Qindra palestinezë fillimisht u mblodhën në lagjen Silvan për të protestuar kundër ndalimit të Izraelit ndaj palestinezëve që të kultivojnë pemë ulliri në tokat e tyre
Policia izraelite ndërhyri me bomba zhurmuese ndaj palestinezëve që po përpiqeshin të falnin namazin e xhumasë në lagjen Silvan të Kudsit Lindor të pushtuar, raporton Anadolu.
Qindra palestinezë fillimisht u mblodhën në lagjen Silvan për të protestuar kundër ndalimit të Izraelit ndaj palestinezëve që të kultivojnë pemë ulliri në tokat e tyre.
Një grup palestinezësh u përgatitën të falen duke vendosur sexhade në rrugë në kohën e namazit të xhumasë.
Megjithatë, policia izraelite ndërhyri me shkopinj dhe bomba zhurmuese ndaj palestinezëve që donin të faleshin.
Pas përfundimit të namazit, shpërtheu një përleshje mes palestinezëve dhe policisë izraelite. Policia izraelite ka ndërhyrë me ujë me erë të keqe të spërkatur nga automjetet intervenuese.
Ndryshe, familjeve palestineze Semrin dhe Al-Abbasi në rajonin Bostan të lagjes Silvan të Kudsit Lindor të pushtuar, iu ndalua të kultivojnë ullinj në këtë zonë dhe u dënuan me gjoba nga një gjykatë izraelite.
Ndryshe, në lagjen Silvan, disa familje palestineze po përballen me kërcënimin e humbjes së shtëpive të tyre në favor të kolonëve hebrenj, për shkak të vendimeve në gjykatat izraelite.
Rastet e dëbimit për të zgjeruar vendbanimet ilegale hebreje në qendër të lagjeve palestineze bazohen në ligjet izraelite që privilegjojnë hebrenjtë.
Sipas së drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet kolone në territoret e pushtuara nga ana e Izraelit llogariten të paligjshme.