Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Drejtorinë e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.
Osmani ka falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre, derisa gjatë vizitës është shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Republikës së Kosovës Gazmend Hoxha si dhe kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut Erden Atiq.
“Në radhë të parë ishim në vizitë në drejtorinë e Policisë për t’i falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre të çdoditshëm në interes të të gjithë qytetarëve në mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre. Për t’i inkurajuar ata që edhe kur ka net festash dhe ata sakrifikojnë duke qenë larg familjes së tyre dhe për t’ia dhënë gjithë mbështetjen e mundshme institucioneve të Kosovës”, tha Osmani.
E para e vendit ka uruar qytetarët e të gjitha etnive për festat e fundvitit.
Në kuadër të kësaj vizite të fundvitit, presidentja Osmani ka shfrytëzuar rastin të shpërndajë dhurata për fëmijët në veri të Mitrovicës.
/trt BALLKAN/