-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Profesori turk në Prishtinë: ju tregoj madhështinë e Ferid Pashës së Vlorajve në Perandorinë Osmane

Më të lexuarat

Instituti Kosovar për studime sociale “Gnosis” ka organizuar një ligjëratë me temë “Familja Vlora në dokumentet arkivore osmane” nga Prof. Dr. Abdulhamit Kırmızı.

“Jam i lumtur që gjendem në Kosovë, por me vjen pak turp që nuk mund të ligjërojë në gjuhën shqipe edhe pse shumica e hulumtimeve të mia janë për shqiptarët”, u shpreh Kirmizi.

Më tej ai u shpreh se familjen Vlora nuk e konsideron si histori shqiptare e as turke, por si histori të Perandorisë Osmane.

Prof. Dr. Abdulhamit Kırmızı

“Sa herë që flas për këtë familje, për mua nuk është histori turke e as shqiptare, por është histori perandorike e Perandorisë Osmane që në një mënyrë ka qenë perandori e përbashkët ku në të ka patur shqiptarë, kurdë, boshnjakë, qërkezë. Nuk ka qenë as perandori e ndonjë kombi si turk, por ka qenë perandori muslimane”, theksoi Kirmizi.

Prof. Kirimizi tha se në kujtimet e tij, Syrja bej Vlora tregon kur kishte punuar si shkrues në Perandorinë Osmane, në hapjen e hekurudhës Hixhaz, një hekurudhe që lidh Stambollin me Meken dhe Medinën, kishte shqiptarë në çdo cep të Perandorisë Osmane, po ashtu edhe zyrtarë shqiptarë.

“Në të vërtetë, zyrtari më i lartë i asaj kohe kishte qenë xhaxhai i tij Ferid Pasha, i cili ishte veziri i madh që posti me i lartë pas sulltanit për një vdekatar të zakonshëm, nëse mund ta quaj kështu në Perandorinë Osmane. Ai kishte shërbyer në perandori nën katër sulltanë, si babai i tij dhe vëllezërit e tij, dhe karrierën e zhvilloi paralelisht me periudhën e reformimit, pra në riorganizimin gjyqësor dhe administrativ të Perandorisë Osmane. Gjatë jetës së tij mbante shënime, komente se çfarë po ndodhte në Perandori”, u shpreh Kirmizi.

“Sikur ta mbaja një ligjëratë për Perandorinë Osmane dhe biografinë përmes biografive, do ta bëja me anët të jetës së Ferid Pashës, ngase nga viti 1851 deri në vitin 1941 ai mbulon të gjitha aspektet e jetës në këtë perandori. Kjo është kur një jetë barazohet me një shtet”, theksoi Kirmizi

Ai po ashtu tregoi edhe për historinë e Mustafa Pashës, i cili ka qenë babai i katër vëllezërve dhe e ka përshkruar veten me babain e tij Bekir Beut, ndërsa djemtë e Mustafa Pashës ishin administratorë në disa krahina.

Kirimizi shtoi se pas luftës ruse, Bullgaria dhe Traktati i Paqes së Berlinit ka qenë certifikatë e lindjes së principatës bullgare, dhe Feridi, njëri ndër djemtë e Mustafa Pashës u emërua nënkomisar i principate të sapothemeluar sepse ai i njihte çështjet e punëve të jashtme dhe ishte njohës i shumë gjuhëve të rajonit. “Ferid Pasha dhe vëllezërit e tij gjithashtu kanë qenë linguistë dhe njihnin shumë gjuhë”, shtoi Kirmizi.

Prof. Dr. Abdulhamit Kirmizi është historian dhe profesor universitar në Universitetin “Istanbul Şehir University” në Stamboll dhe është autor i shumë veprave dhe artikujve shkencorë. Ai njihet si njohës i mirë i familjes Vlora, dhe ka shkruar librin voluminoz me titull “Ferid Pashë Vlora”. si dhe ka botuar biografinë dhe kujtimet e Syrja Bej Vlorës në librin me titull “Shqipëria pasosmane (1912-1920)” i cili tashmë është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Në fjalën e tij. Prodekani i Fakultetit Filozofik, Muhamet Mala përshëndeti mbajtjen e kësaj ligjëratë, i cili tha se studimet dhe informatat e reja që vijnë sidomos nga Turqia që zotëron në vete një material nga shoqëria shqiptare.

Blerim Halili nga Instituti Kosovar për studime sociale “Gnosis”, tha se ky është një takim i rëndësishëm për të folur për familjen Vlora, pasi që kjo familje, sipas tij ka qenë një ndër më nammadhet, e panjohur plotësisht për shkaqe të ndryshme të lidhura me sistemin komunist në Shqipëri.

Përgatiti: Shkëlzen Rrecaj – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit