ARMAND BORA
I gjithë procesi, dhe për më shumë rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë, çliruan, në të dyja anët e kufirit, një ndjenjë entuziazmi që deri tani është përjetuar si emocion gëzimi dhe krenarie vetëm në rastet e fitoreve apo të prezantimeve dinjitoze të ekipeve të sportit shqiptar. Një bashkim emocional dhe përjetim në masë të gjerë ndodh të krijohet shpesh nga arti apo sporti, por e ardhur prej politikës është diçka që po ndodh rrallë e më rrallë. Vetë mënyra sesi forcat politike e pranuan me qetësi dhe normalitet rezultatin zgjedhor, ende pa mbaruar plotësisht numërimi i votave të fundit, ishte tregues i një dakordësie të gjerë dhe pranim të nevojës për ndryshim. Duhet të kesh një guxim të çartur apo një hall të madh që të dalësh dhe të pozicionohesh përballë kësaj dakordësie kombëtare duke u përpjekur ta trajtosh si diçka të gabuar apo të kërkosh problemet dhe rreziqet në atë që sapo ka ndodhur në Kosovë. Prej momentit të nisjes së bisedimeve për krijimin e koalicionit të ri kanë nisur të dalin, hap pas hapi, kundërshtarët e këtij ndryshimi. Të veshur me kostumin e analistit zëdhënës të grupimeve me interesa të prishura prej këtij ndryshimi po përpiqen të sjellin në debatin publik frikën ndaj ideologjisë së ekstremit të majtë apo të dallimeve programore midis Vetëvendosjes dhe LDK. Etiketimet e hapura si marksist, etatist, me program dhe vizion të mbështetur mbi teza puniste janë përpjekje e pastër për të ndërtuar portretin e Albin Kurtit si një politikan anarkist, të dhunshëm dhe të paaftë për të ndërtuar urat e komunikimit me faktorin brenda dhe jashtë Kosovës. Dhe të gjitha këto, të shitura si debate brenda kornizave të një shqetësimi ideologjik.
A e ka Kosova, por jo vetëm ajo, kohën e duhur dhe nevojën për të mbajtur dhe zhvilluar një debat të tillë?
Në Shqipëri, sa herë është hapur një diskutim i tillë, ka përfunduar si diskutim shterpë dhe nuk ka mundur ta ndajë ideologjikisht spektrin politik. Dështimi i debatit ideologjik nuk është një fenomen i vonë. Prej kohësh janë dalluar shenjat dhe janë bërë paralajmërimet për fundin e ndarjeve ideologjike në politikë. Po bëhen gati 60 vjet nga koha kur profesori i Universitetit të Harvardit, Daniel Bell, sociolog dhe kontribuues i rëndësishëm i debatit publik në Amerikë, botoi një libër me titullin e guximshëm, “Fundi i Ideologjisë”. Bell po ndiente shterimin e ideve politike në shoqërinë e kohës dhe shpalli në librin e tij, se ideologjitë e mëdha, ato që kishin mbizotëruar jetën politike, sociale dhe ekonomike, si ideologjia marksiste, liberale dhe ajo konservatore, e kishin humbur fuqinë e tyre për të kapur mendjet e njerëzve dhe për të nxitur emocionet e tyre. I vetëshpallur si “socialist në ekonomi, liberal në politikë, konservator në kulturë”, ai besonte se e ardhmja do varej më shumë nga teknokratët dhe gjithnjë e më pak nga ideologët.
Koha me zhvillimet e saj ekonomike, politike dhe sociale na dëshmon, më së miri, se sa të vërteta ishin parashikimet e Daniel Bell. Jo rrallëherë interesa dhe synime të pastra ekonomike, duke u veshur dhe marketuar me teza ideologjike, kanë nxitur dhe shpërthyer luftëra. Në emër të shoqërisë liberale dhe individit të çliruar, është goditur, tronditur dhe prishur struktura sociale dhe kulturore e shoqërisë. Përpjekjet për të krijuar ‘rrugë të treta’ apo teori alternative tregojnë se sistemi është në krizë dhe nuk ka gjetur zgjidhje as pas debateve të shumta ideologjike.
Përveç frikës dhe shqetësimit mbi përmbajtjen ideologjike të masave që priten të merren, te një pjesë e analizave që bëhen mbi të ardhmen e qeverisë Kurti, analiza që vijnë më shumë prej këtej se andej kufirit, shquhet një dëshirë për të parashikuar lëshime, modifikime, përshtatje apo edhe tërheqje prej tezave kryesore të tij dhe një përpjekje për ta provokuar Albin Kurtin në idenë e tij të bashkimit kombëtar.
Pritshmëritë dhe parashikimet e tyre mbështeten te një klimë e përgjithshme presioni, që ata presin ta rrethojë shpejt Kryeministrin e ri të Kosovës. Përpjekja për të ngritur dhe mbajtur në këmbë marrëdhëniet me LDK, si parti në koalicion; ruajtja e marrëdhënieve me ndërkombëtarët në raport me ecurinë e dialogut me Serbinë; raportet me Shqipërinë si pjesë edhe projektit të bashkimit kombëtar si dhe zbatimi i reformave të brendshme në drejtësi, ekonomi dhe luftës kundër korrupsionit, të gjitha këto e të tjera si këto, nuk janë sfida të pakta dhe lehtësisht të kapërcyeshme. Në një situatë të tillë nuk do mjaftonte vetëm qëllimi i mirë në interes të vendit dhe popullit të Kosovës. Në një situatë të tillë, duket se ajo që përbën edhe dallimin tek Albin Kurti, si politikani ndryshe, është artikulimi i vazhdueshëm që ai po u bën parimeve, mbi të cilat synon të ndërtojë këto marrëdhënie. Në një prej intervistave të tij, Albin Kurti u shpreh qartë se marrëveshjet e tij nuk do të ndërtoheshin mbi parimin e marrjes dhe dhënies, të lëshimit të diçkaje për të përfituar diçka tjetër. Këtë tip të marrëveshjes, Kurti e quajti qartazi ‘Pazar’. Rastet kur për të mbajtur apo fituar pushtet është dhuruar me shumicë jo vetëm pushtet, por edhe interesa kombëtare, nuk i mungojnë historisë së vjetër dhe asaj moderne. Ajo që Albin Kurti ka ofruar në vend të pazarit është marrëveshja e ngritur mbi parime, duke filluar me partnerin e tij në qeverisje e duke vazhduar me opozitën, Presidentin Thaçi, ndërkombëtarët, dialogun me Serbinë apo edhe me qeverinë e Shqipërisë. Në këto parime dhe kritere duket se nuk ka ndryshuar gjë prej artikulimit të tij në fushatë edhe në këto ditë që është duke pritur të marrë prej Presidentin të drejtën për të krijuar qeverinë, i paintimiduar prej karriges së Kryeministrit dhe i gatshëm për të shkuar përsëri në zgjedhje nëse do detyrohet që si Kryeministër të heqë dorë prej parimeve dhe rrugës që ai e ka ofruar si rruga që sjell ndryshimin.
Frika dhe shqetësimi i ‘dashnorëve’ të frymës liberale nuk është një merak i thjeshtë ideologjik. Pas këtij shqetësimi fshihet frika e prishjes së një sistemi, i cili, në emër të politikave të një shteti të vogël dhe me ndikim minimal në jetën e qytetarëve, ka prodhuar një shtet të dobët, të njëjtë me një lopë që shërben vetëm për t’u mjelë. Konkurrenca e lirë dhe fuqia e tregut nuk i kanë shërbyer as fuqizimit të shtetit dhe as rritjes ekonomike të shtresës së mesme të qytetarëve. Konkurrenca u kthye në garë për kapjen e shtetit. Kush kap më lart dhe më shumë, i ecën biznesi më mirë. Parimi i barazisë që ofron Kurti nuk është parimi komunist; merrja të pasurit dhe jepja të varfrit. Barazia qëndron tek ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë.
Përballja me krimin dhe korrupsionin nuk është temë që i ndan dhe i vendos në pozicione të ndryshme teoricienët dhe ithtarët e ideologjive në politikë. Më shumë se politika liberale apo konservatore, lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon vullnet dhe forcë për t’u përballur me to. ‘Unë jam i pakorruptueshëm dhe i pashantazhueshëm’, deklarata që Albin Kurti i ka bërë tashmë disa herë publikisht, dëshmojnë vullnetin e tij për të nisur luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Hapat e tjerë mbeten për t’u parë dhe për t’u vlerësuar kohë pas kohe.
Jo vetëm Kosova, por edhe më gjerë, vende të tjera të rajonit, janë në sfidën e forcimit të shtetit ligjor. Jo vetëm në Kosovë, por edhe për vende të tjera të rajonit nevoja dhe domosdoshmëria për ndryshim ka më shumë rëndësi sesa një debat dhe diskutim me karakter ideologjik.
Ajo që e bën sfidën e saponisur për të ngritur dhe forcuar shtetin në Kosovë, të ndryshme dhe shpresuese është fakti që çdo masë dhe ndryshim do ngrihet mbi parime dhe vlerat e një shoqërie që nuk pajtohet me të keqen dhe që kërkon ndryshimin drejt të mirës. Një shoqëri që e drejton ngritjen dhe zhvillimin e saj drejt vlerave, parimeve, moralit dhe etikës bëhet garanci jo vetëm për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Sot, bota është në krizë. Sistemi ekonomik është vënë në dyshim dhe dita-ditës po kuptohet se ky sistem nuk u shërben nevojave të shtresës së mesme dhe po tregohet i pandjeshëm ndaj shtresave në nevojë. Megjithatë, jo të gjitha segmentet e shoqërisë janë në kërkim dhe kërkojnë ndryshimin.
Kthimi te debati ideologjik dëshmon vërtet nevojën për ta ndryshuar situatën, por ky debat nuk mundet ta gjejë rrugën e zgjidhjeve, pasi shoqëria është e paaftë për të dalë prej kurthit të postmodernizmit. Dy studiues amerikanë të shkencave politike, P. Norris dhe R. Inglehart, një nga arsyet e humbjes së dobisë që duhet të prodhojë debati ideologjik, e gjejnë te largimi i shoqërisë prej vlerave morale dhe etike. Në librin e tyre ‘E Shenjta dhe Laikja: Feja dhe Politikat Kudo në Botë’, ata shkruajnë se ‘shoqëritë moderne po bëhen gjithnjë e më shumë laike. Kjo prirje e ka zvogëluar përmbajtjen morale të debatit politik. Për më tepër, ideologjitë politike tradicionalisht duhej të garonin me fenë në shërbim të publikut. Feja mbetet një element i rëndësishëm në shumë demokraci perëndimore, por ndikimi i saj është zbehur si pasojë e modernizimit të shoqërisë’.
Rikthimi te parimet, te vlerat morale, te shoqëria dhe familja e fortë, individi i mbështetur tek autoriteti religjioz dhe laik ofrohet si një prej rrugëve të sigurta për ta nxjerrë shoqërinë prej grackës ku ka mbetur.
Në emër të shoqërisë laike, pjesa religjioze e shoqërisë u mbyll brenda mureve të institucioneve fetare bashkë me vlerat dhe virtytet që ajo mbart. Mungesa e komunikimit me këtë pjesë të shoqërisë ka rritur keqkuptimet, keqinformimet dhe keqinterpretimet, duke i shërbyer kështu terrenit për sjellje dhe qëndrime ekstremiste.
Politika dhe shteti duhet të garonin me fenë në shërbim të publikut, pasi feja nuk është vetëm një ritual që ushtrohet brenda mureve të institucionit. Ajo është e aftë dhe mundet të japë zgjidhje për probleme të shumta, nga e cila vuan shoqëria postmoderne. Feja dhe religjioni mundet dhe duhet të jetë partneri kryesor i shtetit laik në zgjidhjen e një numri jo të vogël problemesh sociale.
Rruga që i ofron sot Albin Kurti shoqërisë kosovare nis prej parimeve, moralit dhe etikës, që mbështeten mbi qëllime të mira dhe të larta. Dhe çdo përpjekje për ta kthyer shoqërinë drejt moralit, etikës, parimeve dhe qëllimeve të mira dhe të larta nuk është mbështetje për Albinin, por për të gjithë Kosovën.