3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Porosi nxënësve të dijes

Më të lexuarat

Këshillë nxënësve të dijes

Allahun e falënderojmë, paqja dhe bekimi qofshin mbi Muhamedin dhe familjen e tij.

Këtë këshillë ia drejtoj njeriut që i ka përsosë shumë çështje të fesë, i ka mësuar mirë argumentet e fesë, qëndron afër dijetarëve dhe hoxhallarëve, ka dalluar nga moshatarët e tij dhe vlera e tij është bërë e qartë për të gjithë, i cili është në prag të pjekjes dhe vjeljes së fryteve të diturisë.

Ty po ti drejtoj këshillat dhe porositë nga zemra dhe shpresoj se do të gjej zemër të pastër dhe vesh të hapur që të përfitosh nga këto këshilla:

1- Fillimisht të them: mashaAllah tebarekAllah për të mirat që ti ka dhënë Allahu, andaj falëndero Allahun për këto dhunti dhe mos i përbuz ato dhe e lus Allahun që ato dituri që i ke thithur ti bëjë ndihmëtar tëndin në të mirë dhe në përhapjen e diturisë dhe hapjen e syve të umetit.

2- Kujdesu për sinqeritetin dhe mundohu vazhdimisht në realizimin e dhënies së këshillës.

3- Para syve ta kesh çdo herë Xhenetin dhe fitimin e Kënaqësisë së Allahut e asgjë tjetër.

4- Le të jetë qëllimi yt nga fitimi i diturisë largimi i injorancës nga vetja dhe nga Ymeti dhe të mos jetë qëllimi yt ngadhënjimi i medhhebit, rrugës ose shejhut e të bëhesh fanatik për ta edhe po që se në atë anë është e kota, sepse kjo ta asgjëson mundin dhe kjo dituri bëhet ndëshkim për ty.

5- Kurrë mos shiko famën e pozitën dhe mos u mashtro nga publiciteti, sepse sa e sa dijetarë e adhurues i kanë shkatërruar këto gjëra.

6- Mos i jep rëndësi as atij që të lavdëron e as atij që të qorton, por ji asket i vërtetë në këtë drejtim.

7- Sillu me Allahun me vërtetësi, vendosmëri dhe ambicie të lartë dhe pastaj prite çdo të mirë, sepse vërtetësia i jep bereqet diturisë dhe e forcon atë.

8- Pajisu me dukjen e dijetarëve, siç është dinjiteti, përulja dhe devotshmëria, gjëra që të dallojnë prej tjerëve dhe stolisu me vlera dhe sjellje morale të mira.

9- Ruaju shumë nga vetëpëlqimi (vetëmashtrimi) dhe fuqia e paraqitjes së argumenteve që posedon, sepse kjo gjë mundet të bëhet shkak të nënçmosh ata që ta kanë parakaluar në dituri. Sa e sa djem të ri janë shkatërruar, kanë dështuar dhe u ka ikur bereqeti i diturisë së tyre kur në zemrën e tyre zuri vend një gjë e tillë. Vazhdimisht duhet të kujtosh vlerën dhe të mirat që i ke prej tyre në qafën tënde dhe kur nuk duhet tua harrosh e as mohosh këto të mira.

10- Vazhdimisht përsëriti mësimet, analizoji meseletë, pyeti dijetarët, sepse dituria është përsëritje dhe nuk mbetet tek ti nëse nuk i përsëritë. Gjatë përsëritjeve mund të dëgjosh ndonjë detal ose dobi të cilën nuk e ke dëgjuar më herët. Në këtë drejtim më së shumti e ndihmon njeriun ambicia e lartë.

11- Insisto me aq sa mundesh të veprosh me atë që di dhe ti përputhësh veprat me fjalët e tuaja. Nëse shfaq ndonjë mangësi atëherë nxito në pendim, mos publiko mëkatin, qajë për gabimin tënd, vazhdo me farzet dhe nafilet dhe ndiqe sheriatin si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në aspektin e jashtëm.

12- Ndiq rrugën e dijetarëve në meseletë e diturisë dhe fetvasë, mos hulumto meselet e rralla dhe të çuditshme e të fillosh të japësh fetva të panjohura që të bëhesh i njohur në mesin e njerëzve, e të hapësh tema të panjohura deri më atë ditë. Ai që sprovohet me një gjë të tillë e humbë edukatën, i prishet feja, e braktisin njerëzit dhe nuk ndihen të qetë në mendimin e tij.

13- Mos u dil në ballë meseleve të mëdha dhe lërja imamëve të kohës këto mesele, sepse kështu mbrohesh nga përgjegjësia dhe e mban fenë të shëndoshë. Mos nxito të futesh në sprova (fitneh), mbroju sa të mundesh dhe largohu prej tyre deri sa të forcohesh në dituri dhe të jesh imam në te, të kenë nevojë njerëzit për mendimin tënd dhe të pyesin ty. Nëse e arrin këtë gradë atëherë kërko ndihmë prej Allahut, hulumto mendimin e saktë dhe fol sipas mendimit tënd dhe mos u bë frikacak.

14- Dije se thelbi i urtësisë dhe mendimit të saktë nuk qëndron në sqarimin e imtësuar të meseleve dhe fjalimin e gjatë, siç ndodh sot, por qëndron në nijetin e vërtetë, hulumtimin e të vërtetës, suksesin që ta jep Allahu dhe analizimin e argumentit fetar dhe mendimit të imamëve, edhe nëse këto i thua në pak fjalë. Mos u mashtro me sasinë e fjalëve por zgjedhe ajkën dhe kuptimin e thellë. Allahu na dhuroftë mendim të saktë dhe të qëlluar!

15- Largohu nga debati steril në debatet akademike dhe mos u fut në reagime dhe debate, sepse kjo të angazhon nga mësimi i diturive fetare dhe ta dëmton zemrën. Secili që është sprovuar me guxim për debate i është hapur një derë e madhe e të keqes dhe i kanë ikur shumë të mira.

16- Ruaje gjuhën dhe mos u fut në nderin dhe figurën e myslimanëve edhe nëse janë prej atyre që të kundërshtojnë. Mos akuzo përgjegjësit dhe dijetarët sepse ai që nënçmon të mëdhenjtë i ekspozohet nënçmimit dhe largimit të fesë.

17- Konsultohu me atë që i beson dhe ka urtësi e përvojë në çdo hap që e ndërmerr.

18- Mos nxito dhe ngadalësoju në marrjen e çdo vendimi jetësor në sferën e diturisë dhe thirrjes islame. Mos nxito dhe mos insisto në mendimin tënd, sepse ai që insiston në mendimin e vet dhe nuk konsulton ata që e meritojnë konsultimin bie në fatkeqësi dhe gjëra të çuditshme.

19- Përgatitu për sprovat që do ti përjetosh në këtë rrugë. Të vijnë dëmtime dhe të këqija nga armiku yt, i cili mund të jetë moshatar i yti (konkurrent) ose injorantë. Nëse sprovohesh me një veprim të tillë atëherë duro, mos u anko para njerëzve dhe mos lejo që të bëhet shkak kjo situatë që ti të dembelosesh dhe të braktisësh diturinë dhe thirrjen islame, sepse ai që e flijon veten për njerëzit dhe lufton për hir të Allahut me diturinë dhe lapsin e tij patjetër se do të sprovohet dhe pastrohet.

20- Dije se Allahu të ka zgjedhur, të ka dalluar dhe të ka bërë nga trashëgimtarët e trashëgimisë së Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Ke bartë një amanet të cilin shumë burra nuk kanë mund ta bartin, andaj kujdesu për te, mos e humb, stolisu me moralin e diturisë, shpërndaje diturinë dhe mos u bë koprrac, mos syno me këtë veprim interesin e dynjasë dhe mos e humb veten duke e braktisur diturinë e ti jepesh rehatisë dhe kënaqësisë së dynjasë.

21- Kapu për Sunetin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, kujdesu për të ndjekur rrugën e selefus-salih, të parëve tanë të devotshëm në të gjitha gjërat, të mëdhatë dhe të imtat, kujdesu për metodën e marrë nga dy shpalljet (Kurani Fisnik dhe Suneti i nderuar i Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem), fol me ligjërimin fetar, mos u fut në mendimet dhe idetë njerëzore, mos u mashtro me qëndrimet e njerëzve bashkëkohorë, mos lejo të magjepsesh me gjuhën e perëndimit, sepse ai që futet në këtë derë i përzihen meseletë, largohet nga ligjërimi fetar dhe e gabon rrugën.

Shumë jam i gëzuar dhe ta kam lakmi ty, o nxënës i dijes që je i dalluar dhe i suksesshëm, andaj kërko ndihmë te Allahu dhe mos u bë dembel, mos lejo të kaplon plogështia sepse rruga është e gjatë, pengesat e shumta kurse përfundimi i kësaj rruge është në Xhennet.

Allahun e lus që ti shpalos ty dituritë e thella dhe sekretet e sheriatit!

Allahun e lus që të ruan nga çdo e keqe!

Allahun e lus që të ruan nga e keqja e çdo armiku dhe ziliqari!

Allahun e lus që të përforcojë në të vërtetë dhe rrugën e dijetarëve rabanijun!

Allahun e lus që të bëjë të udhëzuar dhe udhëzues, të bereqetshëm ku do që je, ndihmëtar i Sunnetit dhe kundërshtar i bidatit dhe mbrojtës i kufijve të Islamit dhe muslimanëve!

Halid ibën Suud el-Bulejhid

15-9-1432

Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit