2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Prishtinë, mbahet protestë kundër “korrigjimit të kufijve”

Më të lexuarat

“As Kosova nuk ndahet, as Kosova Lindore nuk ndahet, pavarësinë nuk e negociojmë. Serbisë borxh nuk i kemi. Dhimbje të reja e kompromise të tjera nuk pranojmë”, tha Kurti

 

Partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje sot në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, organizoi protestë me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, kundër paralajmërimeve nga presidenti Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mijëra persona nga qytete të ndryshme të Kosovës sot u mblodhën para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë për të marrë pjesë në protestën e organizuar nga partia opozitare LVV, ku morën pjesë edhe deputetët e LVV-së si dhe minatorët e minierës së Trepçës në Mitrovicë. Në protestë morën pjesë edhe deputetët Vjosa Osmani, Korab Sejdiu, Haxhi Avdyli nga partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila i është përgjigjur negativisht ftesës së LVV-së për t’iu bashkuar kësaj proteste.

Protestuesit me pankarta me mbishkrime “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” e “Jo pazare me troje kombëtare” si dhe me slogane “Demokraci”, “E dua Luginën sa Prishtinën” “Trepça është e jona”, “UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës)”, nga Biblioteka marshuan deri në sheshin “Skenderbeu” ku ndodhet Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës. Shumica e protestuesve në këtë shesh mbanin flamuj kombëtar shqiptar por edhe flamuj të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Para fillimit të fjalimeve në sheshin “Skenderbeu” u intonua edhe himni kombëtar shqiptar.

Në një fjalim rasti, kryetari i Partisë opozitare LVV Albin Kurti deklaroi se “Në Kosovë ligj ka, por drejtësi nuk ka, shkolla ka por arsimim nuk ka, spitale ka por shërim nuk ka, konkurse ka por punë në ka, zgjedhjet mbahen por ndryshimet s’lejohen. Prej adoleshentëve e deri te prokurorët po përpiqen të ikin nga vendi”.

Duke theksuar se korrigjimi i kufijve është kompromis i dhimbshëm jo për Serbinë, por për Kosovën, Kurti tha se kjo është protestë e shqetësimit qytetar, e brengës kombëtare dhe e dashurisë njerëzore këtë vend. “Kjo protestë nuk është as për elektorat e as për vota, në zgjedhje është pushteti në pyetje. Por sot e kemi shtetin në pikëpyetje përmes Thaçit po na teston Vuçiçi, andaj le t’u përgjigjemi të dyve. As Kosova nuk ndahet, as Kosova Lindore nuk ndahet, pavarësinë nuk e negociojmë. Serbisë borxh nuk i kemi. Dhimbje të reja e kompromise të tjera nuk pranojmë”, tha Kurti.

Ai tha se kjo protestë paqësore është përgjigje ndaj “pazareve të Thaçit e Vuçiçit”. “Ne nuk pranojmë që për katër fshatra të Bujanocit dhe shtatë fshatra të Preshevës maksimalisht që së bashku bëjnë 85 kilometra katrorë më së shumti, të japim mbi 1.000 kilometra katrorë në veri të Ibrit e ku i kemi Ujmanin, Trepçën dhe Majën e Lartë të Pançiqit”, tha Kurti duke shtuar se Maja e Pançiqit nevojitet sepse është kodër e lartë strategjike dhe ushtarake për ta mbrojtur Republikën e Kosovës, Ujmani për t’i ujitur tokat e arat si dhe për dritën që merren nga hidrocentralet Kosova A dhe Kosova B, e Trepça për zhvillimin ekonomik të vendit.

Pas fjalimeve të mbajtura, protesta përfundoi e qetë dhe pa incidente.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë kohëve të fundit ka sjellë në rend dite çështjen se Kosova duhet të jetë e gatshme të shqyrtojë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, i cili është rreth 400 kilometra i gjatë. Kurse partitë opozitare në Kosovë, sidomos LVV, kundërshtojnë që kjo çështje të bëhet temë e negociatave në Bruksel.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit