Lëvizja Vetëvendosje kërkoi të premten seancë të jashtëzakonshme të parlamentit të Kosovës, për ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa la të hapur mundësinë që menjëherë të kërkojë një seancë të re për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.
Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila tha se ndryshimi i ligjit për zgjedhjet është i domosdoshëm.
“Kemi vënë kërkesën që seancën e parë të jashtëzakonshme ta kemi sot me pikën e vetme të rendit të ditës amandamentimin e ligjit të zgjedhjeve proces ky që do të kërkojmë që të shkojë me procedurë të shpejtuara me dy lexime që do të ndodhin brenda ditës së sotme dhe pastaj varësisht nga afatet kohore do të procedojmë edhe me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje pasoi seancën e paradites së të premtes në të cilën u miratuan komisionet parlamentare, një proces ky që është i nevojshëm për të funksionalizuar punën e parlamentit. Opozita kritikoi qeverinë për lënien anash të problemeve me situatën me COVID-19 dhe mungesë të programit qeveritar Por, kryeministri Albin Kurti tha se vendi ka nevojë që së pari të përmbyllë procesin e formimit të institucioneve duke zgjedhur presidentin e ri.
“Është e domosdoshme që ta përmbyllim hapin e tretë të konstituimit të institucioneve në mënyrë që ta kemi mandatin katër vjeçar. Përndryshe, shkojmë në zgjedhje”, tha kryeministri Kurti.
Kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet u kritikua nga partitë opozitare dhe organizatat për vëzhgimin e zgjedhjeve të cilët e cilësuan si nismë të ngutshme dhe përpjekje për shantazh ndaj partive tjera politike para votimit për presidentit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i cili ishe zotuar se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të tërheqë nismën për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, duke nënvizuar që kjo nuk ndodhë, atëherë kryeministri Kurti, qëllimshëm do ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
“Shantazhi i sotëm lë të kuptohet se Kurti ose nuk dëshiron të zgjidhë ketë çështje ose dëshiron të krijojë destabilitet politik për të fshehur paaftësinë e tij për t’u përballur me probleme të mëdha të cilat ka premtuar se do t’i zgjidhë dhe për të cilat e kanë votuar qytetarët”, tha zoti Abdixhiku.
Lëvizja Vetëvendosja tha se ndryshimi i ligjeve për zgjedhje është një detyrim elektoral për t’i mundësuar diasporës votimin nëpër ambasada.
“Kjo në fakt është mbajtje e premtimit elektoral, kjo në fakt është një domosdoshmëri e kohës për të siguruar që në rast se, nuk është dëshirë as vullnet i yni, nuk është aspak as shantazh, në fakt është një rikujtim për të gjithë ne se kemi nevojë për një proces zgjedhor në të cilën vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk mohohet pa marr parasysh ku jetojnë ata dhe në rastin më të keq në dështimin e zgjedhjes së presidentit është e pashmangshme edhe nuk do të jetë vullnet i yni por është e pashmangshme shkuarja në zgjedhje nacionale”, tha zonja Kusari.
Më herët gjatë ditës u tha se janë paraqitur dy kandidatura për postin e presidentit, Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, që kishte kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit në listën e lëvizjes Vetëvendosje. Pjesëmarrja në votim e dy e më shumë kandidatëve, është e domosdoshme në mënyrë që të mund të fillojë procedura për zgjedhjen e presidentit.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë, mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani, ndërsa Lidhja Demokratike, është zotuar se do të marrë pjesë në votimet për presidentin e ri, por të premten mbrëma kjo u vu në pikëpyetje. Dështimi për të zgjedhur presidentin e vendit, e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.