3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Përse nuk zgjohen studentët kosovarë?

Më të lexuarat

Kanë kaluar disa ditë, qysh se studentët vërshuan në rrugët e Tiranës për tëkërkuar përmirësim të kushteve në universitetet publike në Shqipëri dhe veçanërisht ulje të tarifave. Kjo protestë masive po cilësohet si një përpjekje për revolucion të arsimit të lartë. Por a do të duhej që një zgjim i tillë, të ndikonte edhe në Kosovë? A duhet që edhe ata të zgjohen dhe të kërkojnë llogari nga institucionet relevante për degradimin e skajshëm të UP-së? – Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje më të matur – shkruan Gazeta e Re.

Të gjitha raportet e publikuara nga organizatat joqeveritare, nxjerrin në pah problemet, defektet ose thënë me një fjalë: humnerën në të cilën është katandisur Universiteti ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë. Megjithatë, përkundër diagnostifikimit të gjendjes të cilën ia kanë bërë këto raporte, dhe përkundër asaj që taksapaguesit janë përgjithësisht të pakënaqur me gjendjen e këtij institucioni të lartë, nuk ka ndonjë reagim konkret që do t’i shtynte studentët, profesorët ose vet qytetarët që të ngriheshin e të protestonin. Duket që protestat masive në Tiranë, nuk i kanë frymëzuar kolegët e tyre në Prishtinë. Duke e analizuar situatën, Shkodran Ramadani, analist dhe njohës i rrethanave politike, vë në dukje dallimet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, përkatësisht studimeve universitare në këto dy metropole shqiptare. I pyetur se a do të duhej që studentët në Tiranë t’i motivonin ata në Prishtinë, Ramadani përgjigjet kësisoj:

“A duhet të movihohemi? Po, duhet të motivohemi. Çdo protestë studentore motivon jo vetëm student tjerë, por njerëz të të gjitha moshave dhe përtej kufijve. Mirëpo, çështja është se a ka bazë të mjaftueshme për mobilizim?! Në Shqipëri protestat janë shprehje e pakënaqësisë me tarifat e provimeve të bartura në veçanti dhe me çmimet e larta të arsimimit në përgjithësi. Pra është një kontekst i caktuar që ka krijuar kushtet për protestë. Që energjia studentore e protestës të përçohet edhe në Kosovë duhet që realiteti në Kosovë të jetë i ngjashëm me atë të Shqipërisë. Përkundër faktit që gjendja arsimore në Kosovë nuk është më e mirë se në Shqipëri, në Kosovë mungon shkaku që ka nxjerrë studentët në rrugë: çmimet e larta të studimeve.”

Sipas tij, çështja e tarifave, është një ndër arsyet që e bënë fillimisht një diferencë:

“Në Kosovë çmimet për edukim të lartë janë më të lirat në rajon dhe kjo i bën protestat të panevojshme sa u përket çmimeve. Nuk mund të organizohen protesta për cilësinë e dobët në universitet. Cilat do të ishin kërkesat? Mund të bëhet vetëm ndonjë marsh, por pa ndonjë kërkesë të qartë. Nuk ekziston një çështje që mund të shërbejë si spirancë për ndërtimin e një kauze të qartë. As në Shqipëri nuk u protestua për cilësi, por për çmime të larta dhe derisa në Kosovë çmimet të mbesin këto që janë, protestat serioze nuk do të jenë të gjasshme. Për t’u organizuar protestat nuk mjafton vetëm pakënaqësia me gjendjen e përgjithshme sociale e arsimore, por duhen edhe vendime apo skandale të veçanta si katalizatorë të mobilizimit studentor. P.sh në kohën kur u kuptua se ish-Rektori Ibrahim Gashi kishte publikuar në revista fiktive. Pa një skandal të tillë protestës i mungon orientimi i qartë. P.sh në Francë ka pakënaqësi me gjendjen ekonomike, por protestat nuk erdhën derisa Presidenti Macron nuk vendosi të ngritë çmimin e naftës. Pothuajse të gjitha teoritë sociologjike të mobilizimit qytetar i shohin si të domosdoshme “aktet përshpejtuese” për protestë. Kështu që nuk shoh ndonjë gjasë që në Kosovë të përcillet ajo protestë” – shprehet Ramadani.

Një gjë tjetër të cilën e vë në dukje ai, ka të bëjë me faktorin e brendshëm politik, i cili shtrihet si zgjatim deri në organizatat e studentëve, të cilat, nuk aktivizohen, pa e marrë një dritë të gjelbër nga subjektet politike:

“Por Kosova ka edhe një tjetër problem. Të gjitha lëvizjet studentore janë në gjumë. Disa janë pjesë e infrastrukturës burokratike të universiteteve dhe disa organizata janë zgjatime të partive politike. E përbashkëta e tyre është se ato janë më afër elitave sesa studentëve. Ndërkohë që disa organizata tjera, si Klubi Politik i Studentëve, që kanë qenë më afër studentëve tani janë joaktive. Ky realitet po ashtu pamundëson mobilizimin e studentëve, edhe nëse ka pakënaqësi. Pra arsyet pse në Kosovë nuk mund të përcillet energjia e protestës janë strukturore (nuk ka çmime të larta) dhe organizative (nuk ka organizata aktive për mobilizim të studentëve.”

Megjithatë, përkundër dallimeve, mbeten mjaftueshëm shkaqe për të kërkuar llogari nga krerët institucional.  Versioni i organizatave joqeveritare si ORCA dhe Admovere, bie tërësisht ndesh me atë që prezanton Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Dy ditë më parë, Ministri Shyqiri Bytyqi e prezantoi para Komisionit Parlamentar për Arsim – Projektligjin Për Arsimin e Lartë.

Grupi i Punës – i ngritur nga MASHT, sipas Ministrit Bytyqi, ka bërë një punë të mirë, ndërsa ka pasur për qëllim kryesor ndryshimet që kanë të bëjnë “me modernizimin dhe mënyrën e qeverisjes brenda institucioneve të arsimit të lartë, me qëllimin e vetëm që të kemi ngritjen e cilësisë brenda tyre.”

Sipas tij, projektligj ka dalë edhe në diskutim publik, ku të gjitha palët me interes, kanë pasur mundësinë dhe kanë dhënë komentet e tyre lidhur me të.

Gjithsesi pretendimi i ministrit se në arsimin e lartë universitar, është bërë punë e madhe, raportet reflektojnë krejt diçka tjetër. Çështjet si ajo e plagjiaturave dhe avancimeve të stafit akademik brenda UP-së, përkundër raportimeve, asnjëherë nuk e kanë marrë vëmendjen e plotë të ministrit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit