9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Përse e bojkoton vëllain dhe të afërmin?

Më të lexuarat

Përse e bojkoton vëllain dhe të afërmin?

Vallë cilat janë ato gjëra që e ndajnë njeriun nga njerëzit e tij të dashur? Mos është dynjaja, pasuria, thashethemet…?
Vallë cila është ajo fjalë, thashetheme dhe shpifje, e cila i thyen zemrat dhe i largon ato nga njëra-tjetra?
Shtëpitë e të afërmve janë  bojkotuar për shkak të një fjale, një hamendësimi, xhelozie apo dhe iluzioni.
Njerëz të dashur, të cilët i ka bashkuar dashuria, respekti, lidhjet e gjakut, kujtimet e të shkuarës, ditë të bukura dhe të hidhura, të cilat i kanë jetuar bashkë që në vegjëli.
Në një moment zemërate, tërësisht iniciativë e shejtanit, zemrat e tyre mbushen me iluzione, mendime të këqija, urrejtje, xhelozi, thashetheme, mllef, përfolje…!
Shtëpi me të gjitha të mirat, sixhade të vyera, mobilie të shtrenjta, ushqime të shijshme dhe mirësi nga më të ndryshmet… e megjithatë, zemrat e shpirtrat janë të ngarkuar me bojkot pothuaj total. Lidhje farefisnore që ankohen, por kush i dëgjon.
Por, përse e gjitha kjo?
Për vogëlsira!
Pasuria, trashëgimia, një fjalë e thënë, i thashë më tha, mendim i keq, nuk më respektoi, e kishte me mua…
Kështu tallet shejtani me shtëpitë dhe familjet e atyre që falen, agjërojnë…
Në fakt, ata përmallen për njerëzit e tyre të afërt. Është shejtani ai i cili i ngacmon dhe i cyt herë pas here, derisa të krijojë hendekun e bojkotit mes tyre.
I dashuri ynë, profeti Muhamed a.s thoshte:”Shejtani e ka humbur shpresën se mund të adhurohet nga besimtarët në Gadishullin Arabik, por ai nuk ka hequr dorë nga cytjet dhe vesveset e tij.”
Le të startojmë një fushatë pajtimi dhe kthimi të vërtetë tek Zoti ynë. Premtimi hyjnor është xheneti.
Që sot, nuk do të lejoj që punët e mia të mira, të mos ngjiten në qiell për shkak të një bojkoti apo konflikti me dikë.
Që sot, nuk do të mbaj urrejtje në zemrën time, për askënd, madje, do të lutem për ta.
Të kanë bërë padrejtësi dhe të kanë hyrë në hak? Kanë shpifur ndaj teje? Të kanë përfolur?
Edhe ti je njeri si ata.
Edhe ti mund të bësh të njëjtin gabim dhe të mos e ndjesh.
Në gjëra të tilla, të gjithë jemi të barabartë.
Prandaj, le t’ia nisim me sloganin tonë:
Falni dhe toleroni!
Le të shkojmë dhe të pajtohemi, edhe nëse tjetri nuk e kërkon këtë. Motoja jonë është:”Më i miri prej tyre, është ai që e nis me selam”.
Le ta fshijmë kujtesën e të shkuarës dhe le ta kemi gjithmonë parasysh se:”Nuk duam prej jush as shpërblim dhe as falënderim”.
Kjo nuk do të thotë që tu tregoj sekretet e shtëpisë dhe ti përfshij në çdo gjë të vogël e të madhe të jetës time private.
Ajo që dua është që këtyre lidhjeve tu jap hakun, me zemërdëlirësi, nijet të pastër dhe ruajtje ekuilibrash. Imam Ahmedi thoshte:”9/10 e mençurisë gjenden tek mbyllja e njërit sy dhe njërit vesh.”
Pa njeriun tënd të gjakut dhe pa njerëzit e tjerë, nuk mund të bësh asgjë, ashtu siç nuk mund të bëjnë ata pa njëri-tjetrin. Secili prej nesh i shërbejmë njëri-tjetrit.
Por edhe nëse më thua se bën pa ta, nuk mund të më thuash se nuk ia ke nevojën një lutjeje të sinqertë prej tyre.
Të gjithë problemet tona, e kanë pikënisjen tek cytjet e shejtanit. Nuk duhet ta harrojmë se cytjet e tij, sado të mëdha të jenë, janë shumë të ligshta, të dobëta, saqë mezi qëndrojnë në këmbë. Me të kujtuar Zotin, me të kërkuar ndihmën e Tij dhe me tu lutur për njerëzit tanë të njohur, ai zvogëlohet në përmasa qesharake.
Provo të lutesh për dikë nga i cili të ka mbetur hatri dhe do të shohësh se si ndryshon zemra, të shohësh shpërblimin e rezervuar nga i Gjithëmëshirshmi.
Do të të ndryshojë jeta.
Le ta fshijmë të shkuarën…
Ne jemi të njëri-tjetrit…
Që ta dish, do të përjetosh një qetësi shpirtërore të papërshkrueshme.
Do të shohësh që shumë probleme fillojnë e zgjidhen zinxhir.
Zoti e përjetësoftë dashurinë, shëndetin dhe komunikimin tuaj me njerëzit e dashur!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit