1.4 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Pleqtë e braktisur nga familja (Video)

Më të lexuarat

Në shtëpinë e personave të moshuar në Prishtinë aktualisht janë të vendosur 74 persona, të cilët nuk kanë pasur pakujdesje familjare. Objekti ku ata janë të vendosur, ofron shërbime të rregullta dhe përkujdesje shëndetësore 24 orë.
Personeli i këtij institucioni tregon se kushtet në këtë objekt janë të mira, por gjithashtu po punohet në vazhdimësi për renovimin e objektit, pasi që si i tillë, ka një infrastrukturë të vjetruar.

Raza Aliçkaj, drejtoreshë e këtij institucioni, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se i tërë stafi është i përkushtuar që t’iu ofrojë shërbime cilësore banorëve të shtëpisë.

Ajo tregon se shumica prej personave që kishin ardhur fillimisht në këtë institucion, e kanë pasur shumë të vështirë përshtatjen në ambientin, por me kohë, shton ajo, janë mësuar me jetën që do ta kalojnë në këtë shtëpi.

“Ne po mundohemi që t’ia dalim, t’iu ofrojmë një jetë më të mirë këtyre personave. Po besoj që po ia dalim. Këtë e them duke u bazuar në kënaqësinë që ata e ndjejnë këtu, pavarësisht (anës) emocionales që është një zbrazëtirë që vështirë që plotësohet, por e jona është që t’iu lehtësojmë dhe t’ua bëjmë jetën sa më të lehtë dhe këto ditë të pleqërisë t’i kalojnë sa më mirë dhe në mirëqenie”, thotë Aliçkaj.

Për të qenë pjesë e Shtëpisë së të moshuarave, tregon Aliçkaj, ka edhe kritere që duhet të plotësohen. Fillimisht, personi duhet të jetë banor i përhershëm i Kosovës, të jetë mbi moshën 65-vjeçare dhe që nuk ka përkujdesje familjare.

Gjithashtu, ajo tregon se për t’u vendosur në këtë shtëpi, personi duhet të ketë certifikatë nga ana e mjekut psikiatër, psikolog që vërtetohet se nuk ka sëmundje psikike dhe të ketë certifikatë nga ana e infektologut që nuk ka sëmundje infektive.

Interesimi për t’u vendosur në këtë shtëpi, tregon drejtoresha Raza Aliçkaj, është i madh, por pa i plotësuar kriteret e vendosjes, nuk mund të fitosh të drejtën e banuesit në shtëpi.

“Ka interesim, madje edhe të atyre personave që kanë fëmijë. Zakonisht, ata që jetojnë në diasporë janë të interesuar që t’i vendosin prindërit e tyre, por ne iu tregojmë se cilat janë kriteret e vendosjes dhe se gjithçka bëhet përmes Qendrave për Punë Sociale që gjenden në tërë komunat e Kosovës”, sqaron ajo.

“Pleqtë e kanë vajin në buzë…”

Radio Evropa e Lirë ka biseduar edhe me disa banorë të kësaj shtëpi.

Ata nuk ankohen për kushtet, në të cilat jetojnë. Gjithçka, sipas tyre, është mirë, por që të gjithë, thonë se më mirë do ta kishin nëse do të jetonin në shtëpitë e tyre.

Jakute Turjaka, 78-vjeçare nga Peja, tani e 14 vjet jeton në këtë shtëpi të të moshuarve, siç shprehet ajo, larg familjes dhe të afërmve të saj.

“Eh hallet e mia, janë shumë. Këtu mirë e kemi, të gjithë kujdesen për ne, por sikur ta kisha shtëpinë time, do të kishte qenë më mirë. Shtëpia është ndryshe nga këtu. Më ka marrë malli për shtëpi, për lagjen, për të afërmit e mi, për të gjithë”, shprehet Turjaka.

Në këtë shtëpi të të moshuarve në Prishtinë, tash e tre vjet jeton edhe Hava Vila, nga Hani i Elezit.

Hava ka një djalë, por, siç tregon ajo, djali i saj nuk ka dashur që ajo të jetonte me të në banesën, e cila, siç thotë ajo, është e saj.

“Më mirë po rri këtu e mbyllur, edhe në shtëpi nuk e kam pasur mirë. Askush nuk ka faj për gjendjen time, djali im ka faj. 50 vjet bashkë më burrin tim kemi punuar për të, që t’ia bëjmë kushtet e mira, e ta përzërë nënën e ta çojë në shtëpi të pleqve, nuk bën, por ai (djali) e bëri këtë “, shprehet Hava.

Adaptimin në shtëpinë e të moshuarve e kishte pasur shumë të vështirë edhe Xhevahire Sylejmani, 68 vjeç nga fshati Orllan, komuna e Podujevës.

Pas vdekjes së bashkëshortit, ajo për 10 vjet kishte jetuar e vetme në shtëpinë e saj, por, siç shprehet ajo, e kishte të vështirë jetën pa përkujdesje.

“Në burg nuk kam qenë kurrë, vetëm kur kam ardhur këtu, kam thënë as në burg nuk e kanë më keq, por tani fillova të mësohem, kushtet janë të mira, kujdesen të gjithë për ne. Kam shoqe, me të cilat e kalojmë ditën, shkojmë te njëra-tjetra, bëhemi bashkë, qajmë hallet e dertet tona”, shprehet ajo.

Në shtëpinë e të moshuarve, në një pjesë të objektit, ishte edhe një vend ku banorët mund të shkonin dhe të kalonin kohën e lirë duke luajtur shah apo domino.

Metush Jahaj dhe Qemajl Shasivari banues në këtë shtëpi të të moshuarve po luanin shah kur ne shkuam që të bisedojmë me ta.

Rrudhat që ua kishin mbuluar fytyrën, e flokët e thinjur tregonin vitet që ata kishin kaluar.

Ata thonë se shumë herë ndihen të mërzitur, por që e gjithë ajo kalon shpejt derisa kujtojnë vitet e kaluara.

“Pushojmë, luajmë shah, dalim shëtisim deri në qytet. Këtu është mirë”, shprehet Shasivari.

“Mirë është, nganjëherë hidhërohemi mes vete. Pleqtë e kanë vajin në buzë, por se tani gjithçka kalon shpejt. Kur hidhërohem, shkoj në shtëpinë time, rri aty, por prapë kthehem këtu, aty nuk mund të rri vetëm, këtu kam shoqëri dhe përkujdesje”, shprehet Jahaj.

Personave që janë të vendosur në Shtëpinë e të moshuarve dhe pa përkujdesje familjare në Prishtinë, iu ofrohen shërbime 24 orë duke përfshirë, ushqim, veshmbathje, terapi sociale, shërbim shëndetësor, shërbim të administratës, aktivitete tjera, organizohen shëtitje nëpër vende të ndryshme në Kosovë.

http://www.evropaelire.org/media/video/27256061.html

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit