16.6 C
Pristina
Sunday, October 27, 2024

Princi saudit Selman: Do t’i kthehemi Islamit të moderuar

Më të lexuarat

“Ne, ashtu siç ishte më parë, po i kthehemi Islamit të moderuar, i cili është i hapur për gjithë botën, të gjitha traditat, të gjithë popujt dhe të gjitha fetë”, shtoi ai

RIAD (AA) – Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Muhamed bin Selman, ka thënë se vendi i tij do t’i asgjësojë idetë radikale dhe do kthehet në islamin e moderuar, raporton Anadolu Agency (AA).

“Duke i asgjësuar menjëherë idetë radikale, Arabia Saudite do të kthehet në Islamin e moderuar dhe jetën normale, sikurse para vitit 1979”, theksoi bin Selman në fjalën e tij në një forum ekonomik të organizuar nga Fondi për Investime Publike në Riad, në të cilën morën pjesë 2.500 persona nga 60 shtete.

Ndërkaq, në një pyetje lidhur me shkaqet dhe kohën e ndryshimeve të fundit, përfshirë edhe përdorimin e automjeteve nga gratë, bin Selman tha: “Arabia Saudite nuk ishte e tillë para vitit 1979. Për shumë shkaqe, pas vitit 1979, në Arabinë Saudite dhe në të gjithë rajonin u përhap ‘projekti i zgjimit'”.

Idetë të cilat i cilësoi si “shkatërruese”, bin Selman tha se filluan të hyjnë në Arabinë Saudite në fillim të vitit 1979 në kuadër të projektit “zgjimi fetar”, ndërsa kjo, siç tha ai, u realizua njëkohësisht me revolucionin në Iran.

“Ne, ashtu siç ishte më parë, po i kthehemi Islamit të moderuar, i cili është i hapur për gjithë botën, të gjitha traditat, të gjithë popujt dhe të gjitha fetë”, shtoi ai.

Princi i Kurorës po ashtu theksoi se 70 për qind e të rinjve në Arabinë Saudite janë nën moshën 30 vjeçe, duke shtuar se nuk do të humbin kohë duke u marrë me ide radikale në 30 vite të jetës së tyre dhe se do t’i asgjësojnë menjëherë mendimet radikale.

“Ne duam të jetojmë një jetë normale e cila reflekton fenë tonë toleruese dhe traditat tona. Duam të jetojmë së bashku me botën dhe të kontribuojmë në zhvillimin e shtetit tonë dhe botës”, tha ai.

Bin Selman shtoi se vendi i tij ka ndërmarrë hapa konkretë në periudhën që lamë pas dhe se do ta shkatërrojnë së shpejti radikalizmin që ka ngelur prapa.

Ndryshe, Arabia Saudite kohëve të fundit ka marrë një sërë vendimesh. Më 3 tetor, në këtë vend për herë të parë u transmetuan koncerte në kanalin kulturor të shtetit. Më 26 shtator, Mbreti Selman bin Abdulaziz shfuqizoi ligjin që nuk lejonte gratë të përdorin automjete.

Pas punimeve të ministrive relevante dhe ndryshimeve të nevojshme ligjore, duke filluar nga data 23 qershor 2018, gratë do të mund të pajisen me patentë shoferi dhe të përdorin automjete.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit