-1.6 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Prej cilave shtete importon naftë Kosova?

Më të lexuarat

Nafta apo ari i zi, është ndër produktet më të kërkuara dhe më fitimprurëse edhe në Kosovë.

Pasi që Kosova nuk ka rafineri të vetën, operatorët ekonomikë brenda një viti importojnë rreth 650 milionë litra të këtyre derivateve. Mbi 60 milionë litra importohen nga Serbia, mbi 133 milionë nga Greqia dhe mbi 25 milionë litra në Bullgaria.

Këtë e pohojnë përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës. Ramadan Maloku nga kjo shoqatë tha për Rel se një përqindje e madhe e naftës importohet nga Serbia dhe Bullgaria, por faktikisht, sipas tij, origjina e mallit është nga Rusia.

“Importohet përmes shtetit të Bullgarisë dhe shtetit të Serbisë. Do të thotë për çdo ditë ka importe që hyjnë në pjesën veriore, pastaj përmes pikës në Medarë dhe tek Dheu i Bardhë. Dihet që disa nga vendet e Ballkanit kanë raporte me shtetin e Rusisë, pra është me origjinë ruse. Ndonëse e ndërrojnë origjinën se është nga Rusia dhe Bullgaria, por realisht është nga Rusia”, thotë Maloku.

Por, disa nga pronarët që importojnë derivate të naftës nga Serbia, thonë se nuk u intereson se nga vjen lënda e parë. Sipas tyre, çmimi i leverdishëm dhe cilësia e produktit, janë arsyet pse ata e importojnë naftën përmes këtyre vendeve.

Kujtim Bucaliu, pronar i kompanisë “Hib Petrol”, thotë se afërsia territoriale ndikon që të importohet naftë nga shtete fqinje dhe ato të rajonit.

“Ne importojmë naftë nga shumë vende të rajonit, nga rafineria e Greqisë, rafineria e Pançevës në Serbi dhe Bullgaria, për arsye se nuk na mundësohet që të kemi qasje në vende më të largëta, andaj importojmë nga vendet më të afërta. Neve nuk na intereson rafineria, por na intereson kualiteti dhe çmimi”, thotë Bucaliu.

Kurse kompania tjetër EXFIS, derivatet e naftës i importon nga Greqia. Pronari i kësaj kompanie, Remzi Muharremi thekson se në tregun e Kosovës ka sasi të mëdha të naftës nga Serbia, por që operatori “Exfis” për shkak të cilësisë, siç thotë ai, importon naftë vetëm nga Greqia, ndërkaq mazutin e siguron nga rafineria e Pançevës, në Serbi.

“Ne jemi importues ekskluziv i benzinës nga Greqia, pasi konsiderojmë se është më e mirë, më kualitative, por është shumë më e shtrenjtë se ky produkt që vjen nga Serbia”, thotë Muharremi.

Në anën tjetër Lulzim Syla, kryeinspektor i tregut në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thotë se kompetent për kontroll të cilësisë së naftës në kufi është Dogana e Kosovës, kurse inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është kompetent për monitorimin e cilësisë së naftës brenda tregut të Kosovës.

Ai thotë se ky trup inspektues, vazhdimisht kontrollon tregun për parregullsi eventuale.

“Marrim mostrat në tregun e brendshëm të Kosovës. Asnjëherë nuk kemi hasur origjinë të produktit nga Rusia, por nga Serbia. Pasi sipas një vendimi, Qeveria e Kosovës i ka vendosur embargo Federatës së Rusisë”, thotë Syla.

Megjithatë, Syla thotë se për pjesën veriore të Kosovës, ku operojnë tri kompani që merren më derivate të naftës, nuk ka informacione se nga furnizohen ato.

“Unë kam bërë edhe një raport dhe e kemi dërguar në Bruksel. Ekzistojnë ato tri pika dhe nuk kemi qasje në to. I kam kontaktuar pasi kam qenë edhe vet në pjesën veriore të Kosovës, i kam pa, por nuk kemi mundur të bëjmë asgjë”, thotë Syla.

Qasja e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, është e kufizuar për shkak të funksionimit gjysmë-paralel karshi Qeverisë në Prishtinë të këtyre komunave, dhe afërsisë që kanë me Serbinë e cila ushtron ndikimin dhe kontroll politik në atë pjesë.

Operimi i kompanisë ‘Nish Petrol’, në veri të Kosovës, vlerësohet se përbën shkelje të embargos së Kosovës ndaj Federatës Ruse. ‘Nish Petrol’, është në pronësi të kompanisë Ruse ‘Gazprom Neft’, e cila është në listën e kompanive të ndaluara në Kosovë.

Qeveria e Kosovës në vitin 2014, kishte vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Në vendimin e Qeverisë së Kosovës ishin listuar një numër i kompanive dhe personave të cilëve në mënyrë specifike u është ndaluar biznesi në Kosovë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit