1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

PËRSE NDODHI TRAGJEDIA NË MEKKË?

Më të lexuarat

Tragjedia që ndodhi ditën e parë të Kurban Bajramit në Mina a është për shkak të qëndrimeve fetare të vjetërsuara të dijetarëve saudianë?

Kjo pyetje, shikuar nga perspektiva e rastit, nuk do të duhej të parashtrohej fare. Por, ja që nga ata që kanë vlerësuar rastin (kanë folur për shkaqet e fatkeqësisë) ka patur dhe të atillë që kanë fajësuar autoritetet fetare saudite që kinse po vuajtkan nga mendimet të vjetërsuara fetare të cilat duhet të moderohen dhe t’i përshtaten rrethanave të reja.

E për ç’rrethana është fjala?

Ose si të lexohen këto vlerësime?

Personalisht, duke analizuar rrethanat, kam ardhur në përfundim se vlerësime sikur këto janë tendencioze dhe qëllimkëqija. Këtë e them ndërsa parasysh kam dy fakte:
Bëhet fjalë për një pakujdesi (e klasifikuar kështu edhe zyrtarisht) të haxhilerëve, të cilët, përkundër lehtësimeve që janë bërë në infrastrukturën e vendeve ku kryhen ritualet, vazhdojnë të shkaktojnë probleme. Çdokujt, që ka kryer haxhin këto vitet e fundit dhe që ka parë e përjetuar nga afër këtë rregullim infrastrukturor, më së paku do t’i shkonte ndërmend se në këtë vend që ka ndodhur fatkeqësia do të mund të ndodhte diç e ngjashme, veçmas ditën e parë të hedhjes së guralecëve.
Nëse me ndryshim qëndrimesh aludohet në fetvatë që kanë të bëjnë me lejimin apo jo të hedhjes së guralecëve para namazit të drekës, gjegjësisht para zenitit të diellit, atëherë vlerësimi është i gabuar sepse frekuentimi i vendit të hedhjes së guralecëve ditën e parë të bajramit nuk ka të bëjë me këto fetva. Dijetarët kanë pohuar njëzëri se në ditën e parë (kur dhe ka ndodhur fatkeqësia) hedhja fillon pas lindjes së diellit por që lejohet të jetë edhe para kësaj kohe, madje tek disa në rast të frikës nga tollovitë e mundshme lejohet menjëherë pas mesnatës. Pastaj, edhe për ditët tjera, ndonëse kanë thënë se është mendim i shumicës se parimisht hedhjen e guralecëve duhet kryer pas zenitit të diellit, megjithatë, nëse hedhja kryhet para zenitit, për të shmangur tollovinë dhe kallaballëkun, atëherë nuk ka gjë të keqe.
Kështu, duke patur parasysh këto dy fakte, kam ardhur në përfundim se vlerësimet e këtilla, kanë ngjyrë të caktuar ideologjike dhe rrjedhimisht janë dashakeqëse dhe tendencioze. Më së paku që do të shkonte ndërmend në këtë fatkeqësi është të bësh vlerësime/thirrje të këtilla. Është si të thuash të shfrytëzosh fatkeqësinë e të tjerëve për promovim personal, për shfryrje personale të mllefit, për propagandë të caktuar. Fatkeqësitë janë fatkeqësi. Ato ndonjëherë vijnë si shkak i papërgjegjësisë, por shpesh ndodhin edhe si fenomene natyrore. Edhe kjo fatkeqësi në Mekkë mund të jetë shkak i nivelit jo të kënaqshëm të organizimit, për çka ka hapësirë për kritikë, por të merret shkas ky rast dhe të bëhet thirrje për reformim mendimesh dhe idesh, kjo është e pakuptimtë. Konsideroj se fetare dhe humane është që në fatkeqësi të këtilla të solidarizohemi me viktimat dhe familjet e tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit