-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Po zbrazen fshatrat e Llapit

Më të lexuarat

Fshatra të tëra të Podujevës po boshatisen nga banorët, të cilët po emigrojnë ilegalisht në Evropë ndërsa shtëpitë e këtyre fshatrave të cilave u është vënë dryni janë të panumërta.

Rexhep Fejzullahu i ka vënë drynin shtëpisë së tij në fshatin Sfeçël të Podujevës dhe bashkë me gruan dhe pesë fëmijët ia kishte mësyrë Evropës, nëpërmjet kufirit serbo-hungarez, të cilin e kanë kaluar ilegalisht, shkruan gazeta Zëri.

 

Sikurse ai kanë bërë edhe shumë bashkëfshatarë të tij. Shtëpi që troket dhe nuk të hap askush dyert ka edhe nëpër fshatra të kësaj komune.

 

Edhe Skënder Kutleshi, nga fshati Dumosh i Podujevës thotë se edhe nga ky fshat po ikin jashtë vendit por sipas tij, fluksi më i madh i atyre që po migrojnë vërehet nga fshati Bradash, Gllamnik dhe Llapashticë.

 

“Kështu nuk ka ndodhë asnjëherë, as atëherë kur kemi ikur nga serbët në vitet e 90-ta, ky është rast i rrallë dhe krejt për shkaqe ekonomike”, ka thënë ai i cili punon si arsimtar në shkollën fillore “Musli Dumoshi dhe tregon se edhe klasat po boshatisen nga nxënësit.

 

Ndryshe, numri i personave që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, është rreth 23 mijë.

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) jep shifër më të ulët. Sipas të dhënave të saj, gjatë vitit 2013, numri i kosovarëve që kanë emigruar qoftë në formë legale apo edhe ilegale, arrin në 20.246, por shton se ky trend i emigrantëve ilegal dhe azilkërkuesve vazhdoi me intensitet edhe më të madh muajve të fundit të vitit që e lëmë pas.

 

Ndërsa përmes të dhënave të publikuara në korrik të vitit 2014 nga Zyra Mbështetëse Evropiane për Azil thuhet se vetëm në pesë vitet e fundit më shumë se 70 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, kurse vetëm vitin e fundit rreth 20 mijë kosovarë janë regjistruar në listë e azilkërkuesve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit