‘Lafarge-Holcim’, siç njihet aktualisht kompania, ka rënë dakord të paguajë një gjobë prej mbi 777 milionë dollarësh pasi dega e saj siriane bëri pagesa për grupet e armatosura, përfshirë DEASH-in, për të mbrojtur stafin e saj në Siri
Prodhuesi francez i çimentos ‘Lafarge’ do të pranojë fajësinë lidhur me akuzat e SHBA-së për ofrimin e mbështetjes materiale ndaj grupit terrorist DEASH, transmeton Anadolu Agency (AA).
Njoftimi vjen nga kompania ‘Holcim’, e cila në vitin 2015 bleu kompaninë ‘Lafarge’, ndërkohë Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së pritet të prononcohet më vonë në një konferencë për media për të shpallur zyrtarisht marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
‘Lafarge-Holcim’, siç njihet aktualisht kompania, ka rënë dakord të paguajë një gjobë prej mbi 777 milionë dollarësh pasi dega e saj siriane bëri pagesa për grupet e armatosura, përfshirë DEASH-in, për të mbrojtur stafin e saj në vendin e shkatërruar nga lufta.
Sipas CNBC-së, rreth 17 milionë dollarë në total i janë paguar grupit terrorist DEASH nga viti 2012 deri në vitin 2014.
‘Holcim’ tha se mbështet marrëveshjen e pranimit të fajësisë dhe theksoi se “asnjë nga sjelljet nuk përfshinte kompaninë Holcim”.
“Është një kontrast i plotë me gjithçka që përfaqëson ‘Holcim’. ‘Lafarge SA’ dhe ‘LCS’ kanë pranuar përgjegjësinë për veprimet e drejtuesve individual të përfshirë, sjellja e të cilëve ishte në shkelje flagrante e Kodit të Sjelljes së ‘Lafarge’-s. Na vjen shumë keq që kjo sjellje ka ndodhur”, tha kompania në një njoftim.
Ajo i referohej kompanisë ‘Lafarge Cement Syria’ (LCS), e cila është dega siriane e kompanisë ‘Lafarge’ deri kur ndaloi operacionet në tetor të vitit 2014.
Një hetim i brendshëm i mëparshëm zbuloi pagesat e paligjshme për DEASH-in dhe për grupe të tjera militante në Siri.
/aa/