4.5 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Përsëritja e gjërave nga tri herë

Më të lexuarat

Larja e gjymtyrëve nga tri herë gjatë marrjes së abdesit:

Larja e gjymtyrëve nga tri herë kur njeriu merr abdes është Sunet. Ai i cili merr abdes i lan duart deri në kyçe tri herë, po ashtu shpëlan gojën dhe hundën tri herë, lan fytyrën, parakrahët dhe këmbët deri në nyje tri herë. Hamrani tregon se e ka parë Othmanin (r.a.) të kërkojë një enë me ujë (për të marrë abdes). Ai hodhi ujë në duar dhe i lau ato tri herë, pastaj futi dorën e djathtë në enë (mori ujë) dhe e shpëlau gojën tri herë, lau edhe hundët duke tërhequr ujë dhe duke shfryrë pastaj tri herë. Pastaj lau fytyrën tri herë edhe parakrahët bashkë me bërrylat tri herë, pastaj i dha mes’h kokës, pastaj i lau këmbët deri në nyje tri herë dhe pas kësaj tha: I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush merr abdes si abdesi që morra unë, pastaj fal 2 reakte namaz, gjatë të cilit përqendrohet e nuk mendon gjëra të tjera, do t’i falen të gjitha gjynahet e mëparshme.”[1]

Larja tri herë gjatë guslit:

Ashtu sikurse gjatë abdesit larja e gjymtyrëve tri herë është Sunet, po ashtu edhe larja tri herë gjatë guslit është Sunet. Kështu juristët islam janë të mendimit se ai që merr gusul duhet ta lajë kokën tri herë, anën e djathtë dhe të majtë tri herë. Argumet për këtë janë fjalët e Aishes (r.a) e cila tregon: “Sa herë që Profeti (a.s) merrte gusul, pasi ishte bërë xhunub, gjithmonë fillonte duke larë duart, pastaj merrte abdes si ai që merrte për faljen e namazit. Pastaj do t’i fuste gishtat në enën me ujë dhe me ta do t’i shpupuriste rrënjët e flokëve. Pastaj do të hidhte në kokë tri grushta me ujë dhe pastaj do t’i hidhte ujë gjithë trupit të tij.”[2]

Larja e xhenazes tri herë:

Larja e xhenazes tri herë duke i dhënë gusul është një veprim i pëlqyeshëm (mustehab). Por xhenazja mund të lahet duke i dhënë gusul edhe më tepër se tri herë, në rastin kur këto tri larje nuk mjaftojnë dhe xhenazja nuk është pastruar akoma. Ummu Atije (r.a.) tregon: “Erdhi tek ne i Dërguari i Allahut (a.s) kur atij i vdiq e bija (Zejnebja), dhe tha: Lajeni atë tri herë, pesë herë ose më shumë..”[3]

Pastrimi nga tri herë pas kryerjes së nevojave personale:

Pasi njeriu kryen nevojat personale e ka për detyrë që të pastrohet. Numri i pastrimit nuk është kusht se sa, por është e pëlqyeshme që të jetë tri herë. Profeti (a.s) ka thënë: “Askush mos të pastrohet më me pak se tri gurë.”[4]

Përsëritja nga tri herë e tesbiheve në ruku dhe sexhde:

Kur muslimani është në ruku thotë: “Subhane rab-bijel adhim” dhe kur është në sexhde thotë: Subhane rab-bijel a’ala” Përsëritja tri herë e këtij dhikri në ruku dhe sexhde është Sunet. Dhe është veprim i pëlqyeshëm (mustehab) nëse thuhet më tepër se tri herë, por duhet patur parasysh që numri duhet të jetë tek, pra të përsëritet: 5, 7, 9 deri në 11 herë. Profeti (a.s) ka thënë: “Kur dikush bie në ruku dhe thotë tri herë: Subhane rab-bijel adhim e ka plotësuar rukunë. Dhe ky është kufiri më i ulët. E ksuh thotë në sexhde tri herë: Subhane rab-bijel a’ala e ka plotësuar sexhden e tij. Dhe ky është kufiri më i ulët.”[5]

Trokitja në derë:

I lejohet njeriut që të trokasë tri herë në derën e dikujt që po i shkon për vizitë. Nëse dera nuk i hapet atëherë ai duhet të largohet. Vetëm nëse është i bindur se ata që janë brenda në shtëpi nuk e kanë dëgjuar trokitjen, atëherë mund të trokasë më tepër se tri herë.


[1] Buhariu (159).

[2] Buhariu (248).

[3] Buhariu (1254)

[4] Muslimi

[5] Tirmidhiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit