Truri ynë është i programuar për të identifikuar kërcënimet. Titujt negativë u bien këmbanave të alarmit në amigdalën tonë, sistemin paralajmërues të trurit dhe kështu instinkti ynë i mbijetesës futet në punë. Për shembull, ndihemi sikur ne duhet të dimë detajet e frikshme të një vrasjeje, si një përpjekje për të parandaluar që kjo të ndodhë tek ne ose familja jonë. Ne duhet të dimë nëse duhet të ndryshojmë diçka në jetën tonë, për të ndihmuar në parandalimin e rrezikut të menjëhershëm.
Nuk ka shumë rëndësi nëse kërcënimi është i vërtetë dhe ai po ndodh, apo nëse është hipotetik dhe po e lexoni në internet; truri e ka nxitur tashmë interesin tuaj.
Ne e kemi mësuar median se me çfarë të na ushqejë
Nëse titujt tronditës shesin gazeta, atëherë kjo do të thotë që gazetat do të shtypen në më shumë kopje. Ka patur gjithmonë thirrje për mediat, që të raportojnë lajmin e mirë në krah të lajmeve të këqija – por në një kohë kur artikujt tronditës kanë një raport 17:1 me ata të mirë, kjo gjë ende nuk ka ndodhur.
Njerëzit thonë se duan të lexojnë lajme të mira, por njerëzit gjithashtu gënjejnë. Kështu studiuesit Marc Trussler dhe Stuart Soroka zhvilluan një eksperiment bazuar në mashtrime.
Të intervistuarve u thanë që do të shihnin një video dhe do të gjurmonin lëvizjet e syve. Por para se kjo të ndodhte, një aparat fotografik duhet të bënte matjet bazë të syrit. Për të arritur këtë, ata duhej të lexonin diçka në thellësi. U prezantuan disa artikuj dhe atyre iu tha që të lexonin me kujdes çdo gjë që u interesonte.
Pasi panë videon, pjesëmarrësit u pyetën se çfarë lloj lajmesh preferonin. Shumë prej atyre që thanë se mendonin që mediat ishin shumë negative, në të vërtetë ishin parë të lexonin vetëm artikuj negativë që në ushtrimin e parë.
Tronditet fantazia jonë e “botës së drejtë”
Përthithja e gjithë këtyre lajmeve të tmerrshme në mënyrë të përditshme nuk e ndryshon faktin se shumë prej nesh, e shohin botën si një vend më të mirë se sa është në të vërtetë. I kemi vënë syzet rozë dhe praktikojmë njëfarë injorance të paramenduar.
Pra, kur ndeshim një lajm veçanërisht shqetësues, si për shembull një nënë që vret fëmijën e saj të vogël, kjo gjë e prish iluzionin tonë se bota është një vend i drejtë. Ne kemi nevojë për siguri që kjo nënë nuk është si ne, dhe kështu dëshirojmë detaje. Përmes leximit të kësaj historie të dhimbshme, ne ndjehemi më të sigurt se një përbindësh si kjo nënë, është shumë ndryshe nga ne.
Ekziston gjithashtu një reagim që viktimat e disa krimeve duhet të kenë bërë diçka për të provokuar ose merituar trajtimin. Ne përpiqemi të gjejmë se si ndryshojnë viktimat nga ne, për t’u bindur se nuk do të kemi një fat të ngjashëm.
E duam anshmërinë e informacionit
Nocionet tona ekzistuese mbi çështjet e fesë, seksualitetit dhe politikës kanë tendencë të na bëjnë të lexojmë vetëm artikujt që pajtohen me pikëpamjet tona.
Shpesh idetë tona të paracaktuara përfshijnë shumë negativitet rreth atyre që e mendojnë në mënyrë të kundërt. Nëse besojmë se grupe të caktuara janë të këqinj, ne na pëlqen shumë të dëgjojmë mendime që pajtohen me ne. Në internet, nuk ka mungesë të njerëzve që dëshirojnë të flasin me urrejtje të tillë.
Përveç kësaj, ne gjithashtu priremi drejt paragjykimit të negativitetit, që do të thotë që i kushtojmë më shumë vëmendje veçorive negative sesa atyre pozitive. Lajmi i mirë pra, nuk ka shumë shanse të fitojë, përballë lajmeve të këqija.
Algoritmet na ushqejnë me lajme që i kemi lexuar tashmë
Le të shohim Facebook-un si shembull të qartë. Platforma e mediave sociale përdor një algoritëm të ndërlikuar të rëndësisë, për të vendosur se çfarë do të tregojë së pari kur klikoni aplikacionin tuaj.
Ndërsa algoritmi mund të jetë i komplikuar, rezultati nuk është. Ta themi thjesht, ai tregon se çfarë mendon që dëshiron më së shumti të shohësh. Kjo bazohet vetëm në ato postime që keni lexuar me më parë.
Nuk është më sekret që ne të lexojmë me lajme të këqija, kështu që nuk duhet të jetë befasuese që shumë lajme të këqija do të përfundojnë në faqen tonë të Facebook.
Shkurt dhe thjesht: kurioziteti
Ne të gjithë kemi një kureshtje të panginjshme. Edhe poeti optimist Ralph Ualdo Emerson kishte prirjen për të hapur arkivolin e gruas së tij të vdekur një vit pas vdekjes së saj.
Kohët e fundit, një shembull i përhapur i kuriozitetit tonë përfshinte videon e militantëve islamikë që i prisnin kokën gazetarit James Foley. Miliona e panë dhe e ndanë këtë video horrorit të jetës reale. Të qënit dëshmitarë të një akti të tillë të dhunshëm siguron stimulim të fuqishëm dhe i bën zemrat tona të rrahin fort, aq sa të na dalin nga kraharori. Nga ana tjetër, kjo na bën të ndihemi më të gjallë.
Eric Uilson, autori i “Everyone Loves a Train wreck” thotë se ndoshta ky lloj kurioziteti nuk duhet të na trembë. Edhe “nxitja për të prekur një kufomë,” shkruan Uilson, “është normale dhe fisnike.” Uilson gjithashtu thotë se “tërheqja jonë ndaj makabres është, në njëfarë niveli, një dëshirë për të provuar vuajtjen e dikujt tjetër”. / Përgatiti: Bota.al