Nëse jeni duke veshur një këmishë të meshkujve, atëherë e shihni se pullat, si zakonisht, gjenden në anën e djathtë. Por, nëse është këmishë e femrave, pullat zakonisht gjenden në anën e majtë – e njëjta gjë mund të thuhet edhe për zinxhirët e xhaketave.
Por përse është kjo dukuri?
Shumë historianë besojnë se e kanë përgjigjen për pyetjen se përse pullat e këmishëve të meshkujve gjenden në anën e djathtë: Shpjegimi më i zakonshëm dhe më i besueshëm është se në kohërat e vjetra rrobat kanë qenë të dizajnuara edhe për të mbajtur armë të ndryshme, transmeton Telegrafi.
Chloe Chapin, historian i modës, tregon se ky stil ka origjinën në ushtri. Nëse keni një armë të fshehur nën këmishë, atëherë më e lehtë është për ju ta kapni atë me dorën dominante. Pra, nëse pullat janë në anën e djathtë, teorikisht ju mund ta futni dorën e djathtë më lehtë në këmishën apo xhaketën tuaj.
Por, para fillimit të përdorimit të armëve në Evropë, arsyeja për vendosjen e pullave në anën e djathtë kishte qenë më ndryshe. Siç tregon Megan Garber, arsyeja kishte pasur të bëjë me mënyrën se si meshkujt e nxjerrin shpatën e tyre. Thënë më shkurt, kjo traditë kishte mbetur si indikator i një stili mashkullor të jetesës.
Sidoqoftë, pse pullat e këmishës janë të vendosura në anën e majtë te femrat?
Sipas Melanie Moore, themeluese e brendit të këmishëve “Elizabeth & Clarke”, arsyeja për këtë mund të ketë me faktin se pullat nuk janë shpikur deri në shekullin e 13-të, ndërsa asokohe femrat jo domosdoshmërish i vishnin vetë rrobat e tyre.
“Gratë e pasura nuk visheshin vetë, por visheshin nga shërbëtoret”, tregon Moore.
Duke marrë parasysh se shumica e njerëzve e kanë dorën e djathtë dominuese, kishte qenë më e lehtë për shërbëtoret ta mbërthenin një këmishë kur pullat kishin qenë të vendosura në anën e majtë.
Kjo është teoria më e përhapur, por ekzistojnë edhe teori tjera. Një ndër to është se femrat i kanë mbajtur bebet me dorën e majtë, prandaj dora e djathtë u është nevojitur për t’i hapur pullat e këmishës që t’i jep gji bebes.