1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Përurohet xhamia e re në fshatin Llozicë të Malishevës

Më të lexuarat

Të premten, me datë 10 janar 2020, me këndimin e tekbireve dhe në mënyrë solemne u bë hapja e xhamisë së fshatit Llozicë të Malishevës. Në këtë ceremoni përveç shumë xhematëlinjëve, të pranishëm qenë edhe zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet ef. Rama, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i shoqëruar edhe nga zëvendësi i tij, Fatmir ef. Iljazi, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Xhevat ef. Kryeziu, si dhe hoxhallarë të tjerë.
Ceremonia e hapjes filloi me leximin e një ashereje nga Kurani Fisnik, të cilën e lexoi imami Behar ef. Gashi.
Më pas, me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Xhevat ef. Kryeziu, i cili falënderoi në mënyrë të veçantë Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës me në krye Myftiun Naim ef. Tërnava, për punën dhe të arriturat e tij në përmirësimin e jetës fetare në vend. “Dita më e zgjedhur e javës është dita e xhuma, ndaj sot Llozica feston dhe e kremton këtë ditë në një mënyrë më të veçantë, ngase për herë të parë ky vend po bëhet me një xhami, në të cilën do të adhurohet e madhërohet Allahu. Falënderoj Myftiun Tërnava dhe Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë për ndërtimin e kësaj xhamie, po ashtu falënderoj banorët e fshatit për kontributin e tyre në ndërtimin e kësaj xhamie. E uroj imamin e kësaj xhamie dhe gjithë banorëve të këtij fshati”, tha ndër të tjerash kryetari Kryeziu.
Në emër të Myftiut Tërnava, një fjalë përshëndetëse e mbajti zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet ef. Rama, i cili uroi dhe përgëzoi banorët e fshatit për ndërtimin e kësaj xhamie.
“Pejgamberi a.s. ka thënë: “Xhamitë janë shtëpi të Allahut në tokë”, andaj sot me lejen e Zotit ne po përurojmë një të tillë. Sot unë nuk do të flas për rolin e xhamive, por do t’i them dy fjalë për vlerën e ndërtimit të tyre. Ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi a.s. në hadithin e tij, ku ka thënë se me vdekjen e personit mbyllen edhe veprat e tij, me përjashtim të atij që ka lënë një sadaka rrjedhëse, prej së cilës vazhdojnë të përfitojnë të tjerët edhe pas vdekjes së tij, e ne e lusim Zotin që të gjithë ata që kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj xhamie, Zoti t’i shpërblejë me mirësitë e tij. Urojmë imamin e kësaj xhamie Besmir ef. Foniqin, si dhe gjithë banorët e këtij fshati për këtë xhami dhe e lusim Zotin që ta gëzoni e ta vazhdoni rrugën e hoxhallarëve të vjetër për mësimin dhe praktikimin e islamit në këto vende.”

 

Hytben e xhumasë e mbajti kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i cili fillimisht përcolli urimet dhe përgëzimet e tij dhe të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për hapjen e kësaj xhamie. Më pas, ai në ligjërimin e tij foli rreth vlerës dhe rëndësisë që ka dituria dhe vatrat e saj që janë shkollat dhe xhamitë.“Zoti në Kuran ka thënë: O ju që keni besuar, ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri i xhehenemit,” e ne mund t’i mbrojmë vetëm me edukatë dhe moral të mirëfilltë, prandaj si shkollat ashtu edhe xhamitë janë vatra nga ku ndizen shkëndijat e dijes dhe pajisin mendjet me largpamësinë që na takon. Andaj nuk është rastësi që libri i fundit Kurani fisnik fillon me fjalën “Lexo”. Këtë kur e kujtojmë e kuptojmë që jemi ymeti i fjalës lexo, jemi ata që Allahu na ka ngarkuar me atë që nuk mund ta bartin qiejt dhe toka. Allahu na e mundësoftë që ne t’i realizojmë synimet e baballarëve dhe të gjyshërve tanë, e kemi obligim që ta përcjellim amanetin e tyre, ngase të gjithë jemi përgjegjës për atë që na është dhënë në përgjegjësi. Kjo xhami le të jetë vend i dritës dhe i diturisë,” tha ndër të tjerash kryeimami Bajgora.
Krejt në fund, të pranishmit i përshëndeti edhe imami i kësaj xhamie Besmir ef. Foniqi, i cili luti Zotin që t’u japë mbarësi dhe bereqet në këtë mision që kanë para vetes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit