Bin Salman, frikë se mund të përfundojë si Sadati i Egjiptit
Princi saudit Mohammed bin Salman u ka thënë kongresmenëve amerikanë se po rrezikon jetën e tij duke nxitur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
Siç shkruan Politico, princi saudit u përmendi anëtarëve të Kongresit se po vinte jetën e tij në rrezik duke arritur një pazar të madh me SHBA-në dhe Izraelin që përfshinte normalizimin e marrëdhënieve saudito-izraelite.
Në të paktën një rast, ai iu referua precedentit Anwar Sadat, ish-udhëheqësi egjiptian i cili u vra pas një traktati paqeje me Izraelin, duke pyetur se çfarë kishte bërë SHBA për të mbrojtur Sadatin. Ai foli gjithashtu për kërcënimet me të cilat përballet, duke shpjeguar pse një marrëveshje e tillë duhet të përfshijë një rrugë reale drejt një shteti palestinez – veçanërisht tani që lufta në Gaza ka rritur zemërimin arab ndaj Izraelit, raportoi Politico, duke cituar një ish-zyrtar amerikan të njohur me përmbajtjen e bisedës.
Sipas një raporti, MBS, siç njihet princi saudit, “duket se synon të arrijë një mega-marrëveshje me SHBA-në dhe Izraelin”, të cilën ai e konsideron “vendimtare për të ardhmen e vendit të tij”.
Nuk është e qartë se kur kanë ndodhur këto biseda dhe kur princi i kurorës ka diskutuar për vrasjen e tij të mundshme. Burimet e kongresit amerikan thanë se mundësia e një marrëveshjeje normalizimi midis Izraelit dhe Arabisë Saudite përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit është e mbyllur, pa kohë që Senati ta ratifikojë atë përpara pushimeve.
Normalizimi izraelito-saudit është një synim i dashur prej kohësh i kryeministrit Benjamin Netanyahu. Megjithatë, kryeministri ka përjashtuar në mënyrë të përsëritur një shtet të ardhshëm palestinez, duke e bërë një marrëveshje të tillë një ndërmarrje të komplikuar dhe të vështirë. /tesheshi.com/