2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

PIKËRISHT ATA JANË SHKATËRRUESIT POR NUK E NDIEJNË

Më të lexuarat

Allahu i lartësuar thotë: “E kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë!”, ata thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues (rregullues).” Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë.” [BEKARE 11 – 12]

Shpjegimi i ajeteve

“E kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë!” – Këta hipokritë këshillohen që të ndalen nga shkatërrimi që bëjnë në tokë. Ky shkatërrim shfaqet në shumë forma: në formën e kufrit (mohimit të Zotit dhe shpërfilljes së të drejtave të Tij), në formën e veprimit sipas rrugës ku i çon mosbesimi dhe mosbindja e tyre, në formën e shpërfilljes së urdhrave dhe të kryerjes së veprave të ulëta, në formën e nxjerrjes së sekreteve të muslimanëve, për t’ua treguar ato qafirëve, në formën e miqësisë së tyre me jobesimtarët etj. Por kur ata këshillohen për t’u frenuar nga shkatërrimi që bëjnë në tokë,

“Thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues.” – Kështu, ata bëjnë njëkohësisht dy të zeza: përhapin shkatërrimin në tokë dhe këtë shkatërrim e paraqesin si rregullim dhe përmirësim, duke e shtrembëruar të vërtetën. Ata shkatë-rrojnë dhe besojnë se kjo është rruga e drejtë. Ky, pa dyshim, është krim shumë më i rëndë se i atyre që bëjnë poshtërsi, por e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm se këto janë poshtërsi. Këta të fundit janë më afër udhëzimit dhe shpresës për t’u kthyer nga rruga e gabuar, sesa ata të parët. Munafikët thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues”. Kështu, ata pretendojnë se të qenurit rregullues (të rendit në tokë) është cilësi e posaçme vetëm për ta, duke nënkuptuar se besimtarët nuk e kanë këtë cilësi. Por Allahu i Madhëruar ua hedh poshtë këtë pretendim, duke thënë: “… në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë” – Sigurisht që nuk ka shkatërrim më të madh se ai që shkakton e përhap mohimi i Zotit dhe i argumenteve të Tij. A ka shkatërrues më të madh se ai që pengon njerëzit nga rruga e Allahut dhe që përpiqet të mashtrojë Allahun dhe të zgjedhurit e Tij?! Shkatërrues janë të gjithë ata që miqësohen me këdo që i ka shpallur luftë Allahut dhe Profetit të Tij, të cilët, si pa të keq, pretendojnë paturpësisht se ky quhet rregullim. Po a ka shkatërrim më të madh se ky?!

Në fakt, ata nuk mund ta ndiejnë dhe kuptojnë këtë, sepse nuk e kanë dijen e nevojshme, që do t`u mundësonte ta kuptonin. Dija (rreth besimit dhe fesë) që ata kanë u vlen thjesht dhe vetëm për një gjë: që të mos kenë asnjë justifikim para Allahut Ditën e Gjykimit. Atyre u janë përcjellë njohuri të mjaftueshme për të hedhur poshtë çdo argumentim dhe justifikim të tyre para Allahut. Veprimi i poshtërsive është konsideruar si shkatërrim, sepse është ai që e shkakton prishjen e të gjitha të mirave në tokë: bimësisë, farërave, frutave, pemëve etj.

Shkak i çdo shkatërrimi janë veprat e ulëta (dhe kalimi i kufijve të Zotit). Ndërsa rregullimi i tokës nënkupton që ajo të mbushet me mirësi dhe të lulëzojë, si pasojë e bindjes ndaj Allahut dhe e besimit tek Ai. Allahu i Madhëruar i krijoi krijesat veçse për këtë qëllim dhe, pikërisht për këtë arsye, i vendosi në tokë. Ai i krijoi ata dhe u dhuron furnizim dhe të mira të shumta, me qëllim që t`i ndihmojë në bindjen dhe adhurimin kushtuar Atij. Por nëse krijesat veprojnë të kundërtën, atëherë ky është shkatërrim, pasi e nxjerr tokën nga natyra e saj, në të cilën ajo është krijuar.

TEFSIRI I SADIT

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit