9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Predikuesi gjithë nerva

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Predikuesi gjithë nerva

Transmeton imam Muslim në koleksionin e haditheve të tij të sakta, se Xhabir ibnu Abdilah ka thënë:”Kur predikonte i dërguari i Zotit a.s, i skuqeshin sytë, ngrinte zërin dhe nevrikosej, saqë dukej sikur na paralajmëron një ushtri armike që gati po na sulmon.”
Ky lloj predikimi dhe ligjërimi i të dërguarit të Zotit a.s, ishte vetëm në raste kritike dhe aksidentale, ku situatat i lidhte ngushtë me mënyrën e ligjërimit. Në raste të tilla, njerëzit mbanin veshin mirë dhe e përpunonin çdo informacion dhe çdo fjalë që u thuhej, pasi ishte në lojë jeta dhe e ardhmja e tyre.
Ky lloj ligjërimi nuk ishte karakteristik i profetit Muhamed a.s, as një tipar i pandashëm i tij, por ishte një nga predikimet të cilat kishin të bëjnë me një problematikë të caktuar, si në rastin kur e shoqja u akuzua për çështje nderi, apo kur bëhej fjalë për tentativat e hebrenjve dhe idhujtarëve për të përçarë myslimanët etj…
Sakaq, lidhur me çështjet që kishin të bëjnë me miratimin e parimeve madhore, si ato të besimit, ligjërimi profetik ishte krejt ndryshe, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti “me urtësi”, këshillë të butë, fjalë të ëmbla dhe të menduara mirë, debat konstruktiv dhe zemërbutësi. I dërguari i Zotit a.s nuk ishte i zymtë, i ashpër dhe as burim britmash e çjerrjesh.
Fjalët dhe predikimet e tij i drejtoheshin arsyes së shëndoshë si të besimtarëve ashtu dhe të jobesimtarëve. Ligjërimi i tij nuk përmbante ulërima, britma dhe fryrje damarësh.
Gjatë predikimit, ai recitonte vargje të Kuranit, të cilat i memorizonin direkt nga goja e tij disa nga besimtarët.
Edhe kur ndonjëherë përjetonte momente të vështira dhe kriza, ai nuk rebelohej dhe nuk e humbiste toruan.
Një herë, teksa ishte ngjitur në minber duke predikuar, vjen një beduin nga shkretëtira dhe duke i ndërprerë predikimin (hytben) i thotë:”O i dërguar i Zotit! Unë jam një njeri i huaj, kam ardhur nga shkretëtira të pyes për fenë time, pasi nuk e di kush është feja ime.” Profeti Muhamed a.s u drejtua nga ai, e la predikimin, u ul mbi një ndenjëse me këmbë hekuri dhe filloi ti mësojë këtij beduini parimet e fesë. Pasi përfundoi, u kthye sërish tek minberi dhe vazhdoi predikimin deri në fund.
Predikuesi nuk ka përse të nervozohet dhe ta humbasë fillin, duke hyrë në detaje të padobishme. Hytbeja (predikimi) është një mision i shenjtë, i cili duhet të dëgjuar me vëmendje nga besimtarët. Kushdo që flet gjatë hytbes nga besimtarët, nuk i pranohet e xhumaja dhe kjo nuk është sanksionuar që besimtarët të vijnë e të dëgjojnë mendimin personal të predikuesit, qëndrimin apo këndvështrimin politik të tij.
Hytbeja është për të motivuar arsyen që të kuptojë, shpirtrat që të lartësohen dhe zemrat që të mbushen me emocione për më shumë besim dhe devotshmëri, për më shumë dashuri për Zotin dhe shpërblimin e tij.
Dëgjova dikë të predikojë ditën e xhuma dhe tema ishte rreth detyrimit të dhënies së zekatit për floririn që shërben si stoli për gratë. Ai solli emrat e studiuesve që mendonin se për këtë kategori floriri duhej dhënë zekati, solli argumentet e tyre të cilët i konsideroi të pakontestueshme dhe në fund tha:”Kush del kundër këtij mendimi, është njëlloj si ata që thanë: “E dëgjuam dhe e refuzuam!”
Zoti na ruajt, se diçka të tillë nuk mund ta thotë një besimtar. Në këtë rast, bëhet fjalë për një debat dhe një çështje që ka mendime të ndryshme edhe mes vetë sahabëve të profetit Muhamed a.s. Shumica e dijetarëve të katër shkollave juridike, mendojnë se për këtë lloj floriri nuk jepet zekat, përjashto Ebu Hanifen. Megjithatë, mos dhënia e zekatit për këtë lloj floriri është mendimi më i drejtë. Por, sido të jetë, nuk është e drejtë që për të vërtetuar mendimin tënd, të sjellësh vargje të tilla nga Kurani si:” Do të vijë dita, kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!” (Teube, 35)
Është e vërtetuar se edhe vetë sahabet nuk e jepnin zukatin e florinjve që përdornin për stoli, prej tyre vetë nëna e besimtarëve, Aisheja, e cila është njohësja më e mirë e këtyre meseleve. Gjithashtu, edhe Abdullah ibnu Umer, Xhabir ibnu Abdilah, Enes ibnu Malik etj… Zekati jepet vetëm për pasuritë që shtohen, kurse shtëpitë e banimit, mobiliet, veshjet, stolitë etj… nuk kanë zekat.
Hytbeja ose predikimi i ditës xhuma, nuk ka si qëllim që predikuesi të sjellë mendimet e ndryshme të studiuesve dhe të sqarojë mendimin e tij personal, si dhe ti kërkojë xhematit të ndjekin atë mendim dhe të deklarohen kundër mendimeve të tjera, në të kundërt i pret dënimi i madh.
Zemërimi dhe nevrikosja nuk ka përse të jenë emocionet e vetme që shoqërojnë hytben. Dashuria për Zotin dhe Profetin a.s, radhiten para frikës dhe frika ka si antonim shpresën. Dashuria është trungu, kurse frika dhe shpresa janë degët. Vetëm kështu vihet ekuilibri i duhur mes shpërblimit dhe ndëshkimit, motivimit dhe nxitjes.
Duhet që fjala e mirë të rrethohet me emocione njerëzore sublime. Profeti Muhamed a.s predikoi para besimtarëve dhe u foli për një fis që vuanin nga kriza e ushqimit. Ai i preku emocionalisht dhe i nxiti që të japin dhe të sakrifikojnë për këta njerëz.
Hytbet dhe predikimet e tij, mbizotëroheshin nga qetësia, maturia, dashuria dhe dëshira e mirë. E si të mos ishte kështu, ndërkohë që vetë Zoti e përshkruan si “Mëshirë për mbarë botërat” (Enbija, 107)
Predikimi është themeli i ndryshimit pozitiv aq shumë të dëshiruar dhe të nevojshëm tek shoqëritë myslimane. Ai kultivon besimin, bashkon zemrat, rrënjos konceptin e vëllazërisë, bashkon dhe nuk përçan, përgëzon dhe nuk dëbon.
Zemërimi i thellë dhe nervozizmi nuk janë shenja të besimit dhe kritere të bindjes, nuk janë as tipare të forcës dhe prezencës. “Këta janë ata që ka udhëzuar Zoti, prandaj ndiq udhëzimin e tyre.” (En’am, 90)
 
Perktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit