-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Përtej politikës: Nga Sarajeva në Banja Llukë: Dodik, Vuçiç dhe Putin

Më të lexuarat

Nga Linda Karadaku

Presidentja e republikës serbe të Bosnjë-Hercegovinës Zeljka Cvijanoviç ka nënshkruar një dekret që thotë se entiteti i dominuar nga serbët nuk do të zbatojë një ligj të imponuar nga zyrtari kryesor ndërkombëtar i Bosnjës dhe Hercegovinës që ndalon mohimin e gjenocidit, nëse kjo nxit urrejtje ose dhunë. Sipas dekretit, autoritetet e Republikës Srpska nuk do të bashkëpunojnë me institucionet e nivelit shtetëror të Bosnjës dhe Hercegovinës për të zbatuar ligjin, i cili u imponua në korrik nga Përfaqësuesi i Lartë në largim Valentin Inzko, që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë në periudhën 1992-1995. Ligji Inzko ndalon mohimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit dhe lavdërimin e kriminelëve të luftës.

Ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjë Hercegovinës hynë në fuqi më 28 korrik, dhe ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, të vendosura nga ish-përfaqësuesi i lartë, Valentin Inzko, Prokuroria në Bosnje ka iniciuar 22 raste me akuza për këto krime. Politikanët serbë të Bosnjës refuzojnë klasifikimin e masakrës së Srebrenicës të kryer nga forcat serbe të Bosnjës si gjenocid, pavarësisht nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore. Në një vendim në 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë gjithashtu i përcaktoi masakrat e Srebenicës si genocid, duke arritur në përfundimin se “ato ishin kryer me qëllimin specifik për të shkatërruar pjesërisht grupin e muslimanëve të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Anullimi I ligjit të Inzkos nga zyrtarët e Republika Srpska, konsiderohet nga analistët grusht shteti, sepse nivelet më të ulëta të qeverisjes nuk mund të mohojnë në mënyrë të njëanshme ligjet e miratuara në një nivel më të lartë shtetëror. Për më tepër, përfaqësuesi serb Milorad Dodik, ka paralajmëruar lëvizje edhe më të rrezikshme, sic është ai për kthimin në Dejtonin “original”, që do të thotë ndalimi I punës së agjencive shtetërore (SIPA – Agjencia Shtetërore për Hetimin dhe Mbrojtjen dhe OSA –  Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë) në territorin e entitetit të Republikës Srpska. Dodik kërcënon gjithashtu me tërheqjen nga “marrëveshja për Forcat e Armatosura të B-H” dhe riformimin e ushtrisë së RS, me largimin nga sistemi fiskal shtetëror dhe ndalimin e punës së organeve shtetërore gjyqësore në territorin e këtij entiteti.

Duket qartë që Dodik është gati të bëjë gjithcka për të ndenjur në pushtet. Por është gjithmonë e më pak i sigurt ndërkohë që vazhdon të humbasë mbështetjen e serbëve nga RS. Shumë njerëz në këtë entitet mendojnë se kërcënimet e Dodikut janë vetëm “retorikë parazgjedhore”, dhe sic ka shërbyer në dhjetë vitet e fundit, shërben edhe tani për homogjenizimin e elektoratit. Por në Sarajevë, shohin me shqetësim, një retorikë që ngjan gjithnjë e më shumë me vitet 90-të, si një model për shpërbërjen e mëtejshme të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Kriza aktuale politike dhe kushtetuese në Bosnjë Hercegovinë është më e madhja që nga Dejtoni dhe opozita në këtë entitet e mbështeti Dodikun për shfuqizimin e “ligjit të Inzkos” në parlamentin e republika srpska, por megjithatë, opozita nuk është gati ta mbështesë Dodik në shfuqizimin e njëanshëm të ligjeve shtetërore.

Asambleja Kombëtare e Republika Sërpskës miratoi me procedurë urgjente më 30 korrik Ligjin për Moszbatimin e Vendimit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) Valentin Inzko mbi Ndalimin e Mohimit të Gjenocidit. Posti i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, me statusin e misionit diplomatik në Bosnje dhe Hercegovinë, është formuar bazuar në kornizën e Marrëveshjes së paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, Marrëveshja e Dejtonit, e arritur më 21 nëntor, 1995, në bazën ushtarake në Dejton të Shteteve të Bashkuara. Përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë ka autoritetin për “interpretimin final” të Marrëveshjes për zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes së Dejtonit. Dodik i cili është anëtari serb i presidencës trekrerëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, pati deklaruar se Republika Sërpska “duhet të fillojë procesin e shpërbërjes”.

Dodik është njeriu I presidentit serb Vuçiç. Ai u takua në Beograd me Vuçiç dhe ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov. Dodik kërcënon se “do të marrë kazermat e forcave të armatosura të Bosnjë Hercegovinës, siç kanë bërë sllovenët me kazermat e ish-JNA-së (Ushtrisë popullore jugosllave) në vitin 1992”. Deklaron gjithashtu se “miqtë i kanë premtuar ndihmë Republikës Srpskës në rast të përshkallëzimit të dhunës dhe ndërhyrjes ushtarake të Perëndimit.” Nuk pritet që as Serbia dhe as Rusia ta mbështesin hapur Dodikun ushtarakisht në rast të një konflikti të armatosur, por ndihma me mercenarë, paramilitarë dhe “vullnetarë”, po. Por nuk është kaq e thjeshtë. Në Bosnjë Hercegovinë janë EUFOR (European Union Force – Forcat e BE -së në B-H) dhe shtabi I NATO-s, të cilët ndjekin situatën dhe janë gati të reagojnë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar “vendet e fuqishme evropiane” do të kërkojnë deri në fund të pranverës së ardhshme “zhdukjen e RS”. Reagime kanë ardhur edhe nga Kroacia, e cila ka kroatët e vet në këtë vend. Ministri I jashtëm kroat Gordan Grliç Radman, ka theksuar se në vend të konsensusit për reformën e ligjit zgjedhor, tani ka përshkallëzim politik dhe bllokim të institucioneve.

Por komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë edhe aq I unifikuar në reagimin ndaj Dodik. Serbia dhe Kroacia dhe përfaqësuesit e nëntë vendeve të tjera evropiane iu përgjigjën ftesës së Dodik kohët e fundit për një takim në Sarajevën lindore, në të cilin ai deklaroi se republika srpska do të anullonte në mënyrë të njëanshme ligje të rëndësishme shtetërore. Në takimin e Dodikut morën pjesë ambasadorët e Kroacisë, Norvegjisë, Polonisë, Bullgarisë, Greqisë, Suedisë, Rumanisë dhe Zvicrës. Dodik ka deklaruar gjithashtu se shtatë vende anëtare të BE do të mbështesin një “shpërbërje paqësore” të Bosnjë-Hercegovinës, por zëdhënësi I BE-së, Peter Stano tha se nuk ka shtatë anëtarë të BE, që janë në favor të një “shpërbërje paqësore”. “Kushdo që vë në dyshim integritetin dhe integritetin e B-H nuk është i pranueshëm për BE. Ky është një pozicion dhe qendrim i qartë i të gjithë 27 anëtarëve të BE – ne jemi të përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit të Bosnjë-Hercegovinës,” tha Stano.

Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës ka nisur procedurën kundër Dodik për kërcënime ndaj integritetit territorial dhe institucioneve të Bosnjë-Hercegovinës, megjithatë, mbështetja që ai merr nga Serbia dhe Rusia është më shumë se shqetësuese. Por Shtetet e Bashkuara e futën Dodik në listën e zezë të sanksioneve në vitin 2017 për pengimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës nga viti 1992 deri në vitin 1995 duke sfiduar urdhrat e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Jashtme e Thesarit, OFAC, konfirmoi se kishte shtuar Dodikun në listën e personave të sanksionuar “për rolin e tij në sfidimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës në kundërshtim me sundimin e ligjit, duke penguar kështu në mënyrë aktive Marrëveshjen e Dejtonit”. “Duke penguar Marrëveshjen e Dejtonit, Milorad Dodik paraqet një kërcënim të rëndësishëm për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës,” tha OFAC. Sanksioni nënkupton se çdo pronë e Dodik apo interes në pronë në pronësi të ndonjë shtetasi amerikan ose brenda juridiksionit të Shteteve të Bashkuara është bllokuar. Shtetasve amerikanë gjithashtu e kanë të ndaluar të kryejnë transaksione me të./ Abcnews.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit