4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Peshqeshi dhe ryshfeti në dritën e sheriatit

Më të lexuarat

Koncepti i peshqeshit në sheriatin islam:

Me fjalën peshqesh kuptohet dhurata që i bëhet dikujt në mënyrë vullnetare, vlerë monetare qoftë apo diçka tjetër. Peshqeshi dallon nga huaja, pasi peshqeshi bëhet pronë e personit që i dhurohet, kurse huaja jo. Po ashtu, peshqeshi dallon nga lëmosha ose sadakaja. Me peshqesh, ne synojmë të fitojmë zemrën e tjetrit dhe forcimin e marrëdhënieve. Sakaq, me sadakanë ose lëmoshën, ne synojmë të fitojmë kënaqësinë e Zotit të lartësuar.

Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”I bëni peshqeshe njëri-tjetrit që t’ju shtohet dashuria mes jush!” Profeti a.s e pranonte dhuratën e peshqeshin dhe bënte dhurata e peshqeshe. Po ashtu, Ebu Bekri dhe Umeri i pranonin dhuratat, pasi vetë Profeti a.s i kishte këshilluar myslimanët që ti pranojnë. Thotë Profeti a.s:”Kujtdo që i bëhet një e mirë prej vëllait të tij, pa e kërkuar dhe pa ia imponuar, le ta pranojë pasi është rizk prej Zotit!” Profeti a.s e pranonte peshqeshin sado i vogël dhe i pavlerë qoftë. Dijetarët e gjykojnë si akt të papëlqyeshëm kthimin e dhuratës.

Llojet e peshqesheve:

Tre janë llojet e peshqesheve dhe dhuratave:

1 – Ajo që i jepet tjetrit përgjithmonë, e pakufizuar me një kohë të caktuar. Në këtë rast, shuma monetare apo çfarëdo tjetër bëhet pronë e tjetrit përgjithmonë.

2 – Elumerij, peshqesh i cili i jepet përfituesit vetëm gjatë jetës së tij dhe të dhuruesit. Nëse përfituesi nga peshqesi vdes, peshqeshi i kthehet dhuruesit sërish, sipas kushtit të vendosur nga dhuruesi. Profeti Muhamed a.s e ka lejuar një peshqesh të tillë. Lidhur me kushtin e vendosur, që nëse përfituesi nga peshqeshi vdes, peshqeshi i kthehet dhuruesit, sipas dijetarëve, ky është një kusht i pavlerë dhe nuk e prish dhuratën.

3 – Peshqesh që kufizohet vetëm gjatë jetës së personit që i jepet dhe nëse vdes, i kthehet sërish dhuruesit. Por nëse dhuruesi vdes para personit që iu dhurua, peshqeshi i mbetet atij dhe trashëgimtarëve të tij. Edhe ky lloj peshqeshi është i lejuar në Islam

Kriteret fetare të peshqeshit

Thotë Zoti në Kuran:” Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” (Al Imran, 38)

Aisheja tregon se profeti Muhamed a.s thoshte:”Bëni peshqeshe tu shtohet dashuria mes jush, migroni që tu lini fëmijëve tuaj lavdi dhe injorojeni ndonjë të metë tek njerëzit e fisëm!”

Ebu Hurejre tregon se Profeti a.s ka thënë:”O gra myslimane! Mos e nënvlerësoni një vepër të mirë, sado e vogël të jetë!”

Abdullah ibnu Amir i dërgoi Aishes, Zoti qoftë i kënaqur me të, një sasi të hollash dhe një veshje. Ajo ia ktheu:”O biri im! Nuk pranoj peshqeshe nga askush.” Por kur doli Profeti a.s i tha:”Ma jepni mua!” Mandej, pasi Abdullah u largua, Profeti a.s i tha të shoqes:”O Aishe! Të solli një dhuratë pa ia kërkuar! Pranoje se është rizk nga Zoti!” (Ahmed, Bejhakij)

Nga Ebu Hurejre transmetohet se Profeti a.s ka thënë:”Kujt i jepet diçka pa e kërkuar, le ta pranojë, pasi është rizk nga Zoti.” (Ebu Daud, Ahmed)

Nga Ibnu Abasi transmetohet se Profeti a.s ka thënë:”Dhuroni ushqim me njëri-tjetrin, pasi kështu e shtoni rizkun tuaj!”

Një delegacion nga fisi Thekif vajtën tek Profeti a.s dhe i dhuruan një peshqesh. Profeti a.s i pyeti:”Është sadaka apo peshqesh?”

Sa herë që dikush i sillte Profetit a.s diçka për të ngrënë, ai pyeste:”Është dhuratë apo sadaka?” Nëse i thoshin se është sadaka, ua jepte shokëve të tij ta hanin, ndërkohë që ai nuk hante. Por nëse i thoshin se është dhuratë, ai përplaste duart dhe ulej bashkë me shokët e tij dhe hanin nga ai ushqim.

Burejde ibnul Hasib tregon se emiri i koptëve të Egjiptit i dërgoi profetit Muhamed a.s një peshqesh që përbëhej nga dy robëresha motra dhe një mushkë. Profeti Muhamed a.s e përdorte mushkën brenda Medines. Sakaq, u martua me njërën nga robëreshat, e cila i lindi Ibrahimin. Kurse tjetrën ia dhuroi Hasan ibnu Thabit, me të cilën i lindi një djalë, Muhamedi. Në një hadith, Profeti a.s thoshte:”Nëse Zoti të sjell nga pasuria e sulltanit, pa e kërkuar më parë, merre dhe shpenzoje për vete.”

Lidhur me kthimin mbrapsht të dhuratës, Profeti a.s thoshte:”Nuk lejohet që dikush të bëjë një peshqesh dhe pastaj të bëhet pishman dhe ta kërkojë sërish, përveç prindit.” Nga Ibnu Abasi transmetohet se Profeti a.s ka thënë:”Ai që e kërkon sërish peshqeshin që ka bërë, është si ai që ha atë që ka vjellë.”

Ryshfeti

Përkufizimi i ryshfetit:

Ryshfet konsiderohet para e dhënë, ose diçka tjetër që i jepet falas nën dorë një nëpunësi ose punonjësi në detyrë që të bëjë një punë a një shërbim jashtë ligjit.

Kriteret fetare

Ryshfeti në Kuran dhe në traditën profetike:

Thotë profeti Muhamed a.s:”Zoti e mallkoftë dhënësin e ryshfetit, marrësin dhe ndërmjetësuesin.”

Omer ibnu Abdul Aziz, thoshte:”Në kohën e profetit Muhamed a.s, peshqeshi ishte dhuratë, ndërsa sot është ryshfet.”

Një ditë, atij i hahej mollë, por nuk gjeti asnjë kokërr në shtëpi, madje nuk kishte as të holla për të blerë në treg. Doli jashtë dhe gjeti tek dera disa djem me tepsi të mbushura me mollë, për t’ia dhuruar vetë kalifit Omer. Ai mori një kokërr mollë, i mori erë dhe e ktheu sërish në tepsi. Ibnu Sad i tha:”Vetë i dërguari i Zotit, Ebu Bekri dhe Omeri i pranonin peshqeshet.”

Omer ibnu Abdul Aziz iu përgjigj:”Po, por peshqeshi në kohën e tyre ishte dhuratë, ndërsa sot është shndërruar në ryshfet për nëpunësit.”

Prandaj dhe peshqeshet që u bëhen nëpunësve janë haram, sepse këto peshqeshe dhe dhurata u jepen për hir të postit që mbajnë. Ndërkohë, dhuratat dhe peshqeshet që u bëhen njerëzve të tjerë, jo për shkak të postit, janë të pëlqyeshme dhe të kërkuara. Dhuratat dhe peshqeshet që u jepen nëpunësve për postin që mbajnë, janë haram, tradhti dhe cenim i të drejtës. Transmeton Buhariu dhe Muslimi, se profeti Muhamed a.s e emëroi dikë si mbledhës të zekatit. Kur u kthye me pasuritë e mbledhura të zekatit, ai i tha Profetit a.s:”Këto janë të zekatit, kurse këto, mi kanë bërë peshqesh mua njerëzit.” Profeti a.s ia ktheu:”Po sikur të kishe qëndruar në shtëpinë e babait dhe nënës tënde, a thua do të ti kishin sjellë këto peshqeshe njerëzit?! Pasha Zotin që ka në dorë jetën time, kushdo që merr diçka padrejtësisht, ditën e Kiametit do e mbajë në qafë, deve, lopë apo dele qoftë.” Mandej, Profeti a.s ngriti duart lart nga qielli, saqë iu dukën dhe sqetullat dhe tha tre herë:”O Zot! Ji dëshmitar që ua kumtova!”

Thotë Profeti a.s:”Peshqeshet që u jepen nëpunësve janë ryshfet.” E nëse kjo është e tillë për nëpunësit, për gjykatësit është akoma më e rëndë.

Kur lejohet ryshfeti?

Sipas juristëve myslimanë, ryshfeti lejohet vetëm atëherë kur një të drejtë të ligjshme tënden, nuk mund ta marrësh veçse duke paguar ryshfet. Në këtë rast, lejohet për personin që kërkon të drejtën e tij, por mbetet haram për atë që e merr.

Dallimi mes dhuratës dhe ryshfetit

Dallimi mes peshqeshit dhe ryshfetit, është se atij që i jepet peshqeshi bëhet menjëherë pronar i tij, sakaq atij që i jepet ryshfeti nuk bëhet pronar i tij. Një dallim tjetër është se ryshfeti jepet në rast halli, ndërkohë që kjo nuk ndodh me peshqeshin dhe dhuratën. Ai që merr ryshfetin, duhet ta kthejë, edhe nëse e ka konsumuar, ndërkohë që dhurata nuk kthehet, është konsumuar apo jo.

Transmetohet nga Abdullah ibnu Abasi:”E kam dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s të thotë:”Ai që jep sadaka dhe kërkon ta rimarrë përsëri, është si shembulli i qenit që vjell pastaj ha atë që volli.”

Nëpunësi që kryen një funksion në administratë, ka rrogën e caktuar nga qeveria, rrogë të cilën e ka obligim që ta marrë, edhe nëse nuk ka nevojë. Transmetohet nga Abdullah ibnu Mesud, se vajti tek Omer ibnul Hattabi gjatë kalifatit të tij dhe ai i tha:”A nuk të kam thënë se je punonjës i administratës shtetërore dhe se rrogën e caktuar duhet ta marrësh?” Ibnu Mesudi iu përgjigj:”Po, më ke thënë. Por unë kam kuaj dhe skllevër të shumtë, prandaj dhe kam vendosur që rrogën time t’ia lë myslimanëve.” Omeri i tha:”Mos e bëj këtë, sepse edhe unë pata vepruar të njëjtën gjë në kohën e Profetit a.s. Ai më shpërblente për përgjegjësitë që mbuloja dhe unë ua jepja atyre që ishin më të varfër se unë. Profeti a.s më tha:”Merre dhe shpenzoje për vete!” /AO/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit