0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Po afrohet haxhi

Më të lexuarat

Ajete mbi (shtyllën e pestë) haxhin

Thotë Allahu i Madhëruar në Librin e Tij famëlartë:

“Kodrinat Safa dhe Merve ( në Mekë) janë pjesë, shenja e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qaben për haxh ose për umre (vizitë jashtë kohës së haxhit), s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. E kush bën vepra të mira vullnetare (jo obliguese), ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm.” (El-Bekare, 158)

“Të pyesin ty (o Muhamed) për hënat e reja; thuaju: “Ato janë për njerëzit shenja përcaktuese të kohës dhe të haxhillëkut”. Nuk është mirësi të hysh në shtëpi nga dera e pasme (siç bënin paganët para Islamit), por mirësia qëndron në të ruajturit nga të këqijat. Hyni në shtëpi nga dyert e tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni!” (El-Bekare, 189)

“Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut! Nëse në këtë rrugë pengoheni, atëherë therni kurban, sipas mundësisë, dhe mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vend! Po kush është prej jush i sëmurë ose ka ndonjë plagë në kokë (dhe si i tillë, nuk mund ta rruajë kokën), le ta zëvendësojë me agjërim, lëmoshë ose kurban. Kur të jeni të sigurt, (nga armiqtë), ai që prej jush kryen umren deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë. Ndërsa ai që nuyk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo është për ata që nuk banojnë në Mekë. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Ai dënon ashpër.” (El-Bekare, 196)

“Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (El-Bekare, 197)

“Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ku më parë ishit të humbur!” (El-Bekare, 198)

“Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (El-Bekare, 199)

“Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër.” (El-Bekare, 200)

“Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bënë gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!” (El-Bekare, 203)

“O besimtarë! Plotësoni detyrimet! Ju është lejuar ngrënia e kafshëve, përveç atyre që do t’ju njoftohen. Derisa të gjendeni në ihram gjatë haxhit, nuk ju lejohet gjuetia. Vërtet, Allahu vendos çfarë të dëshirojë.” (El-Ma’ide, 1)

“O besimtarë! Mos e cenoni shenjtërinë e simboleve të Allahut, as të muajve të mëdhenj, as të Kurbanit të Qabesë, as të kurbaneve të shënuar me gjerdan, as (mos i pengoni) ata që janë nisur të vizitojnë Shtëpinë e Shenjtë, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Zotit të vet. Pas heqjes së ihramit gjuani. Dhe mos ju nxisë urrejtja ndaj disa njerëzve, që ju penguan të vizitoni Qabenë, pra, kurrsesi të mos ju nxisë që t’i sulmoni! Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.” (El-Ma’ide, 2)

“Ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim nga deti është për t’u kënaqur ju dhe udhëtarët, por ju është ndaluar gjuetia e tokës, derisa të gjendeni në ihram. Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të tuboheni!” ( El-Ma’ide, 96)

“Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin, në mënyrë që ju ta dini se Allahu di gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë dhe se Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (El-Ma’ide, 97)

“Vërtet, ata që nuk besojnë dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe nga Xhamia e Shenjtë, të cilën Ne e kemi bërë të njëjtë për të gjithë njerëzit, si për vendasin ashtu edhe për atë që vjen nga tjetër vend dhe, ata që synojnë ta përdhosin (xhaminë), me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm.” (El-Haxhxh, 25)

“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (El-Haxhxh, 27-28)

“Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë.” (El-Haxhxh, 29)

Obligueshmëria e haxhit dhe vlera e tij

Haxhi është shtyllë prej shtyllave të Islamit, është obligim i prerë për secilin musliman dhe muslimane që ka mundësi ta kryejë, është vepër me vlerë të madhe dhe vepër në të cilën ka shumë këshilla dhe mësime.
Njeriut të cilit Allahu i ka dhënë pasuri, nuk duhet ta lërë pas dore këtë ibadet, sepse dobitë dhe dhuratat që i fiton muslimani nga ky ibadet janë të shumta.

Haxhi është obligim (farz) një herë në jetë është në kohë të caktuar, është shkuarje në Mekë (Qabe) me qëllim të tafavit, sa’jit, qëndrimit në Arafat dhe kryerjes së obligimeve, ceremonive fetare, duke iu përgjigjur Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Kuptohet, shkohet sipas mundësisë (financiare).
Ai që e mohon këtë adhurim (shtyllë), del prej fesë islame dhe largohet nga xhemati i muslimanëve.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe (ky është) një kumtim nga Allahu dhe i dërguari i Tij, drejtuar gjithë njerëzve në ditën e haxhit të madh, se Allahu është tërhequr prej (marrëveshjes së) idhujtarëve, e njëkohësisht edhe i dërguari i Tij. Po, nëse pendoheni, do të jetë më mirë për ju, e nëse ia ktheni shpinën (rrugës së drejtë), ta dini se nuk mund t’i shpëtoni (ndjekjes së) Allahut. E, ti përgëzoji ata që mohuan me një dënim të padurueshëm.” (Et-Teube, 3)

“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt. Për hirë të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.” (Ali Imran, 96-97)

Pra, haxhi është obligim sipas Kuranit, Sunetit dhe konsensusit të muslimanëve. Andaj ai, i cili e mohon këtë obligim, konsiderohet renegat.

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Ai që ka mundësi të shkojë në haxh, e nuk shkon, nuk e di si vdes, a si çifut ose si i krishterë.”

Gjithashtu ka thënë: “Kam dëshiruar të dërgoj njerëz në këto vende dhe të shikojnë ata që kanë pasur mundësi të shkojnë në haxh, e s’kanë shkuar, që t’i detyrojë të japin xhizje, sepse ata nuk janë muslimanë.”

Disa nga urtësitë e haxhit:

• Përkujtimi i ahiretit dhe pastrimi nga mëkatet;
• Vizita e Shtëpisë së Allahut (Qabesë);
• Vizita e vendeve dhe simboleve të shenjta;
• Bashkimi dhe tubimi me haxhilerë nga e gjithë bota;
• Madhërimi i Allahut në ditë të caktuara;
• Therja e kurbanit në tokën e shenjtë etj.

Njeriu obligohet të bëjë haxhin nëse i përmbush këto kushte:
– Të jetë musliman, sepse atij që nuk është musliman asnjë vepër nuk i kërkohet dhe as që i pranohet.
– Të jetë i mençur, sepse nga i çmenduri nuk kërkohet ndonjë obligim, ai është i liruar.
– Të jetë i moshërritur, sepse i mituri nuk obligohet me asgjë.
– Mundësia, që nënkupton ushqim, mjet udhëtimi, shëndet dhe siguri gjatë rrugës. Përndryshe, nuk e ka obligim, sepse është e kushtëzuar “…për atë që ka mundësi udhëtimi.”

Vlera e haxhit

Vlera e haxhit shihet në thëniet profetike:

1- Haxhi është vepra më e mirë
Pejgamberi alejhi selam thotë: “Vepra më e mirë është besimi në Allahun, pastaj xhihadi, pastaj haxhi i pranuar. Këto vepra janë më të mira sesa veprat tjera sa është larg lindja nga perëndimi.” Transmeton Ahmedi.

2- Haxhi është xhihad
Erdhi një njeri te Pejgamberi alejhi salatu ue selam dhe i tha: “Unë jam frikacak dhe i dobët.” Pejgamberi alejhi selam iu përgjigj: “A të të tregoj një xhihad pa lodhje: shko në haxh.” Transmeton Taberaniu.

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, a është xhihadi vepra më e mirë? Pse mos të bëjmë xhihad?” Tha: “Për ju është xhihadi më i mirë: haxhi i pranuar.” Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha asnjëherë nuk do ta lërë haxhin pasi dëgjova këtë prej Pejgamberit alejhi selam. (Buhariu dhe Muslimi)

3- Haxhi shlyen mëkatet
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kush bën haxh në këtë Shtëpi (Qabe), e nuk bën mëkate dhe nuk flet fjalë të ndyta, kthehet si atë ditë që e ka lindur nëna (i pastër prej mëkateve).” Buhariu dhe Muslimi.

4- Haxhiu është mysafir i Allahut Mëshirëplotë
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Mysafirët e Allahut janë tre lloj njerëzish: luftëtari, haxhiu dhe umrexhiu.” Transmeton Nesaiu.

5- Haxhiu fiton shpërblim të madh
Pejgamberi alejhi selam thotë: “Umreja deri në umren tjetër i shlyen mëkatet që janë bërë mes tyre, kurse haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit.” Buhariu.

Pejgamberi alejhi selam tha: “Veprat në asnjë ditë nuk janë më të mira sesa në dhjetë ditët e Dhil-Hixhes (muaji i 12 hënor).” Thanë: “As xhihadi në rrugë të Allahut?” Tha: “As xhihadi në rrugë të Allahut, përveç njeriut i cili del me vetveten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë.” Transmeton Buhariu.

Pranimi i haxhit

Allahu i Lartësuar ka treguar se ka shpërblim të madh për haxhin e pranuar, kurse Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Haxhi i pranuar, nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit.” Buhariu.

Haxh i pranuar (haxh mebrur) domethënë haxhi ku njeriu mundohet të bëjë sa më shumë të mira, sepse fjala bamirësi përmban dy kuptime:
– Bamirësi dhe përkujdesje ndaj njerëzve:
Është pyetur Pejgamberi alejhi selam se “Çka është bamirësia e haxhit?” Tha: “Dhënia ushqim nevojtarit dhe përhapja e selamit.” Ahmedi.
– Bamirësia që të zgjerohesh në respekt dhe cilësi të devotshmërisë:

Thotë Allahu i Madhëruar: “A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?” (El-Bekare, 44)

Një komentues i Kuranit thotë: Haxh i pranuar është haxhi, të cilit të gjitha rregullat i janë zbatuar dhe është bërë në formën më të plotë.
Pasi njerëzit nuk janë të barabartë në kryerjen e haxhit, gjërat më të rëndësishme që i ndihmojnë haxhilerët për të qenë haxhi i tyre i pranuar janë si vijon:

Sinqeriteti (ihlasi) dhe pasimi

Sepse asnjë vepër nuk është e saktë e as e pranuar nëse nuk i përmbush këto kushte:
1) Sinqeritetin, d.m.th. që këtë vepër haxhiu ta bëjë për hir të Allahut, sepse Allahu i Lartësuar në hadith kudsi thotë: “Unë jam i panevojshmi për ortak. Kush bën ndonjë vepër dhe më bën Mua ortak ndokënd në këtë vepër, e lë atë dhe ortakun që ma ka bërë Mua.” Muslimi.

2) Pasimi i Pejgamberit alejhi selam në të gjitha veprat e kryerjes së haxhit, sepse Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kush bën një vepër e cila nuk është prej asaj që e kemi bërë ne, ajo është e refuzuar.” Muslimi.

Gjithashtu ka thënë: “Merrni prej meje haxhin tuaj, sepse nuk e di se a do të bëjë haxh tjetër pas këtij.” Muslimi.

Përgatitja për haxh

Përgatitja e besimtarit për në haxh është prej gjërave më të rëndësishme që e ndihmojnë në kryerjen e haxhit ashtu siç duhet. Ndoshta gjërat më të rëndësishme në të cilat duhet të përgatitet haxhiu janë këto që vijojnë:

– Përmirësimi i raportit me Allahun Mëshirëplotë me pendim të sinqertë;
– Kërkimi i ndihmës dhe i suksesit prej Allahut, shprehja e varfërisë dhe e nevojës për Të, e frikës dhe shpresës tek Ai;
– T’i lajë borxhet ose të kërkojë leje prej borxhlinjve, sidomos prej atyre që njihen si njerëz që kujdesen për pasuri dhe e kërkojnë vazhdimisht borxhin e dhënë.
– Të shkruajë vasijetin, sepse udhëtimi është i gjatë dhe njeriu mund t’i eksponozet ndonjë rreziku gjatë këtij udhëtimi.
– Të përgatitë aq të holla sa i mjaftojnë familjes deri në ditën kur do të kthehet, t’i këshillojë anëtarët e familjes që të jenë të mirë, të lërë zëvendës dikë që do të kujdeset për familjen e vet, që të jetë i lirë nga të gjitha obligimet gjatë kryerjes së haxhit.
– Të zgjedhë pasurinë e mirë dhe hallall, sepse pasuria haram pengon përgjigjen e lutjeve. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Allahu është i Mirë, i Pastër dhe e do të mirën e të pastrën.” Muslimi.
– Mësimi i rregullave dhe vendimeve të haxhit, njohja e rregullave të udhëtimit, sa i përket shkurtimit dhe bashkimit të namazit, marrjes së tejemumit, dhënia mes’h mesteve, etj., sepse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kujt ia dëshiron Allahu të mirën, ia mëson fenë.” Buhariu.

Prej urtësive dhe qëllimeve kryesore të haxhit të cilat duhet t’i ndiejë haxhiu janë:

a) Mbushja me devotshmëri dhe realizimi i tij;
Ky është qëllimi i haxhit, prandaj edhe i gjejmë të ndërlidhura fort ajetet e haxhit me takvallëkun. Allahu i Lartësuar thotë: “E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut … Pra keni dro vetëm Allahun dhe dijeni se Allahu është ndëshkues i rreptë.” (El-Bekare, 196)

Gjithashtu thotë në një ajet tjetër: “Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes keni dronë Time.” (El-Bekare, 197)

b) Forcimi dhe mbjellja e teuhidit në zemër dhe përforcimi i tij;
Haxhi përqendrohet në pastrimin e nijetit dhe bërjen e kësaj vepre vetëm për hir të Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut…” (El-Bekare, 196)
Ndërsa në ajetin tjetër thotë: “…pra largohuni nga ndyrësirat e idhujve dhe largohuni fjalës shpifëse. Duke qenë të sinqertë në besim ndaj Allahut, dhe mos i përshkruani Atij shok…” (El-Haxh, 30-31)

Kurse në telbije, e cila është simboli i haxhit, thuhet:
“Të përgjigjem o Allah, të përgjigjem, të përgjigjem Ty, i cili s’ke ortak, Ty të përgjigjem. Falënderimi, dhuntitë dhe Mbretëria Ty të takojnë, Ti je pa shok (ortak).” Buhariu.

c) Madhërimi i simboleve dhe i ndalesave të Allahut
Prej qëllimeve dhe urtësive më të dukshme të haxhit është edhe edukimi i njeriut në konsiderimin e simboleve dhe ndalesave të Allahu si gjëra të mira, në nderimin dhe respektimin e tyre dhe duke pasur frikë nga prekja ose shkelja e tyre. Allahu i Madhëruar gjatë ajeteve të haxhit ka thënë: “Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (El-Haxh, 32)

 

Eroll Rexhepi
16.11.2008
Vazhdon

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit