Sjellja në rrjetet sociale e një pakice njerëzish, që kërkojnë dhe tërheqin audiencën e të tjerëve dhe që jetojnë materialisht dhe shpirtërisht nga të qenit vip arti, kinemaje, muzike, sporti, politike, biznesi etj. është bërë infektuese edhe për pjesën tjetër të shoqërisë.
Edhe pse përgjithësisht kjo lloj “elite” e nivelit të ulët intelektual e shpirtëror, por me tepër popullaritet, që ka kontribuar më së shumti në degjenerimin moral të shoqërisë, ja ka dalë t’ua infiltrojë virusin edhe besimtarëve, madje edhe mes prijësve, për nga modeli i mënyrës së komunikimit publik me njerëzit. Ajo i ka humbur kështu seriozitetin dhe sublimen mesazhit hyjnor, duke u zhvendosur nga fjala, si mjeti më i lartë me të cilin Zoti ua kumtoi mesazhin e Tij njerëzve dhe të dërguarit e Tij popujve, në teknikat e ulëta tokësore të joshjes pas imazhit, që si produkt të tyre kanë idhujtarinë, që i lidh njerëzit më së tepërmi pas imazhit të prekshëm fizik dhe jo pas imazhit sublim të fjalës, që rroket vetëm nga mendja dhe shpirti, e jo nga sytë, njëlloj siç i lidhnin dikur statujat dhe ikonat pas vetes adhuruesit e tyre.
Në gamën e gjerë të publikimeve që bëjnë “elita trushpëlarë” e shoqërisë së sotme është edhe ekspozimi i tepruar i jetës private deri edhe intime nëpër rrjetet sociale, aq sa kjo është kthyer në qëllim në vetvete për disa dhe material i bollshëm për të mbushur faqet e portaleve dhe gazetave, për disa të tjerë. Kjo “murtajë epidemike” ka ndotur krejt rrjetet sociale në internet dhe është bërë tregues banal i “sinqeritetit” dhe të qenit i hapur e pa komplekse!
Kështu pra që të jesh vip, i pranuar në shoqëri dhe të të jesh model për të, duhet që të ekspozosh sa më shumë momente private nga jeta jote individuale, familjare apo me shoqërinë e ngushtë. Nëse një top modele e bën këtë duke bërë një selfije ose belfije para pasqyrës, apo me bikini buzë detit, një besimtar e konkurron atë me të njëjtën mënyrë, brenda bashkësisë së tij kryesisht, duke treguar me foto e video se ai ka dalë me gruan dhe fëmijët për tu argëtuar diku apo duke kryer një adhurim të caktuar për Ramazan etj. Ekstremitetin e këtyre dy pamjeve e bashkon privatja e intimja që bëhen publike, njëra që degjeneron dhe tjetra, që tenton në pamje të parë të konkurrojë degjenerimin për të edukuar, por që si synim thellë thellë në nënvetëdije ka të njëjtin qëllim si e para: ruajtjen e audiencës dhe popullaritetit, që i siguron individit besimtar, në mos përfitim ekonomik, së paku statusin social e të qenit dikush dhe pjesë e dikujt.
Përvetësimi sa më shumë i këtyre teknikave, ku jeta familjare, ajo intime me Zotin e private e besimtarit bëhen publike, do ta zbehin sinqeritetin dhe do ta mpakin mbarësinë e bereqetin Zotit, e cila nuk matet vetëm me sasinë, por mbi të gjitha me cilësinë dhe qëndrueshmërinë, që nuk vjen nga aktiviteti publik, por vetëm nga një marrëdhënie e sinqertë intime, e padukshme, e panjohur dhe larg syve të botës, e veçuar mes njeriut dhe Zotit të tij.
Shembulli i një besimtari është si ai i maleve që Zoti na tregon në Kuran, ku themelin e tyre e kanë më së shumti të futur nën tokë sesa mbi sipërfaqe. Besimtari po kështu i ngjan “një pemë të mirë, rrënjët e së cilës janë të thella dhe degët e saj ngjiten lart në qiell”, ndërsa jobesimtari, hipokriti, sipërfaqësori, i pasinqerti, i lëkunduri etj. ngjajnë me “një pemë të keqe, me rrënjë të shkulura dhe të paqëndrueshme mbi tokë”.
Në sytë e besimit privatja zë pjesën më të madhe të jetës së njeriut, madje edhe kur ajo është publike, dhe kjo është bekim për të. Ruajeni o njerëz mbarësinë e besimit, familjes dhe vetes duke e ruajtur sa më shumë privatësinë e jetës tuaj!
Justinian Topulli