1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Pesë vjet nga arrestimet në rastin “Monstra”, krimi ende mbetet enigmë (VIDEO)

Më të lexuarat

Sot është 5 vjetori i arrestimeve për rastin “Monstra”

Rasti “Monstra”, si rrodhën ngjarjet nga 12 prilli 2012

Në pesë vjetorin e vrasjes së pesëfishtë në Smillkovcë të Shkupit, dy palët, si familjarët e maqedonasve të vrarë ashtu edhe ata të shqiptarëve të dënuar, kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit, apo siç thonë, gjetjen e autorëve të vërtetë të krimit të 12 prillit të vitit 2012.

Vrasja e pesë maqedonasve, katër prej tyre të rinj rreth të 20-tave dhe e një peshkatari më të moshuar, që ka ndodhur pranë një liqeni artificial në veri të Shkupit, është cilësuar si akt terrorist me motive fetare dhe pesë persona janë dënuar me burgim të përjetshëm, Fejzi Aziri, Haki Haziri, Alil Demiri dhe Agim dhe Afrim Ismailoviq, që ndodhen në arrati.

Por, familjarët e të dënuarve asnjëherë nuk e kanë pranuar veprën duke akuzuar politikën të ketë gisht në këtë akt që është dënuar edhe nga vet ata. Por, pavarësisht kësaj si edhe pretendimeve tjera mbi pafajësinë e tyre, ata janë shpallur fajtor duke marrë dënimin maksimal.

Ngjarja mori dimension tjetër me paraqitjen e aferës së përgjimeve nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, i cili pati deklaruar se nga bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve ka mësuar se të dënuarit për rastin “Monstra” janë të pafajshëm dhe se në këtë akt makabër kanë gisht struktura të caktuara që përmes nxitjes së tensioneve dëshirojnë destabilizimin e Maqedonisë.

Megjithatë, edhe dy vjet nga kjo deklaratë e vërteta nuk është zbardhur.

“Mendoj se bën marrëveshje VMRO-ja, BDI-ja dhe LSDM-ja që të mos publikojnë asgjë. Ne ndjehemi të mashtruar. Nuk kemi më asnjë shpresë edhe tek Katica Janeva (Prokurorja Speciale) pasi ajo na premtoi se do të jetë rasti i parë që do ta shqyrtojë por deri më tani këtë nuk e ka bërë. Pra, ende nuk ka asgjë nga drejtësia që na u premtua për zbardhjen e vrasjes së fëmijëve tanë”, thotë Goran Nakevski një nga familjarët e maqedonasve të vrarë.

Bedri Ajdari nga këshilli i familjarëve të dënuar thotë se shqiptarët dhe maqedonasit e zonës asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë konflikt mes veti, por se kanë jetuar në fqinjësi të mirë. Ai beson se bëhet fjalë për një rast tragjik të montuar me qëllim e vetëm nxitjen e tensioneve për synime të caktuara. Ai bën thirrje që ankesat e tyre sa më parë të shqyrtohet nga instancat e larta gjyqësore.

“Ne si familje që jemi jashtë dhe të burgosurit që i kemi brenda, nuk e dimë ende se për se u zgjodhën familjet tona që ta mbulojmë këtë rast. Nga bisedat e përgjuara telefonike e dimë se jemi të pafajshëm, këtë në fakt e kemi ditur që nga dita e parë, por për të demaskuar këtë u desh të dilnin “bombat” (afera e përgjimeve). Edhe opozita e thotë se jemi të pafajshëm e këtë e themi edhe ne, por edhe dy vite nuk ka asnjë epilog edhe pse lënda ndodhet në Gjykatën supreme”, thotë Ajdari për rel.

Lideri i Lidhjes social-demokrate, Zoran Zaev më herët pati deklaruar se materialet që posedon nuk i ka publikuar pasi ka frikë që ky rast mund ta destabilizojë vendin, andaj edhe sipas tij i mbetet që ta hetojë Prokuroria Speciale.

“Pse nuk e kemi bërë deri më tani këtë. Nuk e kemi bërë pasi realisht kam frikë se ajo të cilës i gëzohem si fëmija i vogël mund të rrënohet, e kam fjalën për unitetin ndëretnik që kemi krijuar”, pati deklaruar Zaev duke njoftuar dorëzimin e të gjitha materialeve Prokurorisë Speciale për hetimet e të gjitha shpërdorimeve nga zyrtarët shtetëror.

Por, njohësit e çështjeve juridike janë pesimist nëse gjyqësori do të ketë vullnet të zbardh këtë rast.

Profesori i së drejtës kushtetuese Osman Kadriu, njëherësh avokat në shumë procese gjyqësore, thotë se edhe Prokuroria Speciale do ta ketë të vështirë ta hetojë këtë rast për shkak të pengesave nga institucionet gjyqësore.

Ai thotë se lëvizje mund të ketë por jo nga ky pushtet.

“Kjo besoj se do të ndodhë nëse kemi ndryshim të pushtetit. Nëse nuk kemi ndryshim të pushtetit, apo zgjedhjen e qeverisë së re, atëherë mendoj se ky rast do të zvarritet ashtu siç zvarriten edhe rastet tjera, përfshirë këtu edhe rastin e Sopotit”, thotë Kadriu.

Prokuroria Speciale disa herë ka kërkuar që ky rast t’i kalojë për hetim këtij institucion por kërkesa e saj tani disa muaj nuk shqyrtohet nga Këshilli i Prokurorëve, organ ky që besohet se punon sipas urdhrave të pushtetit aktual.

Ndryshe, për rastin “Monstra” disa herë janë mbajtur edhe protesta që janë përshkallëzuar në dhunë mes protestuesve shqiptarë dhe forcave të rendit, duke rrezikuar një konflikt të përmasave më të gjera.

https://www.facebook.com/Almakos1/videos/1655714817802697/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit