5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Presidentit të Koresë së Jugut i ndalohet udhëtimi jashtë shtetit

Më të lexuarat

Ministria e Drejtësisë në Korenë e Jugut ia ka ndaluar presidentit të vendit, Yoon Suk Yeol udhëtimin jashtë vendit, teksa autoritetet hetojnë dyshimet për rebelim dhe akuza tjera, të lidhura me shpalljen jetëshkurtër të gjendjes së luftës nga ana e tij, javën e kaluar.

Ky vendim i presidentit, i marrë të martën e kaluar, që ka rezultuar me angazhimin e trupave speciale nëpër rrugët e Seulit, e ka shtyrë Korenë e Jugut në një trazirë politike dhe ka rritur shqetësimet e partnerëve dhe fqinjëve.

Të shtunën, Yoon e ka shmangur një përpjekje të opozitës për ta rrëzuar nga pushteti, pasi disa deputetë e kanë bojkotuar procesin e votimit në Parlament.

Megjithatë, opozita ka thënë se do të dorëzojë mocionin e ri këtë javë.

Bae Sang-up, zyrtar i ministrisë, ka thënë në një seancë parlamentare se ia ka ndaluar Yoon-it largimin nga shteti, pas kërkesave të bëra nga policia, prokurorët dhe agjencia kundër-korrupsionit, teksa zgjerohen hetimet për veprimet e presidentit.

Të hënën, një zyrtar i lartë i Agjencisë Kombëtare të Policisë, u ka thënë gazetarëve se policia edhe mund të arrestojë presidentin, nëse përmbushen të gjitha kushtet.

Ndonëse një president në detyrë në Korenë e Jugut ka imunitet nga ndjekja penale, sa është në pushtet, diçka e tillë nuk vlen kur bëhet fjalë për dyshimet për rebelim apo tradhti.

Kjo do të thotë se Yoon mund të merret në pyetje dhe të ndalohet nga policia lidhur me dekretin e tij për shpallje të gjendjes së luftës.

Prapëseprapë, shumë vëzhgues dyshojnë që policia do ta ndalojë atë me forcë, pasi ka potencial për përleshje të mëdha me shërbimin presidencial të sigurisë.

Teksa e ka shpallur gjendjen e luftës javën e kaluar, Yoon e ka quajtur parlamentin “strofkë kriminelësh”, dhe është zotuar për të eliminuar “mbështetësit e paturpshëm të Koresë së Veriut”.

Vendimi i Yoon-it për shpallje të gjendjes së luftës, ka zgjatur vetëm gjashtë orë, sepse Asambleja Kombëtare ka votuar për ta rrëzuar këtë masë.

/REL /

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit