2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Përse tentoni t’i heshtni hoxhallarët, apo si mund ta mohoni shkencërisht se koronavirusi nuk është një përgjigje e Zotit!

Më të lexuarat

Më ka rënë në sy shumë herë kur hoxhallarët japin mendime dhe citojnë ndonjë ajet të Kur’anit apo hadith të Muhamedit a.s. për ndonjë çështje të caktuar, sikur tani për koronavirusin, qohet në këmbë “një dynja” duke i kritikuar papërmbajtshëm e duke përdorë lloj-lloj sarkazme, se, ja, filan hoxha çka paska folur e deri ku paska shkuar!

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Nuk e kuptoj dot se çka donë të thonë këta njerëz me këto marifetllëqe? Pa çka nëse hoxha ka shtruar mendimin e fesë rreth diçkaje? Ju që po vloni e stërvolini nëpër rrjete sociale, mos ndoshta mendoni se i dini këto më mirë se hoxhallarët? Apo, se mund ta argumentoni të kundërtën e asaj që e thonë hoxhallarët? Apo ndoshta po doni që hoxhallarët ose të mos flasin, ose kur të flasin për këto çështje, të flasin me gjuhën dhe terminologjinë e mjekut apo shkencëtarit përkatës?

Gabim e keni, zotërinj!

Gabim e keni, sepse gjuha e fesë është gjuhë në vete. Është gjuhë specifike. Ajo e ka terminologjinë e vetë të pavarur nga shkencat tjera. Gjuha dhe të shprehurit e fesë dallon nga gjuha dhe të shprehurit e cilës do shkencë tjetër. Qasja e fesë ndaj cilit do problem, dallon nga qasja profesionale e cilit do shkencëtar apo ekspert i cilës do fushe tjetër. Andaj, kjo aspak nuk duhet t’i ndalojë hoxhallarët që të përdorin gjuhën e fesë dhe të japin mendimin e tyre dhe të fesë rreth çështjeve të caktuara.

Tek e fundit, përderisa shkenca nuk ka arrit të argumentojë diçka, apo ta argumentojë të kundërtën e asaj që e thotë Kur’ani dhe hadithi, me se ju mund ta argumentoni të kundërtën e asaj që e thotë feja dhe hoxhallarët? Në rastin konkret, kush mund ta mohojë faktin se koronavirusi si një molekulë proteinike që është e që vepron si një strukturë organike infekcioze, nuk vjen pikërisht prej disa kafshëve apo gjallesave të cilat në Kinë e Itali hahen, por që Kur’ani i ka ndaluar në mënyrë decide dhe shumë të ashpër?

Nuk është aspak e gabueshme të jepet edhe mendimi i fesë rreth fenomeneve që ndodhin në natyrë, rreth shkaqeve të përhapjes së epidemive e pandemive të ndryshme. Përse tu mohohet atyre gjuha religjioze për të cilën ata janë të thirrur ta përdorin? Kush mund ta mohojë atë që e thotë feja (islame) e që shprehet nëpërmes gjuhës fetare të cilën e përdorin hoxhallarët?

Po, ju mund të kishit pas të drejtë të kritikoni, nëse hoxhallarët thonë se zbulimet shkencore janë të pavërteta. Se feja nuk i mbështetë ato. Se, në rastin konkret, shkenca nuk mund të bëjë asgjë me koronavirusin, dhe se atë mund ta asgjësojnë njerëzit e fesë vetëm me lutje e rituale të ndryshme fetare. Ama, këtë nuk e thonë hoxhallarët. Ata e thonë atë që e thotë shkenca, plus ia bashkangjesin edhe mendimin e fesë. Eh pra, ç’të keqe ka kur thuhet se intervenimi i Zotit me dënim apo shpërblim është evident? Çka pritni ju nga një hoxhë të thotë në këso momente? Se Zoti nuk ka qasje, nuk intervenon, nuk është në dijeni apo se nuk ndërhynë në proceset e natyrës të cilën vetë e krijoi?

Po a nuk është e vërtetë edhe shkencërisht se shkaqet dhe pasojat janë të ndërlidhura fuqishëm mes vete, reciproke dhe të pandashme? Se ndodhitë, ngjarjet, zhvillimet e fenomenet ndikohen prej njëra tjetrës ku ato reflektojnë në mënyra të ndryshme prej kohës në kohë? Si mund ta argumentoni apo mohoni shkencërisht se koronavirusi nuk është një përgjigje e Zotit, ashtu siç e shprehë feja me gjuhën e saj?

Hoxhallarët janë njerëzit të cilët e lexojnë edhe Kur’anin edhe hadithet e pejgamberit a.s. Ata e dinë pra se Kur’ani i porositë njerëzit ta studiojnë natyrën dhe njeriun. Kur’ani urdhëron ta lexojmë shkronjën, fjalën, fjalinë dhe jetën në përgjithësi. Urdhëron t’i shkohet thellësive të pafundme të natyrës dhe jetës njerëzore. Kur’ani këtë e thotë haptas po aq sa porositë të jemi të devotshëm e t’i kryejmë obligimet e ritualet tjera fetare. Ani pse ritual fetarë e quan edhe punën, edhe leximin, edhe studimin edhe hulumtimin e çdo gjëje që na rrethon. Urdhëron që të kryhen të gjitha këto rituale, por secilën në mënyrën e vetë, në kohën e vetë dhe në vendin e vetë.

E kuptoj, mendësia e cila dëshiron dhe thërret në “izolimin” e hoxhallarëve që të mos flasin edhe për këto tema, i ka rrënjët tek lufta e kahmotshme kundër fesë dhe njerëzve të fesë. Është e njohur pikëpamja sekulariste që fenë ta shkoqitë dhe ta hedhë matanë ndodhive dhe proceseve shoqërore dhe të natyrës. Por, në të njëjtën kohë, është i njohur edhe insistimi i pakompromis i fesë që të jetë bashkë-pjesëmarrëse në të gjitha ndodhitë dhe manifestimet që kanë të bëjnë me njeriun dhe natyrën. Është e drejtë e pamohueshme e saj, sikur që, ajo ka mjaftë çka të thotë në lidhje me të gjitha këto.

Prandaj, nuk mund të justifikohet tendenca që hoxhallarëve tu mohohet e drejta të kenë qasje në shpjegimet dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve dhe ndodhive të ndryshme në natyrë dhe tu japin shpjegime edhe fetare.

Është e drejtë elementare e hoxhallarëve të flasin për çdo gjë që i porositë Kur’ani. Pa hezituar fare dhe pa u ndje keq nëse eventualisht po gabojnë teksa po flasin me gjuhën e fesë….!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit