6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Prapa dorëheqjes së kryeministrit Davutoglu

Më të lexuarat

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka paralajmëruar se nuk do të garojë sërish për drejtimin e partisë udhëheqëse AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) në Kongresin e jashtëzakonshëm të partisë.

“Në jetën time akademike dhe politike, asnjëherë nuk kam kërkuar të marr një post të lartë dhe asnjëherë nuk do ta bëj”, ka thënë ai, duke vlerësuar se është më me rëndësi të mbahen lidhjet me “miq dhe vëllezër” sesa të rrezikohen këto marrëdhënie duke qëndruar në postin e tij.

Në një fjalim të mbajtur pas takimit me presidentin Recep Tayyip Erdogan, Davutoglu ka thënë se nuk do të “thotë as edhe një fjalë” kundër “vëllait dhe mikut” Erdogan, të cilit i është referuar me “presidenti ynë i respektuar”. Pavarësisht kësaj, ai ka shtuar se vendimi i tij për të mos garuar për rizgjedhje “nuk ishte zgjedhja e tij, por domosdoshmëri”.

Davutoglu më herët ka kritikuar disa nga vendimet e Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit, të cilën e udhëheq vetë, se nuk ishin të bashkërenduara me të.

Por, arsyet prapa dorëheqjes së planifikuar të Davutoglut janë më të thella.

Davutoglu u bë kryeministër kur ish-kryeministri, Erdogan, vendosi të garojë për president në gusht të vitit 2014. Erdogan fitoi zgjedhjet, por presidenca që ai e trashëgoi, nuk është ende një institucion për të cilin ai ka lobuar për shumë vjet.

Erdogan asnjëherë nuk i ka fshehur planet e tij për të ndryshuar Kushtetutën e Turqisë, që parasheh një president me post të dobët dhe një kryeministër të zgjedhur nga parlamenti, bazuar në matematikat zgjedhore.

Erdogan dëshiron “sistem presidencial”, të kontrolluar nga një njeri, nga presidenti, në vend të një “sistemi parlamentar” ku presidenti është një figurë simbolike që ndan medalje.

Kjo, megjithatë, kërkon ndryshime kushtetuese që mund të bëhen vetëm përmes një referendumi dhe me miratimin e dy të tretave të elektoratit.

Para dy vjetësh, “votat pro të tij” ishin të fuqishme për t’i dhënë një tjetër shumicë parlamentare pas 12 vjet fitoresh të vazhdueshme, por vota të pamjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën.

Opinioni, në mënyrë të vazhdueshme, ka kundërshtuar një lloj presidence çfarë e parasheh Erdogan, që nuk është një formë e qeverisjes franceze ose amerikane me legjislatura dhe sistem të fortë e të pavarur të drejtësisë, por një sistem i një njeriu, ku ai, si president, do të vendosë për çdo lloj ligji, do të sjellë vendime për emërime personale, banka, politikë të jashtme, gjykata dhe do të ketë fjalën e tij edhe për titujt kryesorë të gazetave.

Që kur AKP, para disa ditësh, vendosi që të mbajë një kongres të jashtëzakonshëm më 22 maj, të gjitha lajmet për kryeministrin u zhdukën nga ballinat e të gjitha gazetave.

Levent Gultekin, një insajder në komunitetin mediatik të Turqisë, thotë se e di që menaxhmenti i së përditshmes “shumë besnike” Sabah, së voni, është thirrur në mesnatë dhe i është kërkuar të heqë lajmin për Davutoglun. Ishte censurë e madhe për gazetën, thotë Gultekin, duke shtuar se “të gjithë e dimë se çfarë lloj pasojash mund të kishte për afarizmin e gazetës”.

Erdogan po e përgatit prej kohësh versionin e tij të sistemit presidencial. Megjithëse i pambështetur nga kushtetuta e sotme, ai ka provuar të intervenojë në çdo aspekt të jetës politike, ekonomike, sociale dhe mediatike të vendit.

Marrë parasysh reputacionin në rritje të Davutoglut jashtë Turqisë, famën e tij në skenën politike të vendit dhe njëkohësisht edhe “përpjekjet jo të vogla” për të emëruar njerëz nga rrethi i tij edhe në nivelet e mesme, por edhe të larta, mund t’iu ketë dukur “mikut dhe vëllait” Erdogan se kryeministri po fillonte të dilte si një sfidues i tij personal, duke u bërë, siç thotë Gultekin, “alternativë e dytë”, dhe të kërcënonte referendumin kushtetues, të paraparë për vjeshtën e vitit 2016.

Ndërkohë, Erdogan dhe njerëzit përreth tij po bëjnë çdo gjë për ta arritur “votën pro” në referendumin e ardhshëm.

Kjo përfshin edhe promovimin e pikëpamjes se heqja e nocioneve nacionaliste turke dhe koncepteve nga kushtetuta aktuale nuk është e mundshme pa një “lider të fuqishëm” dhe pa ndryshimet e Anayasas, ose “Ligjit Mëmë”, siç njihet Kushtetuta në Turqi. Kjo nismë ka mobilizuar nacionalistët, liberalët dhe grupet pro-kurde.

Për çudi, një nga dy partitë pakicë në parlament, Partia nacionaliste e Lëvizjes Kombëtare (MHP), ka filluar papritmas të ndahet në fraksione.

Dhe, papritmas, po dëgjohen zëra që thonë se çështja kurde në Turqi do të jetë e pamundur që të zgjidhet nëse nuk formalizohet dhe nuk bëhet ligjor “super autoriteti” i Erdoganit.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit