Policisë së Kosovës i ka dalë sërish problem me tenderin për furnizim me vetura patrulluese, pasi që edhe në tenderët e kaluar zyra e prokurimit e kësaj policie ka vendosur kritere favorizuese për kompaninë “Porsche Prishtina”
Para pak kohësh Policia e Kosovës pati shpallur e rishpallur tri herë këtë tender, por për shkak të kritereve favorizuese Organi Shqyrtues i Prokurimit e pati anuluar atë duke e nisur procesin që nga fillimi.
Por, edhe pse ka ndodhur një gjë e tillë Policia e Kosovës është duke bërë të pamundurën që tenderin për furnizim me vetura patrulluese t’ia japë kompanisë “Porshe Prishtina”.
Në dosjen e tenderit që e ka shpallur më 17 prill të këtij viti shihet shumë qartë se policia e Kosovës kërkon automjet të vogël, limuzinë ose Hatchback, me kapacitet te bagazhit, ulëset lartë jo më pak se 495 litra dhe kapacitet të bagazhit, ulëset poshtë, jo me pak se 1200 litra.
Burime të besueshme të gazetës thonë se tenderi në fjalë kryekëput është bërë vetëm për “Porshe Prishtina”, pasi që sipas këtij 100 për qind të karakteristikave të kërkuara i kanë vetëm automjetet e importuara nga kjo kompani.
“Ashtu sikurse herën e parë, tenderi është përgatitur fare qartë për kompani të caktuar. Prokuroria duhet ta hetojnë këtë çështje, sepse këtu bëhët fjalë për tender prej miliona euro”tha birimi i besueshëm i gazetës.
Në anën tjetër, përfaqësues të kompanive të ndryshme të automjeteve në Kosovë thonë se tenderi në fjalë është favorizues për kompani të caktuar.
Halil Elshani nga “Mercom Company”- thotë se kriteret janë diskriminuese favorizuese edhe me tepër se herëve tjera këto decidivisht favorizojnë veturën “Skoda Rapid” dhe dilerin “Porsche Prishtina”.
Ai tha se kompania ka bërë ankesë në OSHP, ku tash është duke pritur veprimet e këtyre të fundit. “Kriteret janë më favorizuese se herën e parë dhe përshtatshmëria për veturat në fjale është 100%.
Asnjë veturë tjetër nuk i plotëson kushtet sipas kësaj dosje të tenderit përveç Volksvagen GROUP: Veturat tjera si: Ford, Opel, Peugeot, Renault, Citroen janë të eliminuara nga gara ku është shkelur Ligji i prokurimit, Neni7, ku favorizon vetëm kompaninë ‘Porsche’ me brendet e veta”, tha ai.
Edhe Edmond Siqani, menaxher i shitjes në “Autoshtëpia Siqani”, thotë se në dosjen e tenderit të 17 prillit të këtij viti policia ka vendosur kritere favorizuese për kompani të caktuara. Por, pas ankesës së njërit prej operatorëve ekonomikë OSHP-ja e ka prolonguar çështjen, por nuk ka marrë ndonjë vendim për të anuluar ose shtyrë përpara tenderin. Siqani thotë se e kanë kërkuar dosjen e re të tenderit, mirëpo ende nuk kanë arritur ta marrin deri më tash.
“Mirëpo, sipas bisedës telefonike që kemi pasur me Prokurimin e Policisë së Kosovës na është thënë se ndryshimi në dosje të tenderit do të bëhet vetëm në qoftë se ka ndonjë vendim nga OSHP-ja. Pra, nuk është sjellë asnjë vendim lidhur me të”, tha ai.
Edhe pronarë të kompanive tjera që kanë qenë në garë, por që nuk kanë dashur të flasin zyrtarisht i kanë dhënë gazetës se tenderi në fjalë është shumë favorizues për kompaninë “Porsche Prishtina”. Në anën tjetër, zyrtarë të policisë së Kosovës thonë se procesi i prokurimit për furnizim me vetura është duke shkuar sipas Ligjit të Prokurimit Publik.
“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se në aktivitetin e prokurimit, Furnizim me automjet, është paraparë pranimi i ofertave me datën 13/05/2013. Mirëpo para kësaj date kemi pranuar një ankesë nga një operator ekonomik, me ç’ rast është shtyrë afati për ofertimin deri në një vendim të OSHP-ës .
Ankesa është duke u shqyrtuar nga OSHP-ja. Specifikat teknike janë hartuar në përputhje të plote me LPP bazuar në nevojat operacionale që ka Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për informim dhe marrëdhënie me publikun e Policisë së Kosovës.
Klimë me filtër të polenit
Në dosje të tenderit, Policia e Kosovës ka kërkuar që automjetet duhet të jenë të prodhuara në vitin 2013 në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian. Po ashtu, ngjyra duhet të jetë e lirit, apo e bardhë me përbërje metalike. Po ashtu, në dosje kërkohet që automjeti të jetë me kapacitet të bagazhit (ulëset lart ) jo me pak se 495 litra dhe kapacitet të bagazhit (ulëset poshtë) jo me pak se 1200 litra.
Po ashtu, policia ka kërkuar që mbyllja e dritareve para dhe mbrapa të jetë elektronike me mundësi të kontrollit nga shoferi për bllokim, pasqyrat e jashtme me rregullim elektronik dhe nxehje, xhami mbrapa me nxehje, klima AC me filtër të polenit, sistemi i timonit hidraulik, fshirëset para me rregullim intervalor, ulëset me stof të kualitetit të lartë ngjyrë të zezë etj./kohaislame