“A erdhi ndonjë lajm i rëndësishëm nga samiti i BE-së?”, pyesin katër afganë në hyrje të kampit në Velika Kladushë të Bosnje-Hercegovinës, pranë kufirit me Kroacinë. Të rinjtë shpresonin gjetjen e një zgjidhjeje në këtë samit, me shpresë se ata do të mund të kalonin në ndonjë prej vendeve të BE-së. Refugjatë e strehuar në Velika Kladushë janë vendosur në një kamp me kushte shumë të këqija higjenike. Për ta nuk kujdeset askush.
Në një fushë prej dy kilometrash po shtohet nga dita në ditë numri i çandrave. Ata po mblidhen me shpresë se së shpejti do të kalojnë kufirin dhe futen në territorin e BE-së. “Ky nuk është kamp”, thotë njëri prej tyre. “Në Serbi kushtet kanë qenë më të mira – kemi pasur ushqim dhe veshmbathje, çadra të mira. Këtu nuk kemi asgjë”, thotë Kasimi nga Pakistani. Ai është nisur drejt Evropës para gjashtë muajve dhe ka kaluar nga Pakistani, nëpër Iran, Turqi, Greqi, Maqedoni, Serbi e deri në Bosnje. Nga vendi është larguar për shkaqe sigurie, nga frika prej talibanëve, thtoë ai.
Në Bosnjë-Hercegovinë aktualisht ka më së shumti refugjatë nga Pakistani, thotë minisri i Sigurisë Dragan Mektiq. Ai mendon se këta refugjatë nuk kanë ikur për shkaqe sigurie, por për shkaqe ekonomike. “Ne nuk mund të pranojmë migrantë ekonomikë”, thotë ai. Refugjatët pohojnë të kundërtën.
Policia kroate më e keqe se Daeshët
Pothuajse të gjithë pakistanezët janë të vetëm, pa familje. Ndërsa familjet kanë ardhur kryesisht nga Afganistani, Siria apo Iraku. Haji ka ardhur këtu nga Mosuli, me bashkëshorten dhe dy fëmijë. Synimi i tij është Bashkimi Evropian, ndonëse nuk e ka të qartë se si do të mbërrijë, sepse paratë, siç thotë ai, ia kanë marrë policia kroate dhe hajdutët boshnjakë. Ai thotë se gjatë një përpjekjeje për dalje ilegale në Kroaci, policia kroate ia ka marrë telefonin celular dhe rreth 1000 euro. Haji thotë se policia kroate është më e keqe se luftëtarët e të ashtuquajturit Shteti Islamik. Ai vendos gishtin në kokë dhe thotë: “Daeshi të paktën të vret. Kjo është më mirë sesa të mbetesh pa asgjë”. Atë e ka mashtruar edhe një kontrabandist boshnjak, i cili i ka premtuar, se do t’i ndihmojë të kalojë në Kroaci. Por ai vetëm ia ka marrë paratë dhe nuk e ka kryer punën. Edhe një grup tjetër sirianësh ankohet për sjelljen e policisë kroate. Ata thonë se policia ua ka marrë paratë, telefonat, i ka rrahur dhe i ka kthyer në Bosnje.
Refugjatët me familje janë në gjendje të keqe. Të lodhur dhe të raskapitur, pa para dhe kushte minimale për jetë. Në qytet ka dhe rreth 1000 refugjatë të tjerë nga Algjeria, Maroku, Siria, Pakistani, Tunezi, India etj… Shumë prej tyre janë futur në shtëpi apo vende të tjera boshe. Banorët e Kladushës ankohen për këtë sjellje.
Rrugët e refugjatëve tani kalojnë nëpër Bosnje – deri në Velika Kladushë dhe Bihaq. Në këto dy qytete janë mbledhur rreth 3.500 nga gjithsej 7.100 refugjatë sa janë regjistruar në Bosnjë-Hercegovinë. Banorët e këtushëm i kanë ndihmuar refugjatët gjatë dimrit të kaluar dhe për këtë kanë raportuar shumë media botërore. Por problemet janë shtuar me mbledhjen e një numri edhe më të madh të refugajtëve, të cilët janë bllokuar këtu. Migrantët këtu kanë tani vetëm një ushqim të sigurtë gjatë ditës.
Cenimi i sigurisë
„Për të mbuluar shpenzimet e tyre neve në ditë na duhen të paktën 4000-5000 marka. Nuk kemi forcë fizike dhe as mjete financiare për të ndihmuar si duhet. Kemi frikë se këtu mund të shpërthejë ndonjë kaos i madh”, thonë krerët e Kryqit të Kuq. Autoritetet lokale në Bihaq dhe Velika Kladushë thonë, se gjendja e rëndë humanitare mund të rrezikojë seriozisht edhe gjendjen e sigurisë, sepse po shtohet numri i të pakënaqurve, po shtohet frika dhe urrejtja ndaj të huajve. Një faqen e Facebookut, ku bëhej thirrje për dëbimin e refugjatëve është shpërndarë shumë shpejtë me qindra herë – para se të mbyllej. Shumë shpejtë është përhapur edhe një lajm i rremë se një refugjat ka përdhunuar një vajzë në Bihaq.
Në Velika Kladushë është mbajtur një seancë e kuvendit lokal për shkak të konfliktit fizik mes mingrantëve. Një maroken është vrarë me thikë. Në seancë është bërë e ditur se shumë shtëpi boshe janë uzurpuar nga migrantët, ndërkohë që ka pasur edhe vjedhje dhe plaçkitje të shumta. Kapja e personave që kanë kryer krime është e vështirë, sepse shumë prej migrantëve japin të dhëna personale të rreme. Burimet e policisë i thonë DW, se personi që ka vrarë shtetasin e Marokut nuk ka mundur të identifikohet, për shkak se ka paraqitur dy identitete të ndryshme.
Policia federale thotë se situata e sigurisë është nën kontroll dhe se nuk ka ndonjë rritje të madhe të krimeve, krahasuar me vitin e kaluar. Për gjashtë muaj migrantët kanë kryer 18 vepra penale, kryesisht vjedhje.
Kampi i ri dhe inati ndaj BE-së
Ministri i Sigurisë Mektiq thotë, se së shpejti do të hapet një kamp për refugjatë në hapsirën e një fabrike të boshatisur në Velika Kladushë. Refugjatët atje do të kenë kushte më të mira për ushqime dhe strehim. Autoritetet lokale e kanë kundërshtuar këtë propozim, ndërkohë që BE-ja thotë se nuk do të financojë këtë kamp. Por Mektiq thotë se ata nuk do të heqin dorë, pavarëisht qëndrimeve të BE-së. Refugjatët thonë se ata nuk do të heqin dorë nga përpjekjet për të kaluar në territorin e BE-së. „Asnjë kufi nuk mund të mbyllet hermetikisht. Njerëzit po futen edhe në Hungari. Po të kisha 2.500 euro, brenda dy ditësh do të mbërrija në Itali apo Francë”, thotë një pakistanez, duke shtuar se kontrabandistët janë të organizuar shumë mirë.
Problemi më i madh aktualisht është edhe koha e keqe. “Kur bie shi, kushtet janë si në ferr”, thotë Majkl nga Nigeria. Ai ëndërron të mbërrijë në Gjermani dhe atje të fillojë një jetë të re.