4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Prezantim me Familjen Profetike

Më të lexuarat

Lexuesi shqiptar është pasuruar me shkrime të shumta mbi jetën e të dërguarit të fundit, Muhamedit a.s. Figurës së tij i është bërë një trajtim i shtjelluar në planin personal. Pikërisht në kuadrin e shpalosjes së mëtejshme të figurës së të tij të ndritur vjen edhe ky prezantim i përmbledhur me familjen profetike, ku në një format të rrallë dhe të vyer për të gjithë lexuesit shqiptar, sidomos për ato që duan të kenë një vizion sa më të kompletuar në lidhje me aspektin familjar të jetëshkrimit profetik, po sjellim jetën e përmbledhur të bashkëshorteve të tij – nënave të besimtarëve – dhe të  fëmijëve të tij r.a.

Jeta bashkëshortore e Muhamedit a.s.

Dijetarët kanë theksuar se: Nëna të muslimanëve konsiderohen të gjitha gratë e Profetit a.s., me të cilat ai lidhi kurorë dhe pati kontakt seksual.

Beqaria e Muhamedit a.s. ishte e dëlirë dhe larg çdo devijimi. Ajo zgjati deri në moshën 25 vjeçare, moshë në të cilën zë fill jeta e tij bashkëshortore pas martesës me Hadixhen r.a., një grua e ve, fisnike, e pasur dhe 15 vjet më e madhe se ai, me të cilën Muhamedi a.s. pati bashkëjetesë ideale që zgjati 25 vite. Prej këtyre viteve, 15 do t’i takonin kulmit të rinisë së Profetit a.s. dhe periudhës përpara shpalljes hyjnore, ndërsa 10 vitet e tjera do t’i takonin mes-moshës së tij dhe 10 viteve të para të profecisë.

Hadixhja r.a. ndërron jetë në moshën 65 vjeçare dhe rreth një muaj pas vdekjes së saj, Muhamedi a.s, tashmë rreth të pesëdhjetave, martohet me Seuden r.a, një vejushë plakë, e shëndoshë, jo e pashme, me pesë fëmijë, e cila do të jetë gruaja e tij e vetme për më shumë se tre vjet. Duhet theksuar se Seudeja bashkë me ish-bashkëshortin e saj kishin qenë prej muslimanëve të parë dhe pas vdekjes së bashkëshortit të saj, ajo kishte mbetur tek familjarët e saj idhujtarë në kushte jo të lakmueshme…

Ky është historiku i jetës bashkëshortore rreth 30 vjeçare të Muhamedit a.s., deri kur ai arrin moshën 54 vjeçare, pas së cilës do të jetojë vetëm 10 vite të tjera.

Sigurisht që ky historik përbën një argument të mjaftueshëm kundër sharlatanëve që shpifin në lidhje me poligaminë (martesën me mbi një grua) të Muhamedit a.s., ndërkohë që poligamia është në fakt karakteristikë e thuajse të gjithë profetëve të martuar, në lidhje me të cilën vetë Bibla thekson se Daudi a.s. kishte  100 gra, ndërsa Sulejmani a.s. kishte 300 gra dhe 700 robëresha.

Në fakt, poligamia e Muhamedit a.s. e aplikuar në ¼ e fundit të jetës së tij bashkëshortore –shumica e martesave i takojnë 2-3 viteve të fundit të jetës së tij – vjen si rezultat i një sërë arsyesh, prej të cilave theksohen: shpalosja e fuqisë mbinormale mashkullore të Profetit a.s. që ishte ekuivalente me atë të dyzet burrave; reflektimi i dinjitetit të tij si bashkëshort dhe kryefamiljar; pasqyrimi i dispozitave të rëndësishme sheriatike që kanë të bëjnë me gruan muslimane në veçanti por edhe me institucionin e familjes në përgjithësi; përkujdesja e tij sociale për vejushat besimtare, sidomos për të mbeturat pa mbështetje; mbrojtja e reputacionit të krerëve të fiseve dhe përthithja e tyre në Islam, përmes martesës me bijat e tyre dhe krijimit të lidhjeve miqësore me ta… etj.

 

Bashkëshortet e Muhamedit a.s.

Hadixhja; gruaja e parë me të cilën martohet Muhamedi a.s, 15 vite para profecisë. Ajo ishte 40 vjeçare ndërsa Muhamedi a.s. ishte 25 vjeçar. Ajo ishte një grua tepër fisnike dhe konsiderohet bashkëshortja më e vlerësuar prej tij, me të cilën jetoi 25 vite; Hadixhja kishte lindur në vitin 68 para Hixhri dhe ndërroi jetë në moshën 65 vjeçare, në vitin e 10 të profecisë/në vitin 3 para Hixhri, rreth 13 vite para se të ndërronte jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Hadixhes r.a.:

Ajo ishte prej fisit të shquar Kurejsh. U lind në Mekë dhe u rrit në një shtëpi të ndershme dhe të kamur. I ati i saj ndërroi jetë në betejën “Jeumu el Fixhar”. Ajo para Profetit a.s. qe martuar dy herë dhe burri i fundit i saj kishte qenë Ebi Hele ibën Zurara et Temimin, i cili ndërroi jetë duke e lënë  të ve. Me dy burrat e parë të saj Hadixhja kishte vetëm dy vajza, që të dyja me emrin Hind. Hadixhja r.a. kishte një biznes të madh të cilin e lëvronte në Sham, duke punësuar në llogari të saj tregtarë, të cilëve u jepte një pjesë të fitimit. Kur Profeti a.s. arriti në të njëzetepestat e tij, ai punoi për hesap të biznesit të saj në tregun e Hauranit, prej ku u kthye me fitim të madh. Hadixhja r.a. i dërgoi Muhamedit a.s. (që asokohe s’ishte bërë ende profet) dikë që t’i shtinte ndër mend që të martohej me të dhe ai pranoi. Atë e martoi xhaxhai i saj Amër ibën Esa’di dhe martesa e tyre ndodhi para se Muhamedit a.s. t’i zbriste shpallja. Nga martesa e tyre lindën: El Kasimi [nga ku e mori Profeti a.s. pseudonimin e tij Ebu (babai i) El Kasim-it], Abdullahu, Zejnebja, Rukaja, Umu Kulthumi dhe Fatimja r.a. Fëmijët kishin një diferencë moshe prej dy vjetësh nga njëri-tjetri. Kur Profetit a.s. i zbriti shpallja ai e ftoi Hadixhen r.a. në Islam, ftesë të cilës ajo iu përgjigj pa hezitim duke u bërë kështu e para që e pranoi Islamin prej burrave dhe grave. Të dy vijuan të faleshin fshehurazi deri sa erdhi periudha e thirrjes së hapur. Prej nderimit që ajo gëzoi tek Profeti a.s. përmendim se: Ai a.s. nuk ishte martuar para saj me dikë tjetër; të gjithë fëmijët që i dha Allahu i Madhëruar i erdhën Profetit a.s. thuajse vetëm prej saj; Profeti a.s. nuk u martua me ndonjë grua tjetër sa ishte Hadixhja r.a. gjallë dhe nuk u interesua për t’u martuar derisa ajo ndërroi jetë. Ajo ishte shoqja më e mirë e jetës së tij. Ishte ajo që e besoi para të gjithëve, e qetësoi dhe e dërgoi tek xhaxhai i saj Uaraka, dijetari që i vërtetoi Muhamedit a.s. se tanimë ai ishte i Dërguar i Allahut të Madhëruar. Profeti a.s. u hidhërua shumë për vdekjen e saj. Gjithashtu prej gradëve të saj përmendim faktin sesi Xhibrili a.s. i erdhi Profetit a.s. dhe i tha: “Jepi asaj (Hadixhes) selam nga Zoti i saj dhe nga unë”. Gjithashtu profeti Muhamed a.s. e ka numëruar atë në mesin e katërshes së grave më të mira të botës, krahas së cilës janë përmendur Merjemja, e bija e Imranit (nëna e Isait a.s.), Asija, gruaja e Faraonit dhe Fatimja, e bija e Muhamedit a.s. Ajo ishte prej grave të rralla të kompletuara, ishte mendjemprehtë, e përkushtuar në fe, madhështore, e ndershme, fisnike, e dëlirë dhe e përgëzuar me Xhenet. Profeti a.s. e lavdëroi atë, e preferoi ndër të gjitha nënat e besimtarëve dhe e vlerësoi së tepërmi. Të gjithë fëmijët që pati Profeti a.s. ishin prej saj, përveç Ibrahimit që e kishte me Marijen r.a. Hadixhja r.a. ndërroi jetë në Meke dhe u varros në Haxhun (mal sipër Mekes ku gjendeshin asokohe varrezat e banorëve të Mekës). Thuhet se ajo ndërroi jetë në Ramazan, në moshën gjashtëdhjetepesë vjeçare.

Seudeja: në vitin e 10 të profecisë/në vitin 3 para Hixhri (rreth një muaj pasi ndërroi jetë Hadixhja), në moshën 50 vjeçare, Profeti ­a.s. martohet me gruan e dytë, Seude bintu Zem’a, një grua në moshë; Seudeja ndërron jetë në vitin 54 Hixhri, rreth 43 vite pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Seudes r.a.:

Ajo ishte nga fisi Kurejsh. Më parë qe e martuar me Es Sekren ibën Amrin. Ajo e pranoi e para Islamin dhe pas saj e pranoi Islamin edhe i shoqi i saj. Që të dy bashkë qenë prej muslimanëve të grupit të dytë që emigruan për në Abisini. Pastaj ata të dy u kthyen në Mekë dhe i shoqi i saj ndërroi jetë. Profetit a.s. i kishte ndërruar jetë bashkëshortja e tij, nëna e besimtarëve, Hadixhja r.a.. Pas vdekjes së Hadixhes, gruaja e parë me të cilën ai a.s. u martua ishte Seudja r.a, e cila (ishte afërsisht në moshën e Profetit a.s.) mbeti gruaja e tij e vetme për mbi tre vjet, deri kur Profeti a.s. filloi jetën e tij bashkëshortore me Aishen r.a. Ajo ishte një zonjë e madhe, fisnike, e moralshme dhe me fizik të madh. Seudeja r.a. është ajo që ia dhuroi ditën e saj Aishes r.a., teksa vetë ishte moshuar. Ajo ka transmetuar 5 hadithe në adresë të Profetit a.s. Ndërroi jetë në Medine, në fundin e kalifatit të Umarit r.a.

Aishja; në vitin 1 Hixhri, në moshën 54 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e tretë, Aishe bintu Ebu Bekër, bashkëshorten e tij të preferuar, e cila kishte lindur rreth vitit 9 para Hixhri dhe ndërron jetë në vitin 58 Hixhri, rreth 46 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Aishes r.a.:

Ajo ishte nga Kurejshët, u lind dhe u rrit në një shtëpi besimtare, për më tepër besimtarësh të tillë si i ati i saj Ebu Bekri r.a. dhe nëna e saj Umu Rumane r.a.. Ajo është bashkëshortja e tretë e Profetit a.s., nëna e besimtarëve dhe më e ditura në fe, fikh dhe letërsi ndër gratë e Profetit, të muslimanëve dhe më gjerë. Ajo u martua me Profetin a.s. në një moshë të re. Ajo ishte një grua bardhoshe, shumë e bukur dhe e vetmja grua e virgjër me të cilën është martuar Profeti a.s. Jetoi me Profetin a.s. tetë vjet e pesë muaj dhe pati rastin ta njihte atë më afër se çdokush tjetër dhe të përfitonte prej diturisë së tij. Për këtë arsye ajo ishte edhe dijetarja më e madhe në Medinë dhe  më e mira grua e tij, përveç Hadixhes r.a. Pseudonimin e kishte Umu Abdullah. Vetë Xhibrili a.s. erdhi tek Profeti a.s. duke bartur imazhin e Aishes r.a. në një copë mëndafshi jeshil dhe i tha atij: “Kjo është bashkëshortja jote në dynja dhe Amshim” [Transmetim nga Et Tirmidhi, i gradës hasen-i mirë]. Profeti a.s. u martua me të në vitin e dytë hixhri. Ajo ishte gruaja më e dashur për të ndër bashkëshortet e tij dhe njëkohësisht gruaja që transmetoi më shumë hadithe ndër to. Ajo ka transmetuar nga Profeti a.s. një varg të sajin transmetimesh që arrin në 2210 hadithe. Ajo është personazh i disa kumtimeve dhe qëndrimeve. Për çdo gjë që i ndodhte, ajo ishte e aftë të recitonte poezi. Sahabët e mëdhenj e pyesnin atë mbi çështjet e ndarjes së trashëgimisë dhe ajo u përgjigjej. Allahu i Madhëruar e mbrojti atë nga shpifjet që iu bënë, duke zbritur për të një numër të konsiderueshëm thëniesh kur’anore. Njihet qëndrimi i saj i rreptë kundrejt çështjes së Uthmanit r.a, sa kohë që ai ishte gjallë dhe më pas zemërimi që e kaploi për shkak të vrasjes së tij, me ç’rast u pozicionua qartë  duke folur mbi devenë e saj, në ndodhinë “El Xhemel”. Aishja r.a. ndërroi jetë në Medine.

Hafsa: në vitin 3 Hixhri, në moshën 56 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e katërt, Hafsa bintu Umar, i shoqi i së cilës kishte rënë dëshmor në Betejën e Bedrit. Hafsa r.a. kishte lindur në vitin 18 para Hixhri dhe ndërroi jetë në vitin 45 Hixhri, rreth 34 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Hafsas r.a.:

Ajo është vajza e Umar ibën el Khatabit r.a, prej sahabijeve fisnike, një nga bashkëshortet e Profetit a.s. U lind në Mekë. Ajo qe martuar me Khunejs ibën Hudhefe es Sehmiun. Kur u shfaq Islami ata të dy e pranuan Islamin dhe bashkë emigruan në Medinë në vitin e tretë Hixhri. Bashkëshorti i saj ndërroi jetë dhe në vitin e dytë ose të tretë hixhri i ati i saj Umari r.a. e martoi me të Dërguarin e Allahut a.s. Pasi Profeti a.s. e ndau Hafsën për shkak se u bë shkak për privimin e Profetit a.s. nga robëresha e tij Marija, vetë Xhibrili a.s. erdhi t’i thotë Profetit a.s. që ta pranojë Hafsën, duke i thënë se: “Ajo agjëron shumë, falet shumë natën dhe është bashkëshortja jote në Xhenet”. Ajo vazhdoi të jetonte në Medinë edhe pas vdekjes së Profetit a.s., derisa ndërroi jetë në Medinë. Ajo ka transmetuar prej Profetit a.s. 60 hadithe.

Zejneb bintu Khuzejme: po në vitin 3 Hixhri, në moshën 56 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e pestë, Zejneb bintu Khuzejme, i shoqi i të cilës kishte rënë dëshmor në Bedër. Ajo lindi në vitin 26 Hixhri dhe ndërroi jetë pasi jetoi vetëm 8 muaj me Profetin a.s., në vitin 4 Hixhri, rreth 7 vjet para se të ndërronte jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Zejneb bintu Khuzejme r.a.:

Ajo thirrej “Nëna e të varfërve”. Fillimisht martohet me të Ubejde ibën el Harith dhe pasi ai ra dëshmor në Betejën e Bedrit ajo bëhet nëna e besimtarëve. Ndërroi jetë në Medinë, rreth moshës 30 vjeçare.

Umu Seleme: në vitin 4 Hixhri, në moshën 57 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e gjashtë, Umu (nëna e) Seleme, e quajtur Hind. I  shoqi i kishte rënë dëshmor në Uhud. Ajo lindi në vitin 28 para hixhrit dhe ndërroi jetë në vitin 62 hixhri, 51 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Umu Selemes r.a.:

Ajo është Hindu bintu (vajza e) Ebi Umeje, el Makhzumije. Ajo më vonë mori pseudonimin Umu Seleme dhe u bë e njohur me këtë emër. Umu Selemeja e pranoi fenë Islame së bashku me burrin e saj, Abdullah ibnu Abdu el Esedi. Të dy shpërngulen në Abisini dhe më pas ajo tenton të shpërngulet për në Medinë, por fisi i saj jobesimtar nuk e lejon dhe ajo provon tragjedinë e ndarjes nga burri dhe djali i saj i vogël i quajtur Seleme, të cilit fisi i burrit ia nxjerrin duart duke ia marrë me forcë. Më së fundi ajo me djalin e saj të vogël niset krejt e vetme për në Medinë dhe Uthman ibën Talha e ndihmon duke e përcjellë gjatë gjithë rrugës. Kështu ajo bashkohet me të shoqin e saj Ebu Selemen r.a., i cili në betejën e Uhudit merr plagë të rënda që bëhen edhe shkak për vdekjen e tij. Vetë Profeti a.s., me dy duart e tij fisnike, ia mbylli sytë shokut të vet Ebu Selemes. Posa Umu Seleme r.a. e kreu periudhën e pikëllimit (zisë) për të shoqin e saj, dorën e saj e kërkon Ebu Bekri r.a. dhe pas tij Umari r.a., por ajo refuzoi në të dy rastet. Më vonë vetë Profeti a.s. i kërkoi që të martohet me të. Ajo i tha: O i Dërguari i Allahut, unë kam tri cilësi: jam grua xheloze, jam e shtyrë në moshë dhe kam fëmijë. Profeti a.s. iu përgjigj: “Sa i përket xhelozisë, unë do ta lus Allahun e Madhëruar që ta lar­go­jë xhelozinë prej teje. Kurse sa i përket moshës, edhe unë jam në të njëjtën moshë sikurse edhe ti. Ndërsa sa i përket fëmijëve, fëmijët e tu janë fëmijët e mi”.Pas kësaj Profeti a.s. u martua me Umu Selemen dhe Allahu i Madhëruar iu përgjigj lutjes që Ume Seleme r.a. kishte bërë, për t’iu kompensuar me mirësi më të madhe fatkeqësia e vdekjes së të shoqit, duke i dhënë asaj më të mirin bashkëshort, profetin Muhamed a.s.. Profeti a.s. u martua me të në muajin Sheuel të vitit 4 hixhri. Prej asaj dite Hind el Makhzumije. Nuk ishte më vetëm nëna e Selemes, por ajo u bë “Nënë e besimtarëve”. Ajo ka transmetuar nga Profeti a.s. 378 hadithe. Ajo konsiderohej ndër dijetaret e fikhut prej sahabijeve (grave ndër sahabët). Ajo është e fundit që ndërroi jetë nga bashkëshortet e Profetit a.s., pikërisht rreth vitit 62 Hixhri.

Zejneb bintu Xhahsh: në vitin 5 Hixhri, me një vendim hyjnor të ardhur në anulim të birësimit në Islam, në moshën 58 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e shtatë, Zejneb bintu Xhahsh, pasi u divorcua me Zejdin, ish-skllavin e liruar dhe birësuar nga Profeti a.s. Zejneb bintu Xhahshi r.a. lindi në vitin 33 para Hixhri dhe ishte gruaja e parë e Profetit a.s. që ndërroi jetë pas tij, në vitin 20 Hixhri, pra rreth 9 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Zejneb bintu Xhahsh r.a.:

Ajo është një nga gratë e shquara të Islamit të hershëm dhe nga emigrantet e para që emigruan nga Meka për në Medinë. Më parë ajo ishte e martuar me Zejd ibën Harithen r.a. dhe pas divorcit me të, atë e merr për grua i Dërguari i Allahut a.s. i cili e quajti Zejneb, pasi emri i saj i mëparshëm ishte i ndryshëm. Ajo ishte nga gratë më të shkëlqyera në fe, në devocion dhe bamirësi. Ajo ishte prej grave më të pashme dhe u bë shkak për zbritjen e ajetit uranor mbi vendosjen e hixhabit (mbulesës së femrës muslimane). Atë e martoi Allahu i Madhëruar me kumtim prej Librit të Tij, pa qenë nevoja për kujdestar dhe as dëshmitar, gjë për të cilën ajo u krenohej nënave të tjera të besimtareve duke u thënë: “Juve ju martuan (me Profetin a.s.) familjarët tuaj, kurse mua më martoi (me Profetin a.s.) vetë Allahu i Madhëruar, nga sipër Arshit të Tij”. Ajo ka transmetuar 11 hadithe, të cilat janë të pranishme tek përpilimet e gjashtë autorëve më në zë të hadithit. Gjithashtu ajo është e para ndër arabet që pasi ndërroi jetë është bartur me neash (tabut) për në varreza, gjë e cila praktikohej tek abisinasit. Kur Umari r.a. e pa këtë praktikë tha: “Sa mbulesë e mirë për gruan!”.

Xhuvjeria; në vitin 6 hixhri, në moshën 59 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e tetë, bijë e një lideri, Xhuvejrie bintu el Harithe, pasi i vritet i shoqi në betejën Benu el Mustalik, ku ajo zihet robëreshë; pranon Islamin dhe martohet me Profetin a.s. Xhuvejria r.a. kishte lindur në vitin 14 para hixhri dhe ndërroi jetë në vitin 56 hixhri, rreth 45 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Xhuvejries r.a.:

Ajo është nga fisi (arab) Benu Mustalik, degëzimi i fisit të madh Khuzea: nëna e besimtarëve, bashkëshortja e Profetit a.s.. Para Profetit a.s. ajo ishte e martuar me Musefi’ ibën Safuanin, i cili u vra në Betejën “El Murajsi’i” (të njohur ndryshe si beteja e Benu el Mustalikut, në vitin 6 hixhri). I ati i saj ishte El Harith ibën Dirari, i cili para se të deklaronte Islamin e tij para Profetit a.s., ishte lider që i dëgjohej fjala në popullin e tij. Xhuvejria r.a. ra robëreshë lufte në Betejën “El Murejsi’i” dhe erdhi t’i kërkonte Profetit a.s. që ta çlironte. Profeti a.s. i tha: “A do më mirë se kjo?! Të martohem me ty”. Ajo e pranoi Islamin dhe Profeti a.s. u martua me të si dhe i çliroi të robëruarit prej popullit të saj. Emrin me të cilin njihet, asaj ia vendosi Profeti a.s. Ajo ishte ndër gratë më të bukura, më të nderuara, më inteligjente dhe më elokuente. Në adresë të Profetit a.s. vijnë të transmetuar prej saj 7 hadithe. Ndërroi jetë në Medinë në moshën 65 vjeçare.

Umu Habibe: në vitin 7 Hixhri, në moshën 60 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e dhjetë, Umu Habibe bintu Ebi Sufjan, e divorcuar nga i shoqi i cili u bë i krishterë në Abisini. Umu Habibe r.a. lindi në vitin 25 para Hixhri dhe ndërron jetë në vitin 44 Hixhri, rreth 33 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Umu Habibes r.a.:

Ajo është Ramla bintu Ebi Sufjan el Umevite, Umu Habibe: zonja e mbuluar, nëna e besimtarëve, prej bashkëshorteve të Profetit a.s., sahabie, motra e Muauijes r.a. Ajo ishte prej elokuenteve të kurejshve, me mendim të pjekur dhe e mençur. Fillimisht me të u martua Ubejdullah ibën Xhahshi me të cilin ajo emigroi në Abisini (në emigrimin e dytë të Abisinisë) dhe paskëtaj Ubejdullahu e lëshoi fenë Islame dhe u bë i krishterë, ndaj ajo u largua prej tij deri kur atij i erdhi vdekja në tokën e Abisinisë. Profeti a.s. dërgoi që të fejohej me të dhe ia besoi Nexhashiut (mbretit të Abisinisë) lidhjen e kurorës me Umu Habiben, ndërsa ajo këtë kurorëzim ia la në kujdestari Khalid ibën Seaid ibën el A’sit. Nexhashiu i dha asaj në emër të Profetit a.s. një mehr (prikë) prej katërqind dinarësh. Kjo ndodhi në vitin 7 Hixhri teksa mosha e saj ishte tridhjetë e ca vjeç dhe teksa i ati i saj (Ebu Sufjani) ishte ende në fenë e injorancës (në idhujtari). Ajo ndërroi jetë në Medinë. Në librat e hadithit asaj i takon transmetimi i 65 haditheve.

Safija: po në vitin 7 Hixhri, në moshën 60 vjeçare, Profeti a.s. u martua me gruan e njëmbëdhjetë, Safije bintu Hujej ibën Akhtab-i, prej hebrenjve të fisit Benu Nadr pasardhës të profetit Harun a.s., një e ve i shoqi i së cilës ishte prej të vrarëve të Khajberit, pranon Islamin dhe martohet me Profetin. Safija r.a. kishte lindur në vitin 10 para Hixhri dhe ndërroi jetë në vitin 50 Hixhri, rreth 39 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Safijes r.a.:

Safije bintu Hujej ibën Ekhtabi; prej grave të Profetit a.s. Në kohën paraislame ajo ishte ndër gratë e nderuara, nga pasardhësit e profetit Harun a.s. Ajo ishte nga Medina, nga fisi i El Khazrexhit dhe i përkiste besimit hebre. Ajo ishte e virtytshme, inteligjente, me prejardhje të fisme, e bukur, fetare, e matur dhe e respektueshme. Me të, para se të bëhej myslimane, u martua Selam ibën Mushkim el Kuradhiu, i cili u nda prej saj dhe pas tij me të u martua Kenene ibën er Rabia’ prej fisit hebre të Benu Nadrit, një prej poetëve hebrenj. I shoqi i saj u vra në ditën e Khajberit dhe ajo ra robëreshë lufte duke i takuar për pjesë Dihja el Kelbiut r.a. Disa persona erdhën dhe i thanë Profetit a.s. se lypsej që Safija r.a. të mos i takonte askujt tjetër veç atij. Profeti a.s. e mori atë nga Dihja r.a. me kompensim. Profeti për prikë të saj bëri çlirimin e saj prej robërisë. Ajo e pranoi Islamin dhe Profeti a.s. u martua me të. Ajo ka transmetuar nga Profeti a.s. 10 hadithe. Ajo ndërroi jetë në Medinë dhe varri i saj është në varrezat El Baki’a (varrezat e Medinës).

Mejmuneja: po në vitin e 7 Hixhri, pas Umras së Kadasë, në moshën 60 vjeçare, Profeti a.s. martohet me gruan e dymbëdhjete, Mejmune bintu el Harithe, 36 vjeçare, gruaja e ve që ia dhuroi veten e saj Profetit a.s., bashkëshortja e fundit e tij, e cila kishte lindur në vitin 29 para Hixhri dhe ndërroi jetë në vitin e 51 Hixhri, rreth 40 vjet pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Muejmunes r.a.:

Ajo është Mejmune bintu el Harith ibën Hazni el Hilalie: nëna e besimtarëve, bashkëshortja e fundit me të cilën u martua Profeti a.s. Ajo ishte ndër zonjat më të shquara të kohës së saj, grua e virtytshme dhe e denjë. Emrin e saj në fjalë, asaj ia vendosi Profeti a.s. Ajo ishte prej grave që ia dhanë besëlidhjen Profetit a.s. në Mekë, para Hixhretit. Para se të martohej me Profetin a.s., ajo ishte gruaja e Ebu Ruhm ibën Abd el Uze. I shoqi e la atë të ve dhe ajo u martua me Profetin a.s. në muajin Dhu el Ka’ede, në vitin 7 Hixhri, pasi Profeti a.s. kreu “Umratu el Kada”, në vendin e quajtur Serif, pranë Mekës, ku edhe u varros. Ajo njihet si gruaja e cila ia dhuroi veten e saj Profetit a.s. Ajo transmetoi prej Profetit a.s. 13 hadithe.

Prej robëreshave të tij ishin:

Rajhana; prej hebrenjve të fisit Benu Kurejdha, bie robëreshë, i vritet i shoqi, pranon Islamin, posedohet nga Profeti a.s. në vitin e 6 Hixhri dhe ndërron jetë në vitin 10 Hixhri, kur Profeti a.s. kthehet nga Haxhi i Lamtumirës, rreth 1 vit para se të ndërronte jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Rajhanës r.a.:

Ajo është Rajhana bintu Zejdi, nga fisi hebre Benu Nadr: një nga bashkëshortet e Profetit a.s., një grua fisnike, e pashme dhe e martuar më parë, e cila ishte zënë robëreshë në (Betejën e Benu Kurejdhas). Pasi Profeti a.s. e ftoi atë në Islam, ajo e pranoi Islamin (në vitin 6 Hixhri). Profetit a.s. i kishin lënë mbresa edukata dhe kthjelltësia e saj. Profeti a.s. ia kryente asaj çdo gjë që ajo i kërkonte. Ajo jetoi me Profetin a.s. dhe ndërroi jetë kur Profeti a.s. u kthye prej Haxhit të Lamtumirës. Profeti a.s. e varrosi atë në varrezat El Baki’a.

Maria egjiptiane, që i dhurohet Profetit a.s. në vitin 7 Hixhri, nga El Mukaukis, patriarku i Egjiptit, e cila ndërroi jetë në vitin 16 Hixhri, rreth 5 vite pasi ndërroi jetë Profeti a.s.

Biografia e përmbledhur e Marias r.a.:

Ajo është Marie bintu Shem’un, prej kobtëve të Egjiptit, nëna e Ibrahimit: robëresha e Profetit a.s., e cila e pranoi Islamin dhe u përkushtua në fe. Ajo u lind në territorin e quajtur Hafn, prej territoreve të Ensin-ës në Egjipt. Ajo ishte e bardhë dhe qe dhuratë që El Mukaukisi (prej kobtëve të Egjiptit), qeverisësi i Aleksandrisë dhe Egjiptit, ia dhuroi Profetit a.s. në vitin 7 Hixhri dhe bashkë me të i dhuroi edhe motrën e saj Sijrinin. Profeti a.s. Sijrinin ia dhuroi Hasen ibën Thebitit – poetit – i cili lindi me të AbduRrahman ibën Hasenin, ndërsa Marijen r.a. e mbajti për vete dhe ajo i lindi atij a.s. Ibrahimin, të vetmin fëmijë që ai pati me gratë e tjera veç Hadixhes r.a. Jekuti thotë: Kur El Hasen ibën Aliu r.a. mësoi se Maria r.a. ishte nga territori i Hafnit, ai bisedoi me Muauijen r.a. dhe në nderim të saj ua hoqën taksën banorëve të asaj zone. Kur Profeti a.s. ndërroi jetë, financimin e saj e mori përsipër Ebu Bekri r.a. dhe pas tij Umari r.a. Ajo ndërroi jetë në kalifatin e Umarit r.a., në Medine. Vetë Umari r.a. personalisht është parë t’i tubonte njerëzit që të prezantonin në xhenazen (kortezhin) e saj. Ajo u varros në El Baki’a. Asaj i atribuohet “Meshrab (çardaku) i Umi Ibrahimit” në El Alije – në Medinë – ku ajo qëndroi kur erdhi fillimisht.

– E vetmja grua e Profetit a.s. e cila ishte shumë e re dhe e pa martuar më parë, ishte Aishja r.a., e cila u edukua në familjen madhështore të Ebu Bekër es Siddikut r.a. dhe e pajisur me kapacitete të mëdha e me një nxënie të rrallë, sidomos falë moshës së saj të re. Jeton rreth 10 vite me Profetin dhe ndërroi jetë rreth 46 vite pas tij, duke u shndërruar në nxënësen dhe transmetuesen më të madhe të akademisë profetike, jo vetëm në lëmin e çështjeve sheriatike të gruas dhe jetës familjare, por edhe më gjerë.

Kur Profeti a.s. ndërroi jetë, ai kishte lënë pas vetes nëntë nga bashkëshortet e tij: Seuden, Aishen, Hafsën, Umu Selemen, Zejneb bintu Xhahshin, Umu Habiben, Xhuvejrien, Safijen dhe Mejmunen r.a.

 

Fëmijët e Profetit a.s.

Muhamedi a.s. ishte babai i shtatë fëmijëve, gjashtë të parët kishin nënë Hadixhen r.a. dhe i fundit kishte nënë Marien egjiptiane r.a.:

El Kasimi, është më i madhi dhe i pari prej fëmijëve të Profetit a.s., i cili ndërroi jetë në Mekë në moshë të vogël;

Zejnebja, lindi pas El Kasimit, 10 vjet para profecisë, kur Profeti a.s. ishte rreth 30 vjeçar, në vitin 23 para Hixhri; ajo martohet me Ebu el A’s ibën Rabia – i cili e pranoi Islamin pasi Zejnebja shkoi në Medinë – me të cilin pati një vajzë që quhej Umame – mbesa e Profetit a.s. që e pati mbajtur në qafë teksa po falej në xhami, e cila u martua dhe pati dy fëmijë –; Zejnebja r.a. ndërron jetë në vitin 8 Hixhri në moshën rreth 30 vjeçare, afërsisht 3 vite para se të ndërronte jetë Profeti a.s.;

Abdullahu, që thirrej ndryshe Et Tahir dhe Et Tajib, lindi pas Zejnebit dhe ndërroi jetë në moshë të vogël pas El Kasimit;

Rukaja, lind pas Abdullahut, teksa Profeti a.s. ishte 33 vjeç; ajo divorcohet para Hixhretit nga ana e njërit prej djemve të Ebu Lehebit para se ai të kishte hyrë me të, paskëtaj martohet me Uthmanin r.a. dhe të dy bashkë emigrojnë dy herë në Abisini; ajo lind me Uthmanin r.a. Abdullahun që ndërron jetë 6 vjeçar; Rukaja r.a. ndërroi jetë në vitin e 2 Hixhri, gjatë luftës së Bedrit, në moshën afërsisht 20 vjeçare, rreth 9 vite para se të ndërronte jetë Profeti a.s.;

Umu Kulthumi, lindi pak vite pas Rukajas; divorcohet para Hixhretit nga ana e njërit prej djemve të Ebu Lehebit para se ai të kishte hyrë me të, pas vdekjes të së motrës, në vitin 3 Hixhri, ajo martohet me Uthmanin r.a. me të cilin nuk pati fëmijë; Umu Kulthumi ndërron jetë në vitin 9 Hixhri në Medinë, rreth 2 vite para se të ndërronte jetë Profeti a.s.;

Fatimja, lind pas Umu Kulthumit, afërsisht 2 vite para profecisë, në vitin 15 para Hixhri, teksa Profeti a.s. ishte rreth 38 vjeç, martohet me Aliun r.a. në vitin e 2 Hixhri, lind me të El Hasenin, El Husejnin, Umu Kulthumin dhe Zejneben r.a.; dhe ndërron jetë në muajin Ramazan të vitit 11 Hixhri, në moshën rreth 26 vjeçare, afërsisht 6 muaj pasi ndërroi jetë Profetit a.s.. Fatimja r.a. ishte vajza e tij më e mirë, një nga katër zonjat e Xhenetit dhe qenë pikërisht dy djemtë e saj El Haseni r.a. dhe El Husejni r.a. ata që përbëjnë vijimësinë e linjës së familjes profetike, prej të cilëve do të vijë edhe Mehdiu (siç dihet vajzat e fëmijëve të Profetit a.s. nuk hyjnë në linjën e vijimësisë së familjes profetike).

– Gjashtë fëmijët e parë të Profetit a.s., kishin nënë Hadixhen r.a. Katër vajzat e Profetit a.s. e arritën epokën e Islamit; emigruan në Medinë; u martuan që të katra; patën fëmijë vetëm tre prej tyre, konkretisht Zejnebja r.a., Rukaja r.a. dhe Fatimja r.a.; tre të parat ndërruan jetë para Profetit a.s., kurse Fatimja r.a. ndërroi jetë pas tij.

Ibrahimi, i biri i Maries egjiptiane, i cili lindi në Medinë, në vitin 8 Hixhri, ndërsa Profeti a.s. ishte rreth 60 vjeç; Ibrahimi r.a. i vogël ndërroi jetë pas vdekjes së Zejnebes r.a., në të njëjtin vit që ndërroi jetë Umu Kulthumi r.a., në vitin 9 Hixhri, në moshën rreth 18 muajsh, afërsisht 2 vite para se të ndërronte jetë Profeti a.s.

– Falënderuar qoftë Allahu i Lartësuar, i cili na dërgoi këtë Profet të ndritur për të na nxjerrë nga errësira ne dritë.

Paqja, mëshira dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e kanë ndjekur dhe do ta ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Fundit!

 

Përpiloi: Altin Torba

Për përgatitjen e këtij materiali janë shfrytëzuar: “El Mektebetu esh Shamile (www.shamela.ws)”; “Fetaua esh Shebeketi el Islamie (www.islamweb.net)”; “Fetaua el Islam el Jeum” (www.islamtoday.net)”; “Sijaru el Ealemi en Nubelai”, me autor imam Edh Dhehebiun; “Tearraf ale Resulike”, me autor Taha AbduRauf Seadi; “El Ea’lem” me autor Ez Zirikliun dhe “Sueru min Hajati es Sahabe” me autor AbduRrahman Rafet El Basha.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit