-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Profetët: Joshua, Iljas dhe Eljesa a.s

Më të lexuarat

Historia e Joshua, Iljas dhe Eljesa a.s

Historia e profetit Joshua bin Nun a.s

Pas vdekjes së Harunit dhe Musait a.s, ishte Joshua bin Nuan ai që udhëhoqi Benu Israilët. Siç e kemi cekur dhe më lart, dijetarët kanë mendim pothuajse unanim që edhe ai ishte profet. Joshua rridhte nga familja e Jusufit a.s. Ai i qëndronte pranë Musait a.s, prej të cilit merrte dije dhe studionte Teuratin.
Me të përfunduar periudha e humbjes në shkretëtirë, Joshua a.s u drejtua bashkë me popullin e tij drejt Jeruzalemit, të cilin ua kishte premtuar Zoti. Dyzet vite të humbur në shkretëtirë, kishin shërbyer si mësim për të mos kundërshtuar urdhrat dhe dispozitat e Zotit. Tashmë, brezi që kishin adhuruar viçin kishin vdekur të gjithë dhe kishte lindur një brez i ri. Thotë profeti Muhamed a.s:”Nga ata që adhuruan viçin, nuk kishte mbetur asnjë syresh.”
Joshua me popullin e tij e rrethojnë Jeruzalemin për gjashtë muaj. Beteja e fundit që zhvillohet mes dy ushtrive ndodhi ditën e premte. Siç dihet, Benu Israilët e kishin të ndaluar punën dhe luftën ditën e shtunë. Ata filluan ta ndjejnë superioritetin e tyre pasditen e ditës së premte. Nëse do të perëndonte dielli, atyre u duhej ta linin luftën, pasi me perëndimin e tij fillonte e shtuna. Duke konstatuar se dielli ishte në perëndim e sipër dhe fitorja akoma nuk ishte arritur, Joshua bin Nuni vështroi drejt tij dhe i tha:”Ti o diell je i urdhëruar, ashtu siç jam unë i urdhëruar. O Allah, ndaloje perëndimin e tij!”
Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu:”Dielli nuk është ndalur për asnjë njeri përveç Joshua bin Nun.”
Dielli e ndaloi lëvizjen e tij drejt perëndimit derisa Joshua bin Nun bashkë me ushtrinë hynë në Jeruzalem dhe shtrinë sundimin e tyre mbi qytet. Kjo ishte një mrekulli që u bashkohet mrekullive të tjera që kishin parë Benu Israilët.
Kur nisën të hyjnë në portat e qytetit, Joshua i urdhëroi të hynin të përulur para Zotit, duke thënë:”O Zot na i fal gjynahet tona!”
“Kujtoni kur thamë: “Hyni në këtë qytet dhe hani ç’të doni dhe sa të dëshironi, por, duke hyrë në qytet, përuluni në sexhde dhe thoni: “Falna!” që Ne t’jua falim gabimet. Atyre që bëjnë vepra të mira, Ne ua shtojmë shpërblimin.” (Bekare, 58)
Brezi i ri që luftoi me Joshuan a.s filluan të tallen me të dhe në vend që të luteshin për falje gjynahesh, filluan të përsërisin fjalën “elb”, e cila në hebraisht është e përafërt me fjalën “falje”. Kështu, në vend që të thonin “hitta” (falje) thonin “hinta” (elb).
“Por keqbërësit e ndryshuan fjalën që iu tha me një fjalë tjetër, prandaj Ne u sollëm atyre që bënë (këtë) padrejtësi një dënim nga qielli për mosbindjen e tyre.” (Bekare, 59)
Përveç kësaj, ata nuk hynë të përulur me kokë para, por hynë të përulur me të ndenjurat para, si shenjë talljeje. Këtë e shoqëronin me fjalët “elb” në vend të “falje”.
Që nga ky moment, Benu Israilët fillojnë të shtojnë dhe heqin nga libri i tyre i shenjtë Teurati.
Si ndëshkim për atë që vepruan, Zoti u dërgoi një murtajë të rëndë e cila shfarosi brenda një dite më shumë se njëzet mijë prej Benu Israilëve. Të frikësuar për atë që u ndodhi, harruan gjithçka dhe filluan t’i përgjërohen Zotit me lutje.
Me kalimin e viteve e dekadave dhe pas vdekjes së Joshuas, pushteti fetar që drejtohej kryesisht nga profetët, filloi të ndahej nga pushteti politik. Pushtetit politik ishte në duart e pasardhësve të Jehodhas, djalit të Jakubit a.s. Ndërkohë që pushteti fetar (profetët) ishte në duart e pasardhësve të Iladhit, djalit i Jakubit a.s.
Joshua vdiq njëzet e shtatë vite pas vdekjes së Musait a.s. Mosha e Joshuas kur vdiq ishte njëqind e njëzet e shtatë vjeç.

Historia e profetit Iljas a.s

Me kalimin e viteve, fillon të përhapet sërish idhujtaria hebrenjve, sidomos në zonat e Libanit të sotëm. Në krahinën e njohur Balabak, banorët që ishin hebrenj filluan të adhurojnë një idhull që e quanin Bal. Prej tij qyteti dhe krahina kanë marrë dhe emrin Balbek. Për t’i kthyer sërish në besimin në një Zot të vetëm dhe për të ringjallë dispozitat e Teuratit, Zoti dërgoi tek ky popull një profet me emrin Iljas. Ai ishte biri i Jasinit, bir i Azarit, bir i Ojzarit, bir i Harunit a.s. Thotë Allahu në Kuran lidhur me këtë profet:
“Edhe Iljasi ka qenë vërtet një prej të dërguarve. Ai i tha popullit të vet: “A nuk po i frikësoheni Allahut?!” Vallë, a i luteni ju Ba‘lit, ndërsa braktisni Krijuesin më të mirë, Allahun, Zotin tuaj dhe Zotin e të parëve tuaj të lashtë?!” Ata e quajtën atë gënjeshtar dhe, për këtë shkak, do të çohen (në dënimin e Zjarrit), përveç robërve të sinqertë të Allahut. Dhe Ne i lamë atij kujtim të mirë te brezat e mëvonshëm:“Paqja qoftë mbi Iljasin!” Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët! Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.” (Saffat, 123-132)
Dijetarët myslimanë nuk përmendin diçka më shumë rreth profetit Iljas, përveçse ai u dërgua në Balabek dhe se populli i tij e përgënjeshtruan. Sipas disa dijetarëve, ai i braktisi dhe u zhduk pa lënë gjurmë. Kurse disa të tjerë mendojnë se vdiq duke i ftuar në besimin monoteist.
Siç gjendet dhe në disa libra të tefsirit, disa njerëz mendojnë se Iljasi a.s vazhdon akoma të jetë i gjallë. Të njëjtën bindje kanë dhe për Hidrin a.s. Për të vërtetuar mendimin e tyre, ata përmendin rrëfenja nga më të ndryshmet, sipas të cilave si Iljasi dhe Hidri a.s janë akoma gjallë. Ka dijetarë që pohojnë se katër profetë vazhdojnë të jenë gjallë, dy prej tyre jetojnë në qiell ndërkohë që dy të tjerë në tokë. Ata që jetojnë në qiell janë Idrisi a.s dhe Isai a.s, kurse ata në tokë janë Iljasi a.s dhe Hidri a.s. Padyshim që kjo është një gafë e rëndë dhe e pavërtetë. Në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimai, Profeti a.s pasi fal namazin e jacisë kthehet nga të pranishmit dhe u thotë:”A e shihni këtë natë?!” Të pranishmit u përgjigjën:”po o i dërguar i Allahut.” Profeti a.s u thotë:”Njëqind vite pas kësaj nate, askush nga ju nuk do të jetë i gjallë.”
Njëqind vite më vonë, të gjithë ata që kishin qenë gjallë në kohën e Profetit a.s, kanë vdekur.

Historia e profetit Eljesa a.s.

Thotë Zoti i lartësuar në Kuran lidhur me këtë profet:
“Kujtoje edhe Ismailin, Eljesain dhe Dhulkiflin. Të gjithë ata kanë qenë nga besimtarët e zgjedhur e të mirë.” (Sad, 48)
“Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin – secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit.” (En’am, 86)
Eljesa ishte biri i Adij dhe disa mendojnë se rrjedh nga familja e Harunit. Ashtu siç thuhet se ishte djali i xhaxhait të Iljasit a.s.
Përveç faktit se ishte i dërguar i Zotit, dijetarët nuk përmendin ndonjë detaj tjetër nga jeta dhe vepra e tij. Rrëfenjat izraelite lidhur me këtë profet janë të shumta, por ne u jemi përmbajtur ajeteve të Kuranit dhe haditheve të sakta në këtë trajtesë tonën.

 

Tarik Suvejdan/ardhmeriaonline.net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit