Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat 5-0 ndaj Sevillas në Santiago Bernabeu, në një ndeshje që isht festë për mbretërit pas triumfit të pestë të Ronaldos si lojtari më i mirë në botë.
90 mijë tifozë ishin mbledhur në Bernabeu për të shikuar duelin që u supozua të jetë një derbi mes skuadrave që po luftojnë për pesë pozitat e para.
Megjithatë, kjo ishte gjithçka tjetër pos një derbi – një duel inferoriteti i Sevillas ku Reali bëri proces të shkurtër.
Pas dy minutash lojë Nacho ishte ai që gjeti golin për 1-0 pas një tollovie në zonë.
Në minutën e 23-të Asensio gjenë Ronaldon dhe e vë para golit, ku në situatë “një me një” ishte Cristiano ai që me një goditje të ulët shënoi për 2-0.
Vetëm nëntë minuta më vonë, CR7 u gjend në pikën e bardhë pas një prekje me dorë për të shënuar për 3-0.
Në minutën e 38-të Toni Kroos nga afërsia shënoi për 4-0, kurse shpejt shtoi një gol edhe Hakimi i cili pranoi një pasim nga Benzema për të shënuar me një gjuajtje precize për 5-0.
Super CR7, Foto: Getty Images
Në pjesën e dytë Reali ndali hovin, kontrolloi lojën, por refuzoi të turpëronte kundërshtarin që nuk ishte ekzistent.
Me këtë fitore prej 5-0, Real Madridi ka 31 pikë në tabelë, pesë pikë më pak se Barcelona që të dielën udhëton në El Madrigal për t’u përballur me Villarrealin.