-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Prapsja e demokracisë, Shqipëria rasti ideal – Fitim Zekthi

Më të lexuarat

Prapsja e demokracisë, Shqipëria rasti ideal

Fitim Zekthi

Demokracia nuk është parë ndonjëherë si ndonjë urdhëresë hyjnore apo si ndonjë sistem politik a qeverisës pa dobësi, pa të meta apo i imunizuar nga shtrembërimet që mund t’i bëhen qeverisjeve, të cilat shkatërrojnë liritë njerëzore, shkaktojnë padrejtësi. Mendimtarët e vjetër, filozofët e kohëve të hershme kanë qenë dyshues, madje në shumë raste edhe të trembur nga rreziqet që bart demokracia. Gjithsesi me ardhjen e modernietit kthimi tek demokracia apo tek përpjekjet për të ndërtuar një rend demokratik u bënë fokusi themelor i shoqërive, i politikës dhe i mendimtarëve. Nuk duket se kishte një sistem politik më të mirë sesa demokracia, të paktën në epokën ku po hynte bota. Sot edhe më shumë.

Është mjaft i njohur njëri nga fjalimet e kryeministrit britanik Winston Churchill në Dhomën e Komuneve në vitin 1947 ku tha se demokracia ishte forma më e keqe e qeverisjes nëse do të përjashtoheshin të tjerat. Pra forma më e mirë mes formave të këqija të qeverisjes. Nuk ekzistonte një formë më e mirë. Në esenë “Shqetësimet e tanishme” C. S. Lewis thotë se “ai ishte një mbrojtës i fuqishëm i demokracisë sepse ai besonte tek rënia e njeriut (tek njeriu si një qenie që gabon, që bën mëkate, që bie në tundim apo rrëzohet) dhe për pasojë asnjë njeriu nuk mund t’i lihet në dorë një pushtet i pakontrolluar.”
Në librin e tij “Fëmijët e dritës dhe fëmijët e errësirës” Reinold Nieburh ka shkruar se “kapaciteti i njeriut për drejtësi e bën demokracinë të mundshme, por përkulja kah padrejtësia e bën demokracinë të domosdoshme.”

Pra demokracia është një sistem politik qeverisës që merr parasysh natyrën njerëzore e cila ka potencialin që siç thoshte C. S. Lewis ta bëjë njeriun të bjerë, të rrëzohet, të tundohet dhe të kthehet në një rrezik për shoqërinë apo edhe në një përbindësh duke ndërtuar një qeverisje që i zhyt në mjerim jetët njerëzore. Me anë të kufizimit të pushtetit, kontrollit të pushtetit, institucioneve që balancojnë njëra-tjetrën, demokracia është pak a shumë sistemi politik më i përshtatshëm për ta ndalur këtë prirje apo rrezik që njeriu shfaq. Duke qenë kështu, demokracia ka qenë një synim prej gati dy shekujsh dhe është sot forma e qeverisjes që mbron gati gjithë bota. Në këtë rrugëtim, në përpjekje për të sendërtuar këtë synim, bota, shoqëritë kanë rënë shpesh në tirani, në diktatura. Madje janë prodhuar edhe regjime apo forma totalitare qeverisjeje të cilat kanë shkaktuar krime të lemerishme, sidomos gjatë shekullit XX-të.

Me rënien e komunizmit dhe të shumicës dërrmuese të diktaturave komuniste në botë, në fund të viteve ‘80-të dhe në fillim të viteve ‘90-të bota hyri në një epokë të re, në epokën ku dukej se liria do të vinte duke u rritur, demokracia do të vinte duke u forcuar. Fransis Fukuyama, filozof dhe studiues i rëndësishëm politik amerikan, u bë famshëm në atë kohë për librin “Fundi I historisë dhe njeriu i fundit” në të cilin shprehu pikëpamjen se tashmë nuk do të ketë më histori sepse fitorja dhe konsolidimi i rendit të demokracisë liberale do të ishin të pashmangshme.

Në të vërtetë, sot, kur kanë kaluar mbi 30 vjet, bota nuk është më aq optimiste, demokracia nuk është aq e fortë dhe perspektiva nuk është aq e mirë apo e sigurt sesa në demokracitë e reja të viteve ’90-të. Sot ka një tërheqje në shkallë të gjerë të demokracisë në shumë vende të botës të cilat në fillim të viteve 1990 dolën nga regjime autokratike, diktatoriale, totalitare apo të formave të tjera të tiranisë.

Vetë Fransis Fukuyama ka kohë që i ka kushtuar një vëmendje shumë të madhe kësaj tërheqjeje, kësaj prapsje të demokracisë. Në shumë prej vendeve ku në vitet ‘90-të nisën proceset demokratike, mori jetë pluralizmi, u mbajtën zgjedhje shumëpartiake, sot kemi autokraci, kemi regjime hibride, kemi autoritarizma elektorale etj. Shumë autorë, politologë dhe sociologë të politikës kanë shkruar mbi këtë prapsje dhe mbi autokracinë që gradualisht po zënë vend në shumë vende.

Fukyama në librin “Kalbëzimi i rendit liberal”, Andreas Schedler në librin “Autoritatarizmat elektorale”, Ivan Krastev në librin “Demokracia e shkatërruar” , Timothy Schneider në librin “Mbi tiraninë, mësime nga shekulli i XX” etj. flasin për këto kthime pas, për rënien e demokracive, për kërcënimet ndaj demokracive.

Fukuyama, që ka bërë ravgimet më të gjera duke nisur që nga moment e para kur ranë regjimet diktatoriale dhe morën jetë sistemet pluraliste, thotë se problemi qëndron tek dikotomia fillestare mes shtetit të fortë dhe lirisë. Fukuyama thotë pak a shumë se në momentet e para të rënies së diktaturave në vendet e Europës Lindore, në vendet e Afrikës subsahariane, në vendet e Azisë apo të Amerikës së Jugut shteti i “fortë” diktatorial ra. Rënia e këtij shteti të “fortë” dhe ardhja e lirisë bëri që shumë shoqëri të nisnin jetën në rendin e ri ‘liberal’, në shtetin e dobët që mezi po ngrihej, të ecnin ngadalë përpara në ekonomitë e reja kapitaliste që po ngriheshin etj.

Në këtë moment, sipas Fukuyama-s, dy kategori njerëzish nisin të shfaqen dhe të kenë sukses në ekonomitë e këtyre vendeve. Një kategori merret me biznes, me shitblerje, me tregti, me ngritje punishtesh dhe më pas me aktivitete më të zgjeruara. Kategoria tjetër merret me veprimtari të paligjshme, si trafiku i drogave, trafiku i qenieve njerëzore, kërcënimi dhe shantazhi me vënie gjobash etj. Në kategorinë e parë një pjesë bën biznes të ndershëm, ndërsa kategoria e dytë bën biznes duke shkelur gati çdo ligj. Kjo ndodh sepse duke qenë se shtet i “fortë” ka rënë, për rrjedhim institucionet e reja shfaqen shumë të dobëta. Në momentet e para të rënies së diktaturave policia, gjykata, prokuroria dhe gati të gjitha institucionet e shtetit janë shumë të dobëta. Ato vuajnë dobësinë e përgjithshme që vjen pas rënies së një regjimi, vuajnë transformimin, vuajnë krizën ekonomike etj. dhe nuk kanë fuqi asfare të ruajnë rendin ligjor.

Kësisoj ajo pjesë e biznesit që thyen çdo ligj, bëhet më e pasur sesa pjesa tjetër e shoqërisë dhe e para nis të korruptojë lehtë në fillim policinë, pastaj shefin e zonës, pastaj shefin e komisariatit, inspektorin e tatimeve etj. Në këtë mënyrë biznesi që thyen ligjet arrin të mos ketë asnjë problem me policinë apo me agjencitë e tatimeve. Sa i takon kategorisë që merret me krim, me trafik droge, me gjobëvënie, me trafik qeniesh njerëzore apo me krime të tjera duhet thënë se ajo e korrupton edhe me lehtë policin, shefin e tij dhe çdokënd që vjen nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Fukuyama thotë se ky proces është diabolik dhe pervers në të njëjtën kohë. Teksa shoqëritë kanë parti, kanë sistem pluralist, zhvillojnë zgjedhje, demokracia has pengesa të mëdha, shteti ligjor nuk arrin të ngrihet. Partitë politike të cilat kërkojnë të fitojnë vota në zgjedhje kanë gjithnjë nevojë për njerëzit që merren me biznes apo për ata që merren me veprimtari kriminale. Në një mënyrë apo një tjetër edhe partitë politike, edhe sistemi qeverisës, edhe vetë politikanët e lartë nuk shfaqin vullnet për të luftuar paligjshmërinë në biznes apo krimin.

Gradualisht biznesi që pasurohet në thyerje të çdo ligji nis dhe bëhet klient dhe bashkëpunëtor i sistemit politik. Me kalimin e kohës ai vjen dhe bëhet më i fortë, më i pasur. Ai nis dhe merr të mira publike, merr tenderë, merr leje apo privilegje të tjera ekonomike nga qeveria. Kësisoj, duke u fuqizuar, ai nuk korrupton vetëm policin dhe shefin e policisë lokale, por edhe përfaqësuesin politik, deri edhe vendimmarrësit e mëdhenj në parlament dhe në qeveri.

E njëjta gjë edhe me kategorinë që merret me krim, me trafik, gjobëvënie etj. Kjo kategori nuk korrupton thjesht policin dhe shefin e tij lokal, por duke u fuqizuar shumë, duke u pasuruar shumë korrupton përfaqësuesin politik në parlament dhe qeveri. Gjyqtari dhe prokurori janë gjithashtu subjekte të korruptimit nga ana e biznesit dhe krimit.
Në këtë mënyrë demokracia jo vetëm që nuk mundi të ngrihet dhe të pulsojë fort, por i hapi rrugën qeverisjeve autokratike apo autoritare. Fukuyama thotë se edhe faktorë të tjerë, si trashëgimitë diktatoriale, elitat e vjetra politike, lidhjet e vjetra politike, kultura e trashëguar ka një rol të rëndësishëm në këtë prapsje të demokracive, por roli i njerëzve që pasurohen në mënyrë të paligjshme në korruptimin e sistemit shtetëror dhe nevoja e politikanëve që të mbështeten tek këta njerëz për shkak të nevojës për vota është vendimtar. Me kalimin e kohës prapsja e demokracisë arrin në një pikë shumë të rëndë. Njerëzit e krimit dhe ata të biznesit të fuqizuar së tepërmi, të pasuruar së tepërmi arrijnë bëhen pjesë e vendimmarrjes politike. Ata gati nuk ndahen më nga sistemi politik. Ka një mjegull të vërtetë si ku janë ata dhe ku është sistemi politik, se ku gjendet kufiri mes tyre.

Rasti i Shqipërisë përbën ndoshta një nga dëshmitë më të thekshme të këtij procesi, atë të prapsjes së demokracisë.

Që në momentet e para të rënies së regjimit komunist vendi u përfshi nga një humbje e plotë e rolit dhe e fuqisë së policisë, së gjykatave dhe të prokurorisë. Kjo ishte një gjë e pashmangshme dhe kështu do të duhej të ndodhte. Policia, prokuroria dhe gjykatat, dhe mjaft institucione të tjera kishin qenë mjete dhe vegla të diktuarës komuniste dhe i kishin shërbyer me përkushtim krimit politik të Partisë së Punës.

Kjo rënie gjithsesi bëri që trafiku i qenieve njerëzore të niste të merrte jetë. Kjo rënie bëri që krimi i llojeve të ndryshme, sidomos ai i lëndëve narkotike të niste të lulëzonte. Kjo rënie bëri që një pjesë e biznesit të lulëzonte duke mos respektuar asnjë ligj. Gradualisht këto dy kategori, duke përdorur dobësinë e madhe të policisë, prokurorisë dhe gjykatave, i korruptuan lehtë këto institucione. Edhe politika nisi të shohë nga këto kategori për mbështetje. Veç kësaj moralisht pjesa dërrmuese e klasës “se re” politike ishte shume e dobët. Ajo ishte formuar apo ndikuar nga komunizmi dhe lidhjet me sistemin e vjetër.

Ngjarjet e vitit 1997, rënia totale dhe shkatërrimi i shtetit bëri që krimi të bëhet edhe më i fortë dhe të ketë rol shumë më të madh në kontrollin apo korruptimin e institucioneve. Politika u bë shumë më e lidhur me njerëz që vinin nga bota e krimit. Nevoja që ajo kishte për fuqinë e krimit u rrit shumë.

Deri në vitin 1997 biznesi i paligjshëm dhe krimi ishin relativisht të dobët dhe ata nuk kishin arritur të korruptonin gjerësisht gjykata dhe prokurorinë. Deri në vitin 1997 pasuria e krimit dhe e biznesit ishte e vogël dhe fuqia e tij korruptuese nuk ishte shumë madhe. Deri në vitin 1997 nevoja e politikës, sidomos e partisë në pushtet, ishte e vogël për krimin dhe biznesin. Pas vitit 1997 krimi u bë më i fuqishëm dhe biznesi nisi të rritet shpejt.

Nevoja e politikës, sidomos e partisë socialiste, për biznesin dhe krimin që gjatë 1997-ës u bë e madhe. Pas vitit 1997 biznesi dhe krimi nisën jo vetëm të kontrollojnë apo korruptojnë lehtësisht policin, shefin e tij, prokurorin dhe gjyqtarin, por edhe të kenë lidhje dhe madje kontroll deri lart deri në njerëz të parlamentit dhe të qeverisë.

Ky proces diabolik dhe pervers erdhi duke u bërë gjithnjë e më intensiv. Partitë politike të të dy krahëve nisën të ishin më të hapura ndaj “bashkëpunimit” me biznesin e paligjshëm ose që vepronte në paligjshmëri dhe me krimin. Vendi nisi të hyjë në një fazë rritjeje ekonomike. Kjo rritje ekonomike, duke u shpërndarë keq, më shumë shkonte për kategori të ngushta të shoqërisë, si biznesi, krimi dhe politikanët e korruptuar. Tani biznesi dhe krimi hynë në një fazë të re dhe të fuqishme. Po ndërtoheshin fabrika, hotele, po merrte zhvillim industria e ndërtimit dhe ajo e turizmit. Sa më shumë fuqizohej biznesi i paligjshëm dhe krimi, aq më shumë ata bëhen pjesë e vendimmarrjes politike dhe aq më shumë ata kishin fuqi mbi institucionet e pavarura të zbatimit të ligjit, si policia, tatimet, prokuroria etj. Fuqia e tyre për korruptim dhe për shantazh është gjithnjë në rritje. Cilësia e demokracisë gjithnjë e më e dobët. Shqipëria gati i kaloi pikë për pikë të gjitha etapat e shkatërrimit apo e prapsjes së demokracisë.

Kur ky proces diabolik dhe pervers ecën vazhdimisht dhe mbërrin në një pikë kur sistemi politik merr krejt pamje tjetër dhe tashmë ai funksionon në një mënyrë krejt tjetër.
Douglas North, një studiues i njohur i ekonomisë, i sistemeve politike dhe shoqërisë thotë se ka sisteme që ai i quan “rend me akses të kufizuar” në të cilat kushdo që ka askes për dhunë, kushdo që ka potencial për dhunë, kushdo që mund të shantazhojë dhe të kërcënojë, kushdo që mund të blejë vota apo mund të shkaktojë forma të caktuara dhune, merr pjesë në vendimmarrjen politike. North thotë se secili prej këtyre aktorëve, në përputhje, në përpjesëtim të drejtë me fuqinë për dhunë apo me aksesin tek dhuna, merr renta dhe privilegje në ekonomi dhe në politikë nga sistemi qeverisës. Këta janë në një farë mënyre pjesë e sistemit qeverisës. Pra qeverisja, thotë North, kthehet në një mekanizëm të përbashkët mes politikanëve, biznesit dhe krimit. Ky sistem ka tipare të marrëdhënieve personale, nuk ka marrëdhënie jopersoanle, nuk ka institucione që vendosin, por vendosin individët, nuk ka ligj që vendos, por vendosin njerëzit e pushtetit që janë politikanët, biznesmenët dhe ata të botës së krimit. Në këtë rast jemi në një autokraci apo autoritarizëm apo në një formë të ngjashme antidemokratike. Shqipëria ndodhet krejtësisht në këtë gjendje. Ajo drejtohet nga ky mekanizëm pervers pushteti. Në kushte tilla, thotë Christopher Clapham, vendi jeton në një formë qeverisjeje që mund të quhet neopatrimonializëm. Në këtë rend kushdo, që nga mësuesi, mjeku, bujku, punëtori, studenti, polici por edhe shefat e policisë apo shefa të tjerë pushteti etj., janë pjesë e një marrëdhënieje padron-klient sepse ata që të gjithë varen për bukën e ditës apo për mbijetesën e tyre nga vendimi i një padroni në sistem. Shkurt sistemi ka ndërtuar një marrëdhënie padron-klient nga maja deri në fshatin më të largët dhe nëpërmjet kësaj marrëdhënieje kontrollohet gjithë jeta e vendit e vendit (sigurisht edhe institucionet, edhe zgjedhjet etj.).

Në kushte të tilla dy janë gjërat që mund ta rikthejnë situatën. Njëra është fuqia e opozitës, sakrifica e saj duke u bërë përfaqësuese e vlerave më të mira të njerëzve duke lëshuar pushtet dhe duke u larguar nga elita e vjetër në mënyrë që të prodhohet një masë kritike njerëzisht që e tronditin sistemin politik dhe lufta e vetë sistemit nga brenda, përpjekjet e vetë sistemit për ndryshim siç është rasti i reformës në drejtësi, reformë e imponuar e cila mund të luftojë nga brenda vetë sistemin. Rrugë tjetër nuk ka.

Shqetësimet madhore te cilat mund t’i kurojë demokracia tek ne kanë dështuar keqas. Përkulja njerëzore nga tundimi dhe mëkati, apo dobësia njerëzore nuk u vunë përballë pushtetit të kufizuar dhe të kontrolluar. Përkundrazi dobësia njerëzore, njeriut qe bie, njeriut qe është pre e epsheve dhe e orekseve politike iu la hapësirë, iu dha pushtet i pakufizuar. Pa u nisur nga këto premisa nuk mund te kemi kurrë demokraci.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit