“Hapi që kemi ndërmarrë nuk është për të treguar forcën ndaj dikujt, por thjesht do të thotë që ambasadorët që shërbejnë në Turqi nuk mund të ndërhyjnë në punët e brendshme të Turqisë”, tha Erdoğan
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se në Glasgow të Skocisë gjatë samitit të klimës COP26 (Konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike) do të takohet me homologun e tij amerikan, Joe Biden, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan u tha gazetarëve se në krye të agjendës së takimit do të jetë çështja e avionëve luftarakë F-35.
Siç tha presidenti turk, Turqia pagoi 1.4 miliardë dollarë për avionët luftarakë F-35, të cilat SHBA kurrë nuk i dorëzoi.
“Ne duhet të diskutojmë me si do të na kthehet kjo”, u shpreh Erdoğan.
Erdoğan më herët tha se SHBA propozoi shitjen e avionëve luftarakë F-16 si kompensim për pagesën e Turqisë për avionët F-35.
Në vitin 2019, Washingtoni njoftoi se po e heq Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35 për shkak të blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400 nga Turqia pasi përpjekjet e saj për të blerë raketa amerikane Patriot u refuzuan.
SHBA pretendoi se sistemi rus përbënte një rrezik sigurie, megjithatë Turqia theksoi se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe se nuk do të paraqes kërcënim për aleancën apo armatimet e saj.
Ankaraja po ashtu në mënyrë të përsëritur propozoi formimin e një komisioni për të sqaruar çështjen.
– “Nuk ka kthim prapa”
Presidenti Erdoğan u pyet edhe për pretendimet e mediave amerikane se ai u tërhoq nga dëbimi i dhjetë ambasadorëve, i cili u përgjigj, “Si është e mundur të kem bërë unë hap prapa? Unë jam në ofensivë. Në librin tim nuk ka hap prapa”.
“Hapi që kemi ndërmarrë nuk është për të treguar forcën ndaj dikujt, por thjesht do të thotë që ambasadorët që shërbejnë në Turqi nuk mund të ndërhyjnë në punët e brendshme të Turqisë”, tha Erdoğan.
Erdoğan theksoi se ambasadorët nuk kanë autoritetin të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit ku shërbejnë dhe shtoi se presidenti Biden tregoi mirësinë e tij dhe deklarata e parë erdhi nga SHBA-ja.
“Ambasadorët që veprojnë në Turqi duhet të dinë se ku mund të çojnë veprimet e tyre, e nëse nuk e dinë, ua kujtuam nenin 41-të të Konventës së Vjenës”, u shpreh ai.
Javën e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë thirri ambasadorët e dhjetë vendeve, përfshirë të SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës, për përpjekjen e tyre për të ndërhyrë në gjyqësorin turk me një deklaratë të përbashkët mbi çështjen në vazhdim të Osman Kavala-s, i cili është akuzuar për përfshirje në grusht shtetin e dështuar të vitit 2016.
Dhjetë ambasadorët kërkuan lirimin e Kavala-s me pretendimin se çështja në vazhdim “ka hedhur hije mbi demokracinë dhe shtetin e të drejtës në Turqi”.
Si pasojë, të shtunën, Erdoğan urdhëroi Ministrinë e Punëve të Jashtme që t’i shpallë “persona të padëshiruar” këta dhjetë ambasadorë.
Por të hënën, dhjetë ambasadat në Turqi njoftuan se respektojnë nenin 41-të të Konventës së Vjenës, i cili u bën thirrje ambasadorëve të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve ku shërbejnë.
Erdoğan sinjalizoi miratimin e angazhimit të ri të deklaruar të ambasadorëve, duke theksuar se tani e tutje ai pret që ata “të jenë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre në lidhje me të drejtat sovrane të Turqisë”.
– Lufta kundër terrorizmit
Në lidhje me zgjerimin e autorizimit në parlament për misione kundër-terroriste pranë kufijve të Turqisë në Irak dhe Siri, presidenti Erdoğan tha se Turqia do të vazhdojë luftën e saj të vendosur kundër terrorizmit.
Dje, parlamenti turk miratoi një mocion që zgjat autorizimin për të kryer operacione ndërkufitare kundër-terroriste në veri të Irakut dhe Siri për dy vite të tjera.
Mocioni, i referuar në parlament nga qeveria e presidentit Erdoğan, lejon ushtrinë turke të kryejë operacione ndërkufitare në veri të Irakut dhe Siri për dy vite të tjera, respektivisht nga 30 tetori i këtij viti deri më 30 tetor të vitit 2023.