Komisioni Evropian vendosi ashpër për nderimin ndaj Vojislav Sheshel
“Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizmit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës”, thuhet në reagimin e Komisionit Evropian në lidhje me nderimin që Kisha Ortodokse Serbe i bëri të dënuarin e Hagës Vojislav Sheshel, transmeton Zëri i Amerikës.
“Pozicioni ynë është i qartë: përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme,” tha zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero Hernandez në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.
“Udhëheqësit fetarë dhe komunitetet kanë përgjegjësinë të tregojnë udhëheqje në procesin e tejkalimit të trashëgimisë së vështirë të së kaluarës dhe të nxisin në mënyrë konstruktive besimin reciprok, dialogun dhe tolerancën, të nevojshme për stabilitet, një të ardhme paqësore dhe përparim,” tha Pisonero.
Sheshel shkoi në Tribunalin e Hagës në vitin 2003, me akuzën për nxitje të krimeve kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në territorin e Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë.
Në aktakuzë thuhej se me fjalimet dhe deklaratat e tij kanë kontribuar në vendimin e autorëve për kryerjen e krimeve.
Në vitin 2018, Dhoma e Apelit e Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, pasardhësi i Tribunalit të Hagës, e dënoi Sheshelin me 10 vjet burg për nxitje të persekutimit, dëbimit dhe zhvendosjes së detyruar, zhvendosjes me forcë të kroatëve në fshatin Hrtkovci të Vojvodinës në vitin 1992.
/tesheshi.com/