Rusia dhe Ukraina do të diskutojnë për armëpushimin në rundin e dytë të bisedimeve, që do të mbahet më 3 mars.
Palët do të takohen në rajonin perëndimor të Bjellorusisë, Brest, por duket se midis tyre ka pak të përbashkëta.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha për Reuters-in dhe CNN-in se Rusia duhet t’i ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase, përpara se të nisin bisedimet për armëpushim.
Takimi ndërmjet delegacionit të Ukrainës dhe të Rusisë më 28 shkurt.
LEXONI EDHE KËTË:
Ukraina dhe Rusia do të bisedojnë për armëpushim
Vladimir Medinsky, i cili është ndihmës i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se përveç armëpushimit, do të diskutohet edhe çështja e një korridori humanitar në Ukrainë.
Presidenca ukrainase konfirmoi se delegacioni i saj është “në rrugë” për në vendin e ngjarjes.
Palët u takuan edhe të hënën, por pa ndonjë rezultat.
Planet për rundin e dytë të bisedimeve erdhën pas izolimit gjithnjë e më të madh të Rusisë nga Perëndimi.
Të mërkurën, shumica e vendeve në botë u rreshtuan kundër saj në Kombet e Bashkuara, duke i kërkuar tërheqjen e trupave nga Ukraina.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë jodetyruese, që e dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë.
Ndërkohë, forcat ruse raportohet se janë duke vazhduar bombardimet në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.