Në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë duke u hetuar tri lëndë të prokurimit që kanë të bëjnë me periudhën kur ministër ishte Bajram Rexhepi.
Sipas raportit të Auditorit tenderi për furnizim me uniformë të re për Policinë e Kosovës, ndërtimi i objektit K9, si dhe tenderi për rregullimin e poligonit për gjuajte me armë zjarri janë duke u hetuar si tenderë të dyshimtë nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.
“Testet tona substanciale në kategoritë investime kapitale dhe mallra dhe shërbime kanë përfshirë 22 kontrata të prokurimit si dhe 62 pagesa tjera. Tri lëndë të prokurimit (Furnizim me uniformë të re për PK-në, Ndërtimi i objektit K9, si dhe Rregullimi i poligonit për gjuajte me armë zjarri) nuk i kemi testuar për arsye se ishin subjekt i hetimeve nga Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK)”, thuhen në raportin e Auditorit për MPB.
Ndër të gjeturat e Auditorit për këtë Ministri janë edhe në 12 pagesa të testuara në MPB, në vlerë 4 milionë e 771 mijë e 166 euro vërehet se zotimi (përjashtim bëjnë dy pagesa në vlerë 1 milionë e 981 e 941 euro në të cilat zotimi ishte bërë me kohë, kërkesa për blerje, urdhër-blerja dhe raporti i pranimit të mallit ishin bërë pas pranimit të faturës.
Sipas rregullave të Thesarit, fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procedohet urdhër-blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa në fjalë.
Si shkelje është evidentuar edhe në kontratën “Furnizim me automjete për zjarrfikje dhe shpëtim”, furnizimi me automjete ishte përcaktuar të kryhet brenda 180 ditëve nga koha e dorëzimit të porosisë, në të kundërtën aplikohen penalet 0.25 përqind për ditët e vonesave, maksimum deri në 10 përqind të vlerës së kontratës.
“Me datë 15.07.2014 menaxheri i kontratës ka kërkuar nga OE të bëjë liferimin e automjeteve sipas kontratës. Mirëpo, menaxheri i kontratës nuk ishte njoftuar zyrën e prokurimit për të nxjerrë urdhër-blerjet, e të cilat janë lëshuar pas pranimit të furnizimeve. Prej 18 automjeteve të kontraktuara, nuk ishte furnizuar automjeti për zjarr sulmues në vlerë 202 mijë e 74 euro. Deri më datë 6 mars të këtij viti në kohën kur ne ishim në fazën e ekzekutimit të auditimit, nuk ishte bërë furnizimi i automjetit në fjalë”, tha ZAP.
Auditori thotë se sipas ligjit për buxhetin e vitit 2014, ceket që nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve nuk lejohet të bëhen pagesat e punonjësve. MPB për vitin 2014, nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve kishte paguar paga (përmes kontratave të veçanta) në vlerë prej 179 mijë e 398 euro.
“Këto pagesa ishin bërë për 46 të punësuar. Gjithashtu MAP/DASHC nuk kishte aprovuar pozitat për të punësuarit me kontrata për shërbime të veçanta. Me tutje, nga 46 të punësuarit me kontrata për shërbime të veçanta, 18 prej tyre janë paguar në këtë formë edhe pse ka kaluar një periudhë dy vjeçare, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Shërbyes Civil. Vlen të theksohet se më 12 dhjetor të vitit 2014 ishin ndërprerë plotësisht kontratat për shërbime të veçanta”, thotë ZAP.
Edhe përkundër rekomandimeve të vazhdueshme për forcimin e kontrolleve në FP-së si dhe zotimit të menaxhmentit për adresimin e tyre, menaxhimi i automjeteve në këtë njësi ende nuk është i kënaqshëm. Edhe më tutje 268 automjete presin për servisim qysh nga viti 2009 e tutje. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë servisuar si rrjedhojë e mungesës së pjesëve rezervë./indeksonline/.kohaislame