5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Porno mendësi, porno shoqëri, porno pushtet, porno shtet

Më të lexuarat

Agron Shala

 

Darvinizmi, revolucioni seksual, shqiptarët, pro(in)stitucioni, “demokracia” dhe kryengritja… Gjashtë “tregime të egra” për pushtetet e këqija që e përdorin “emancipimin” dhe seksin për sundim, për komunizmin që seksin, rakinë e duhanin ia ofronte popullit me bollëk si “terapi” për stres, për “demokracinë” ku seksi “privatizohet” nga pushteti e popullit i mbetet veç rakia me etanol, dhe për prostitutat e zhigolot që sot quhen edhe VIP…!

 

1. TREGIMET E EGRA DHE DARVINIZMI SOCIAL

“Nuk e di ti se me kë ke punë. Do të ta marr çdo qindarkë që ke; do të jetë e imja çdo pronë që babai yt – për të shmangur taksat – e ka vënë në emrin tënd. Jemi të martuar. Ligjërisht të martuar. Do ta kaloj çdo ditë duke fjetur me secilin burrë që shikon në drejtimin tim; me secilin që ma jep një grimë dashurie. E, atëherë kur ti do të kërkosh shkurorëzim, do të marr mësime aktrimi që të rri para gjykatësit si qenushe e t’i them se sa po luftoj që t’ia dalim mbanë që kjo martesë të zgjasë përgjithmonë. Do të postoj sekretet e tua në Facebook. Kam me të torturue derisa të bërtasësh nga dhimbja. Do të turpërohesh aq shumë sa që zgjidhja jote e vetme do të jetë të kërcesh nga ura. E pastaj, kur vdekja na ndan, kur vdekja jote na ndan, unë do t’i kem të gjithat!”

Këto fjalë i thotë nusja Romina, në dasmën e saj, teksa zihet në flagrancë intime me një kuzhinier të cilin sapo e takoi. Kjo ishte hakmarrja e saj ndaj burrit i cili në dasmë – bashkë me kolegët e punës – kishte ftuar edhe njërën me të cilën ai kishte një aferë. Kjo ishte hakmarrja e gruas në Argjentinë, në shtetin që ka ndër indekset më të larta të krimit në botë. Në këtë shtet t’i shkatërrojnë ëndrrat që në fëmijëri; aty krimineli ta merr shtëpinë, e detyron kryefamiljarin të bëjë vetëvrasje e pastaj ta çnderon gruan dhe kandidon për post të kryetarit të komunës; aty budallai ta pret rrugën “për qejf”; aty kompanitë e shtetit të gjobisin kot e i drejti dhe i ndershmi e pëson duke iu shkatërruar edhe familja e edhe burrëria; aty ku djali i pasanikut vret, por babai e shtyn argatin të thotë se ai e bëri krimin; aty ku dasma është farsë, sepse e tillë është jeta në një shtet abnormal.

Këtë realitet – përmes gjashtë rrëfimeve – e pasqyron regjisori argjentinas Damian Szifron, në filmin e tij “Wild Tales” (Tregimet e egra, 2014). Këto tema janë universale, sepse pasqyrojnë darvinizmin social të shoqërive me korrupsion, me pabarazi e shkelje të të drejtave të njeriut ku shkatërrohet (nënshtrohet) i dobëti dhe mbijeton (sundon) i forti – i poshtri.

2. REVOLUCIONI SEKSUAL, SEKSI DHE RAKIA

Në vitet ’60 të shekullit të kaluar, në Perëndim nis lëvizja shoqërore që më vonë do të quhet Revolucioni Seksual. Dikush e quante edhe çlirim seksual, sepse thyheshin tabutë për seksin paramartesor, seksin mes gjinisë së njëjtë e sidomos për pikëpamjet ndaj gruas dhe lirisë së saj seksuale. Kjo tendencë u shpreh më së shumti në Kundërkulturën angleze dhe amerikane (subkulturën që shpërfaqte lëvizja hipi).

 

Në fakt, ky revolucion seksual ka nisur shumë më herët në Lindjen komuniste, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë Perëndimi ishte shumë më konservator dhe më i bindur ndaj vlerave të krishterimit. Seksi paramartesor nuk lejohej haptas, ndërsa gruaja dhe burri silleshin sipas kodeve morale të etabluara qoftë nga kisha apo nga aristokracia (shteti).

Komunizmi pra ishte sistemi që mëtonte barazitë sociale dhe në këtë tendencë e ngriti pozitën e gruas në shoqëri. Gruaja komuniste nisi të shkollohej e edhe të zinte poste me rëndësi. Për herë të parë ajo u bë pjesë e vendimmarrjes.

Ky revolucion seksual komunist i shërbente pushtetit edhe për diçka më me “rëndësi”: për të sunduar më lehtë. Sepse, përherë kishte “Romina” që për inate të vogla do ta raportonin “burrin krenar e konservator” tek shërbimet e sigurisë. Kështu, tradhtia bashkëshortore nisi të bëhej përditshmëri. Shteti dinte gjithçka, por kurvëria në komunizëm nuk ishte tradhti. Tradhti nuk ishte as të deheshe! Populli mund të vuante për shumë gjëra, por seks e raki kishte për të gjithë! Edhe duhan, me çmim të lirë, që njerëzit të mos kenë kohë të merren me punët e pushtetit po të shëndetit – për të cilin shteti të “ngushëllonte” kur të ofronte trajtim falas!

Në garën për supremaci botërore, Perëndimi adaptoi këto parime të Lindjes. Por, pasojat e kësaj po shihen sot më shumë se kurrë…!

3. KOMUNIZMI, SEKSI DHE SHQIPTARËT

Nëse rruga dikur ishte e shtruar me asfalt deri te ndonjë fshat i thellë në Kosovë, dyshimi ishte se ndonjë funksionar politik komunist aty e ka ndonjë dashnore. Por, dashnorja nuk binte ndesh me parimet e partisë. Asfalti i shërbente të gjithëve dhe kontributi i individit duhej të ishte për të mirën e përgjithshme. Pastaj, dashnores nuk i jepej privilegji, si sot, për të pasë ndikim në pushtet. Për dallim nga sot, shqiptari dikur vriste për grua e jo për dashnore!

Revolucioni seksual te shqiptarët e Kosovës, si shoqëri më konservatore, ka ardhur me hapa më të ngadaltë. Këtë revolucion e “shijuan” pak funksionarë. Të tjerët e “shijuan” kur shkonin si “donzhuanë të pasur jugosllavë” në Lindje për të blerë gjëra të lira. E, shumica jetën e niste dhe mbaronte me një grua. E njëjta vlente për gruan me një burrë. Dikush edhe martohej me sllave e dikush edhe e quante veten “jugosllav”, por nga shumica – qytetare e sidomos fshatare – refuzohej me ngulm çfarëdo përzierje me konceptet shoqërore që vinin nga joshqiptarët. Atëherë edhe raki kishte pak në Kosovë!

Në anën tjetër, Shqipëria kishte “ecur para” – me Hapin e Madh Para, siç do të thoshte “miku” Mao gjatë Revolucionit Kulturor Kinez. Dikur në Shqipëri buka ka mundur të jetë dhënë me racion, por seksi jo. As rakia e duhani. Këtë në Shqipëri nuk hezitojnë ta pranojnë më të moshuarit, burra e gra, që jetuan në kohën e Enver Hoxhës. Madje edhe “demokratët” e mëvonshëm, “antikomunistët” që ankohen me të drejtë për të kaluarën, për sistemin shtypës, por që u shkon buza në gaz kur kujtojnë “ilaçet” e kohës për frustrime e stres. Shumë të tjerë nuk duan ta kujtojnë atë kohë, sepse për tradhti edhe e kishin pësuar!

Pra, revolucioni seksual komunist ishte një paradoks më vete. Si në Spartën e lashtë, ku hajnia ishte legale, por nëse ziheshe duke vjedhur dënoheshe me vdekje – jo për vjedhje, por meqë je zënë e je dëshmuar i paaftë për një sistem me rend ushtarak!

Ky paradoks me shumë të këqija vazhdon edhe sot…!

4. “DEMOKRACIA” DHE “VENDI I PARË NË TOP-LISTËN E PROSTITUCIONIT”

Në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, bie komunizmi në Shqipëri. Ky shtet i varfër – si Koreja e Veriut sot, i njohur më së shumti për izolim – nisi hapjen më të ashpër. Njerëzit ikin nga vendi. Shkurorëzimet shtohen, sepse më nuk durohej edhe kërcënimi i stilit “Romina”. Shqiptarët nisën të njihen në Evropë për prostitucion. Ata e çrregullojnë edhe këtë treg e madje u bënë të parët në “top-listën” e zanatit më të vjetër në botë.

Në Kosovë nis pushtimi klasik. Edhe nga ky vend njerëzit ikin. Burra e gra, beqarë e familjarë. Ata tash ekspozohen më shumë ndaj revolucionit seksual. Këtu e jashtë. “Maksima” e dikurshme se duhet të martohesh pasi mbaron fakultetin, më nuk kishte vlerë. Sepse, vlerë nuk kishte as fakulteti.

Varfëria kishte pllakosur shqiptarët e me të edhe degradimi i vlerave morale tek të cilat kanë besuar. Përmes seksit, duhanit e rakisë nuk sundonte më shteti, por krimi!

5. “BARAZIA GJINORE”, “PRIVATIZIMI” I SEKSIT E RAKISË DHE NEVOJA PËR LEGALIZIM TË PRO(IN)STITUCIONIT

Emancipimi i shoqërisë moti ka nisur në Kosovë. Edhe revolucioni seksual. Kështu, në vitin e largët 1971, intelektualët dhe elita politike shqiptare e Kosovës e shihnin mundësinë e futjes së Edukatës Seksuale në sistemin arsimor. Ndërkaq, emancipimi i gruas perceptohej shumë më mirë se sot. Sepse, para 50 vjetësh në një artikull thuhej: “Pavarësia ekonomike e femrës, kusht për barazi të plotë” (sic.).

Por, pas çlirimit të Kosovës, nis servilizimi ndaj të huajve. E njëjta vlen edhe për Shqipërinë. Vendi mbushet me organizatat joqeveritare, shumë prej të cilave merren me gjëra triviale. “Barazia gjinore” është një nga temat kryesore qe 18 vjet; me llafe të njëjta qe 18 vjet! Familja vazhdon të shkatërrohet nga dhuna, sepse jo veç kriza ekonomike po edhe keqpërdorimi i lirisë sjell probleme!

Të drejtat e barabarta po bëhen koncept i keqkuptuar, meqë po i vë në të njëjtin nivel ekstremet – të ndershmin e të pandershmin, injorantin dhe të dijshmin, të pafajshmin e keqbërësin! Dhe, ky keqkuptim i të drejtave sërish është në shërbim të pushtetit të keq. “Ti i di të drejtat e tua”! Kaq. Dhe, përfundon në Polici e në Prokurori!

Pushteti shantazhon me seks; pushteti e ka “privatizuar” edhe seksin; pushteti i bën dashnoret me pushtet! Dhe, pushteti vret për to! Diçka që dikur kishte emërtim tjetër, sot kur ke para, punë, shtëpi, rroba e vetura të shtrenjta e ka emrin VIP. Me këto e blen edhe diplomën. Edhe postin. Nëse do edhe burrin! Edhe gruan! Të gjitha këto – edhe shitjen e pronës shtetërore, të mendjes e të nderit, edhe prostituimin e votës e të mandatit, nga të dy gjinitë… i paguan shumica që i ka mbetur veç rakia e keqe me etanol! Duhani shpesh po shtrenjtohet, e shumica e paguan shtrenjtë edhe shëndetin e tij!

Ku është pra shoqëria shqiptare sot? Ku është morali mitik i gruas shqiptare? I gruas së Kostandinit të Vogëlth e gruas së Ymer Agë Ulqinit që pritën burrat për nëntë vjet e nëntë ditë? Gruas së Hysen Kraposhnikut, që e deshi të sëmurë, të dergjur për vdekje, sepse i kishte thënë se e tija do të jetë? Ku mbeti gruaja, term me të cilin feministet duan ta quajnë veten e jo “femër”?

Siç thotë studiuesi shqiptar Klementin Mile, argumenti i feministeve është se “të jesh grua do të thotë të luash një rol në shoqëri, si nënë, e punësuar, politikane etj.”! Pra, gruaja është subjekt. Megjithatë, feministet dëshirojnë të jenë edhe femra, pra objekt. Në këtë kaos të perceptimit të vlerave, Mile është shprehur se mes shqiptarëve duhet të legalizohet prostitucioni, sepse kjo ndikon në ngritjen e moralit. “Në Shqipëri modën e vendosin prostitutat, sigurisht, ato të klasit të lartë – ato që punojnë natën si eskortë VIP, ndërsa ditën si këngëtare, aktore, prezantuese etj… Për aq kohë sa prostitutat VIP nuk do të cilësohen si të tilla, si prostituta, por do të vazhdojnë të nderohen në televizione, gazeta e revista, ky model do të vazhdojë të kultivohet”.

Porno mendësi, porno gazetari, porno shoqëri, porno pushtet, porno shtet…

6. KRYENGRITJA DHE SHUPLAKA

Pasojat e revolucionit seksual që nisi në Bashkimin Sovjetik, vërehen sot më shumë se kurrë. Shkurorëzimet janë në rritje; dhuna në familje që përfundon edhe me vrasje është në rritje. Fëmijët po rriten me trauma dhe këto trauma do t’i ndjekin ata gjatë tërë jetës. Ato i dëgjon dhe i lexon qytetari çdo ditë, në media, në kronikat e zeza që janë bërë ndër lajmet më të lexueshme. Sa më makabër krimi, aq më “interesant” për lexuesin. Si VIP-at!

Regjisori Damian Szifron thotë se gjashtë tregimet e tij “të egra” ua dedikon të shtypurve që në një çast “shpërthejnë”! Ky shpërthim ka nisur në Rusi, ku çdo 40 minuta raportohet për dhunën në familje që shpesh përfundon me vrasje (14 mijë vrasje të grave në vit). Si preventivë, përkundër kritikave të mëdha, lideri rus Vladimir Putin zgjidhjen e sheh tek “legalizimi i shuplakës” dhe tek zbutja e formave të tjera të dhunës. Përderisa më herët dënimet për rrahje ishin deri në dy vjet, sot për rrahjet – ato që nuk rezultojnë me eshtra të thyera – dënimet shkojnë deri në 15 ditë burg. Putini ka thënë se kështu dëshiron të forcojë vlerat familjare. Kështu mendon edhe Kisha, një tjetër shtyllë e fortë e Rusisë.

Revolucionit seksual komunist pra po i vjen fundi aty ku ka nisur: në Lindje! Por, pasojat e tij njerëzimi do t’i vuajë ende. Edhe me “legalizim” të shuplakës që nisi në Rusi e që do të mund të vazhdojë nesër në Perëndim ku çdo ditë po shtohet forca e konservatorëve. Sepse, shuplaka kurrë zgjidhje nuk ka qenë!

Prandaj, barazia duhet të konceptohet ndryshe nga konferenca e deklaratat e disa OJQ-ve. Rikthimi në vlerat familjare të së kaluarës nuk është primitivizëm. Shqiptarët kanë nevojë për revolucion të mendësisë. Veç kështu krijohet një shoqëri ku pushteti nuk e ka seksin mjet nënshtrimi, e ku prostituta e zhigolo nuk quhen VIP-a.

Deri atëherë, “Romina” do të thotë: “Xhiroje edhe këtë për mua, Nestor”!

Por-no!?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit