nuk do të ketë padrejtësi apo mbajtje me hatër. Ju nuk do të mund ta korruptoni Atë dhe raca e prejardhja juaj nuk do të merret parasysh. Vetëm besimi i vërtetë dhe veprat e mira do t’ju bëjnë dobi atë ditë. Ato të cilët i zotërojnë këto me shumicë, do të jetojnë në Parajsë, në lumturi të përjetshme, ndërsa ata të cilët nuk i posedojnë këto cilësi, do të qëndrojnë përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit.2

Sulejman Erish

[1] Joseph Hell, Qytetërimi Arab, f. 10.

[2] Tirmidhi, Hn: 3069.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit