-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Prishet xhamia e vjetër 350 vjeçare në Pogradec: Kujt i interesoi prishja?

Më të lexuarat

Xhamia e vjetër e qytetit të Pogradecit, dikur monumenti kulturor islam më i vjetër i qytetit turistik, sot nuk i ka ngelur më asgjë. Prishja e xhamisë së vjetër, e ndërtuar rreth tre shekuj më parë nga banorët muslimanë të lagjës Goricë të qytetit të Pogradecit u prish para pak kohësh nga themelet. Ngjarja kaloi në heshtje dhe shkatërrimi i këtij objekti kulti mbi 300 vjecar nuk u raportua në asnjë media apo portal. Banorët e lagjes, imamë të ndryshëm si dhe besimtarët muslimanë të qytetit të Pogradecit ishin kundër prishjes së xhamisë së vjetër.

Xhamia e vjetër qëndronte e pozicionuar sipër lagjes së vjetër të burimave, Toplecit. Objekti i vjetër i trashëgimisë kulturore islame ishte ngritur në një vend shkëmbor që për nga pozicioni i ngjasonte vendosjes së shtëpive të vjetra të qytetit të Beratit. Xhamia i kishte rrezistuar luftërave dhe kohërave, madje edhe periudhës së egër të komunizmit gjatë se cilës xhamisë ju prish vetëm minarja dhe kishte shërbyer si kopësht për fëmijët e lagjes. Xhamia e vjetër 350 vjecare, ishte një krenari jo vetëm për banorët e lagjes por edhe për të gjithë myslimanët e Pogradecit. Xhamia ishte një objekt karakteristik që i ngjasonte xhamive me çati sikurse Xhamia Mbret në Elbasan dhe Xhamia e Pazarit në Krujë. Për nga thjeshtësia, xhamia ngjasonte me stilin osman të ndërtimit të shtëpive në Gjirokastër dhe Berat.

“Një vendim i pakonsultuar me këshillin e myftinisë nga ana e myftiut Namik Mahmutllari dhe një veprim i nxituar nga imami i xhamisë Dritan Shaho rezultoi në prishjen dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore islame të qytetit të Pogradecit. Xhamia e lagjes Goricë ishte historiku jo vetëm i lagjes së vjetër të qytetit por ishte edhe një dëshmi e të kaluares arkitekturore dhe kulturore shqiptare. Xhamia e re po ngrihet me një strukturë të madhe betoni, larg modelit tradicional të ndërtimit të xhamive. Duke ndërtuar një xhami të re mbi ish xhaminë e vjetër, myslimanët në Pogradec kanë humbur më shumë sesa kane fituar. Një xhami shekullore e ndërtuar gjatë kohës së artë të Perandorisë Osmane, e shkatërruar nga vetë myftinia e Pogradecit, është një veprim me pasoja të rënda për islamin në Pogrdec,” thotë imami Bledar Kuqo, njëri nga hoxhallarët e qytetit të Pogradecit.

Prishja e xhamisë hasi në shumë kundërshtime nga besimtarët sidomos nga ata të moshave të vjetra. Besimtarët muslimanë të Pogradecit dhe sidomos ata të lagjes Gorice nuk donin që xhamia të prishej. Ata reaguan shumë fort për mosprishjen e xhamisë së vjetër.

“Xhamia e Goricës nuk duhej të prishej, ajo vetëm duhej restauruar. Xhamia duhej të lihej ashtu sikurse ishte, ndërsa xhamia e re të ngrihej në ndonjë zonë tjetër të qytetit ku nuk kishte xhami. Megjithëse xhamia e vjetër e lagjes Goricë ishte një xhami e vogël, me kapacitetin që kishte ajo e përballonte numrin e besimtarëve të lagjes. Nëse duhej ngritur një xhami e re, ajo duhej të ndërtohej diku në një zonë tjetër pasi popullsia sot është shtuar dhe është shtrirë në shumë zona periferike të qytetit”, thonë ata.

Megjithë reagimet, ankesat dhe kundërshtimet e shumta nga besimtarët, myftiu Namik Mahmutllari, pa u konsultuar me këshillin e myftinisë, me imamët e Pogradecit si dhe me banorët e lagjes vendosi që xhamia të prishej. Në atë vend ku dikur ndodhej xhamia e vjetër, modeste dhe e thjeshtë, ndërtuar me mund dhe djersë në të cilën besimtarët qetësonin shpirtërat e tyre, sot gjen një kantier ndërtimi.

“Me prishjen e xhamisë së vjetër, ne si qytetarë dhe si muslimanë pogradecarë kemi humbur trashëgiminë tonë kulturore. Ne muslimanët pogradecarë nuk kemi më ndonjë objekt të vjetër kulti. Myftiu Namik Mahmutllari duhej të ishte këshilluar me imamët para se të vendoste për prishjen e Xhamisë së vjetër. Edhe në bashki kur vendoset për tu bërë dicka, mblidhet këshilli bashkiak dhe vendos. Nuk arrij ta kuptoj se si KMSH e ka toleruar këtë veprim të myftiut Namik Mahmutllari”, shton imami Bledar Kuqo i xhamisë së Udënishtit.

Shkëlqimi, një besimtar i vjetër me profesionin laborant thotë: “Në asnjë menyrë nuk duhet të prishej një xhami e vjetër. Ajo duhet të ishte ruajtur me patjetër. Jashtë shtetit, si në Itali psh, kur një ndërtesë është mbi 70 vjecare, automatikisht futet në objektet e vjetra të ruajtura nga shteti dhe jo më të prishet një objekt mbi 300 vjecar sikurse ishte xhamia e vjetër e lagjes Goricë”.

Besmiri, një besimtar i lagjes që është falur për shume vite në xhaminë e vjetër thotë: “Xhaminë nuk e ndërtuan turqit, ajo u ndërtua nga të parët tanë, kryesisht nga fisi i dervishllarëve. Aty kanë falur namaz baballarët dhe gjyshërit tanë. Lagjia jonë tani nuk ka më histori, asaj i mungon zemra e saj, xhamia e vjetër në të cilën mblidheshin burrat e lagjes, kurse xhamia që po ngrihet sot në të njejtin vend është prodhim e 2018-s. Lagjia jonë është djegur disa here gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore, ndërsa xhamia i mbijetoi shkatërrimeve. Ndërsa myftiu Namik Mahmutllari me një të rënë të lapsit e shkatërroi xhaminë nga themelet. Xhamia ishte edhe një dëshmi e ekzistencës së vjetër të islamit në qytetin e Pogradecit. Nuk jam kundër ndërtimit të xhamive të reja, mos keqkuptohemi. Por këtu ështe punuar që të fshihet historia e fesë Islame e qytetit të Pogradecit. Xhaminë e dikurshme të qendrës së qytetit e prishi sistemi komunist. Do kisha dëshirë që xhamia e vetme e mbetur në këmbë ta ruante strukturën e saj dhe vetëm minarja dhe dyshemeja e saj ti nënshtrohej procesit të restaurimit. Xhamia nuk duhej të ishte prishur e gjitha”.

Pogradeci me xhamitë e tij si dhe Kazaja e Starovës, janë përmendur edhe në shkrimet e Evlia Çelebiut, eksploratorit osman i cili udhëtoi nëpër territoret e Perandorisë Osmane përgjatë dyzet viteve duke i radhitur udhëpërshkrimet e tij në një libër të titulluar Sejahatname (Libri i Udhëtimeve). Deri para se të ndalohej feja nga regjimi i Enver Hoxhës, përvec xhamive të vjetra Pogradeci i dikurshëm ka pasur edhe një medrese ku mesohej feja islame. Xhamia e qendrës, afër gjykatës së sotme, u prish në vitin 1967. Kurse xhamia e vetme që i kishte mbijetuar kohërave, si kohës së sundimit Osman, mbretërisë së Zogut, periudhës së komunizmit dhe shumë vitesh demokraci ishte Xhamia e Goricës që u prish pikërisht në vitin 2018. Ndërkohë që xhamisë së vjetër sot nuk i ka mbelur më as nam e as nishan, vendin e saj po e zë një xhami tjetër e cila është në ndërtim e sipër.

“Myftiu Namik Mahmutllari mbase mezi pret që me kënaqësi të inagurojë xhaminë e re por për mua si imam dhe si besimtar i vjetër si dhe për muslimanët e tjerë pogradecarë, prishja e xhamisë është një fshirje totale e historisë dhe trashëgimisë kulturore islame të qytetit tonë”, thote imam Bledari.

Ibrahimi, me profesionin IT, një nga besimtarët e vjetër të qytetit, ndan të njëjtin mendim me qytetarët e tjerë pogradecarë por tregon edhe një arsye tjetër që sipas tij qëndron pas prishjen së objektit:

“Xhamia u prish që të fshihej identiteti musliman sepse xhamia ishte 350 vjecare. U fshinë 350 vite histori islame dhe u zëvendësuan me beton. Objektet e kultit kanë personifikuar identitetin e njerëzve dhe kanë hedhur hapat për një shoqëri të qytetëruar. Xhamia e vjetër, e cila personifikonte normat e moralit dhe të mbarëvajtjes të sjelljes njerëzore në stabilitetin e urdhëresave hyjnore, u prish. A ka arsye që u prish? Po. Qëllimi është që në Pogradec të tregohet se nuk ka pasur kult islam të vjetër sa vetë historia e fillesave të këtij qyteti. Fshirja nga historia e xhamisë se vjetër nuk i shërben askujt vetëm se shkrimit të historisë së re sipas atyre të cilët kanë kohë që e imponojnë historinë shqiptare. Me vetëdije ose pa vetëdije, turp tu vijë atyre që e bënë realitet prishjen e këtij objekti me vlerë kulturore dhe fetare,” thotë ai.


Historia e qytetit të Pogradecit, pa xhamitë e vjetra të shkatërruara nga themelet, është një histori e mangët për brezat që do ta trashëgojnë atë. Sot po restaurohen pazare të vjetër, lagje te vjetra, po ruhen shtëpi skulptorësh, piktorësh, shkrimtarësh dhe heronjsh, mbase duke i rinovuar në identitetin e vet ashtu sic kanë qenë dikur, ndërsa xhamia e vjetër e lagjës Goricë në Pogradec sot nuk ekziston në vendin e saj të dikurshëm sikur ajo të mos kishte ekzistuar kurrë më parë në atë vend. Xhamia, pasuria kulturore islame, vendi në të cilin është mësuar gjithmonë se çështë paqja, mirësia, dashuria dhe dituria, vendi në të cilin janë mësuar ligjet e bashkëjetesës midis njerëzve, ligjet e mbarëvajtjes së familjes, edukimi i femijeve, dashuria për vendin, për familjen, për komshiun dhe për komunitetin ku jeton, jo vetëm që nuk u mbrojt dhe nuk u restaurua por u rrafshua nga themelet. Dikur kur nuk kishte gjykata dhe shtet, xhamia e vjetër 350 vjeçare ka qenë vendi ku njerëzit mësonin të jenë njerëz por që fatkeqsisht sot nuk ekziston më. Kujt i ka interesuar prishja e saj? Pavarësisht se xhamia e vjetër 350 vjecare u prish pa as më të voglin problem, qytetarët pogradecarë, besimtarët e mirë të qytetit do ta ruajnë atë në kujtesat e tyre brez pas brezi, megjithëse atë xhami deshën ta fshinin edhe nga memorja e njerëzve. E fundit, janë njerzit ata që e ruajnë dhe e bëjnë një vend dhe jo vendi pa njerez që e ruan dhe e bën vendin./Gazeta Impakt

© Gazeta Impakt

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit