4.2 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Presidenti i Tajvanit i kërkon Kinës të përmbahet nga kërcënimet

Më të lexuarat

Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, i bëri thirrje Kinës “të hapë krahët, e jo të ngrehë grushtet”, teksa ai përmbylli vizitën e tij të parë jashtë vendit që kur mori mandatin në maj.

Deklaratat e bëra në konferencën për media në ishullin Palau më 6 dhjetor, erdhën si përgjigje ndaj spekulimeve se Kina do të mbajë stërvitje ushtarake përreth Tajvanit, për të kundërshtuar vizitën e tij në Paqësor.

“Pavarësisht se sa stërvitje ushtarake mbahen dhe sa luftanije dhe avionë luftarakë përdoren për të detyruar vendet fqinje, ata nuk do të jenë në gjendje të fitojnë respektin e asnjë shteti”, tha ai.

Presidenti i Tajvanit i bëri këto deklarata një ditë pasi Ministria e Jashtme kineze njoftoi për vendosjen e sanksioneve ndaj 13 kompanive amerikane dhe gjashtë udhëheqësve të kompanive, pasi së fundi u njoftua për shitje të armëve për Tajvanin.

Tajvani dhe Kina janë ndarë më 1949 gjatë luftës civile, kur komunistët morën kontrollin e Pekinit dhe nacionalistët ngritën një qeveri rivale në Tajvan, një ishull me 23 milionë banorë, rreth 160 kilometra larg nga bregu lindor i Kinës.

Kina që një kohë të gjatë pretendon se ishulli vetëqeverisës i Tajavanit është pjesë e saj, dhe se një ditë do të merret nën kontroll nga Pekini.

Vizita e Lait në rajonin e Paqësorit përfshiu ndalesa në Havai dhe Guam, territore të Shteteve të Bashkuara. Ai po ashtu vizitoi Ishujt Marshall, Tuvalunë dhe Palauin, tre nga 12 shtetet që kanë raporte diplomatike me Tajvanin. Pjesa tjetër e botës, përfshirë SHBA-në, zyrtarisht kanë raporte diplomatike me Kinën.

Gjatë qëndrimit në Guam, Lai zhvilloi bisedë telefonike me udhëheqësit e Kongresit amerikan, në një demonstrim të mbështetjes amerikane për Tajvanin.

Vizitat e presidentit tajvanez në dy territoret e SHBA-së zemëruan Kinën, e cila kundërshton shitjen e armëve nga SHBA-ja dhe ndihmën ushtarake që Uashingtoni i jep Tajvanit.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit