Të paktën pesë persona kanë vdekur në një stuhi dimërore që ka përfshirë një pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke çuar në mbyllje masive të shkollave, kaos udhëtimesh dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Shtatë shtete amerikane shpallën një situatë emergjence: Maryland, Virginia, West Virginia, Kansas, Missouri, Kentucky dhe Arkansas, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Si pasojë, më shumë se 2,300 fluturime janë anuluar, me afro 9,000 vonesa të raportuara gjithashtu për shkak të motit ekstrem të shkaktuar nga vorbulla polare e ajrit të ftohtë të akullt që zakonisht rrethon Polin e Veriut.
Rreth 190,000 njerëz nuk kishin energji herët të martën në të gjitha shtetet “në rrugën e stuhisë”, sipas Poweroutage.us.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), bora dhe reshjet parashikohen të vazhdojnë gjatë ditës në pjesën më të madhe të pjesës verilindore të SHBA-së.
Ndërsa reshjet më pas do të ndalen, ajri i ftohtë i Arktikut pritet të mbajë kushtet e akullta në një pjesë të vendit për disa javë të tjera.
Në pjesë të tjera të SHBA-së, stuhia e dimrit solli me vete kushte të rrezikshme rrugore.
Në Missouri, patrulla e autostradës së shtetit tha se të paktën 365 njerëz ishin aksidentuar të dielën, duke lënë dhjetëra të lënduar dhe të paktën një të vdekur.
Në Kansasin aty pranë, një nga shtetet më të goditura, mediat lokale raportuan se dy persona humbën jetën në një aksident automobilistik gjatë stuhisë.
Në Houston, Teksas, një person u gjet i vdekur nga moti i ftohtë para një stacioni autobusi të hënën në mëngjes, thanë autoritetet.
Në Virxhinia, ku u raportuan 300 përplasje makinash midis mesnatës dhe mëngjesit të së hënës, autoritetet paralajmëruan banorët vendas që të shmangin drejtimin e automjeteve në pjesë të mëdha të shtetit.
Sipas raporteve të mediave lokale, të paktën një shofer gjeti vdekjen.
Matthew Cappucci, një meteorolog në aplikacionin e motit MyRadar, tha për BBC se Kansas City kishte parë borën më të madhe në 32 vjet. /Telegrafi/