1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Përpara se tanket të arrijnë në dyert e Qabes

Më të lexuarat

Nga İbrahim Karagül

Pohimi se “muslimanët do të përfshihen nga luftërat e brendshme”, se “një gjendje lufte do të mbajë peng zemrën e Islamit”, dhe pohimi, “lufta civile e Islamit”, po bëhen dita ditës realitet.

Vendet dhe organizatat në rajon – duke besuar se po promovojnë interesat e vendeve të tyre në bazë të asaj që ata besojnë se është e vërtetë – po ndihmojnë pa dashje në shkërmoqjen e qyteteve dhe vendeve në rajon.

Dobësitë e rajonit po përdoren si justifikim për valën e pushtimeve të jashtme, që po përjetohet. Po shfrytëzohet lakmia dhe ëndrrat ekspansioniste të vendeve të rajonit për të krijuar terrenin për luftëra në bazë të identitetit.

Të gjithë ne do të bëhemi viktima të këtyre përplasjeve dhe ndarjeve, nëse nuk mësojmë të ndërmarrin hapa përpara e t’i paraprijmë ngjarjeve një vit a dhjetë vjet më para, në vend që të fiksohemi me të kaluarën dhe të tashmen.

Brenda dy viteve të ardhshme ne do të gjendemi përsëri të papërgatitur, kur Gjiri Persik të gllabërohet nga trazirat, dhe Arabia Saudite ta gjejë veten në luftë. Në të njëjtën situatë do ta gjejë veten edhe Turqia, e cila po përballet me presione të ndryshme nga Lindja dhe Perëndimi.

Mungesa e largpamësisë politike mbetet dobësia më e madhe e rajonit musliman. Pas përllogaritjeve shekullore fshihet një akt lakmitar, që ka si qëllim ndarjen e rajonit dhe pushtimin e tij.

Një herë në disa vjet, një vend i ndryshëm do të ndahet në pjesë për sa kohë dështojmë të ndryshojmë drejtimin e erërave fatzeza, që sjellin me vete shpërbërje, prishje dhe përplasje. Pikërisht kjo është arsyeja pse Siria është një luftë globale. Pasi të mbarojë lufta në Siri, valët e shkatërrimit do të përhapen në Gjirin Persik. Kjo do të thotë luftë midis Iranit dhe Arabisë Saudite në kuptimin e plotë të fjalës. Po bëhen përpjekje për ta rajonalizuar luftën në baza sektare. Nëse ky plan do të ketë sukses, tanket do të mbërrijnë në dyert e Qabes.

Arrijmë ta shohim katastrofën që po afrohet. Nëse nuk ndërhyhet me urgjencë, unë besoj se Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit Persik do të shndërrohen në një Siri të dytë. Të gjitha vendet tona të shenjta do të shkelen me këmbë. Turqia po ashtu do të marrë plagë të rënda, si pasojë e kësaj katastrofe të madhe.

Po, harta rajonale po ribëhet pas një intervali prej një shekulli. Harta e Anadollit gjithashtu do të ribëhet, nëse nuk do të arrijmë të përfshihemi në ribërjen e kësaj harte. Kufijtë e të gjitha shteteve ekzistuese sot do të ribëhen.

Kush mund ta imagjinonte Irakun e sotëm pesëmbëdhjetë vjet më parë? A mund të imagjinohej Siria e sotme dhjetë vjet më parë? A mund të imagjinohej Jemeni i sotëm tre vjet më parë?

Vendet tona janë në rrezik. Kultura, burimet, tokat dhe qytetet tona janë në rrezik. Po përballemi me ditët më të dëshpëruara, që prej kohës së Luftës së Parë Botërore. Ky dëshpërim mund të ndjehet në çdo cep të botës islame, që nga Maroku në Indonezi. Vendet dhe qytetet tona të njohura po kthehen në gërmadha.

Po bëhen përpjekje për ta bërë identitetin tonë sinonim të dhunës. Vlerat tona po shkatërrohen. Dëshirojnë të na shkatërrojnë shpresën për të ardhmen. Një valë e re kolonializmi, pas një intervali prej një shekulli, po e shqyen rajonin tonë në copa. Terrorizëm nuk është vetëm bombardimi i rrugëve, por edhe i mendjeve tona gjithashtu. Organizatat terroriste po përdoren për të kryer operacione të fshehta dhe për të ndërhyrë në vendet tona.

Nëse nuk arrijmë ta ruajmë Turqinë, si vendstrehim për të gjithë dhe si një fortesë për të gjitha vendet e këtij rajoni, i cili është quajtur “rajon kaotik,” nuk do të na mbetet asnjë vendstrehim për të na mbrojtur në tokat muslimane të Lindjes së Mesme.

Çdo person i pranishëm në këtë takim, që nga Afrika në Lindjen e Mesme, e deri në Azi është pasardhës i atyre, që kanë shkruar historinë e njerëzimit. Ju, liderët e vendeve muslimane. Ju, përfaqësuesit e një rajoni të madh që shtrihet nga brigjet e Atlantikut e deri në brigjet e Oqeanit Paqësor. Ju, zëdhënësit e vendeve, të cilat janë shtëpitë e qytetërimeve të lashta, të cilat kanë shërbyer si djepi i civilizimit, dhe që keni një eksperiencë dhe traditë të pasur. Kaosi që ka gllabëruar rajonin tonë do të rritet, do të përhapet dhe do të ndikojë te të gjithë neve nesër. Jepini fund kësaj rënie negative. Dilni me një plan, që do t’i shpëtojë muslimanët nga kjo stuhi. Luftoni për demokraci, liri, mirëqenie dhe drejtësi. Mbroni burimet tona. Krijoni solidarizim dhe partneritet, që të përballeni me plaçkitjen globale.

Ju jeni arkitektët e luftës e të paqes. Jeni përgjegjës për mirëqenien dhe varfërinë. Ky rajon është kombi ynë i përbashkët, dhe ju të gjithë duhet ta mbroni këtë komb së bashku. Ballafaqimi i fuqive që po shohim sot është prelud i përplasjes më të dhimbshme në historinë e njerëzimit. Të gjitha shenjat e tanishme tregojnë për një të ardhme të errët. Dijeni se nëse nuk reagoni shpejt e ta ndaloni këtë trajektore, të gjitha vendet tuaja në të ardhmen do të preken nga kjo fatkeqësi, e cila krijon plagë të thella dhe shkatërron nderin njerëzor.

Liderë të Perëndimit dhe të Lindjes! Një tragjedi po na shpaloset ngjitur me ne në Siri. Një vend po shkatërrohet. Qytetet legjendare po bëhen rrafsh me tokën. Me miliona njerëz pa shtëpi, të cilët po i ikin shkatërrimit po varrosen në det. Brigjet tona janë mbushur në pirgje me trupa fëmijësh. Dijeni se historia dhe ky brez i miliona fëmijëve me sytë e përlotur dhe grave nga Halepi, të cilëve iu është dashur ta braktisin vendin e tyre për të gjetur strehim në kampet e refugjatëve, do t’i kërkojnë llogari në të ardhmen vendeve dhe politikave tuaja.

Gjeni një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në Siri. Gjeni një zgjidhje për kaosin në Irak. Ngrihuni kundër politikave, që kanë si qëllim copëtimin e vendeve. Në sytë e njerëzimit dhe në faqet e historisë, ju do të jeni përgjegjës për çdo vendim dhe gjykim, që do të merrni. Lini pas jush një trashëgimi që të duartrokitet. Në kujtim të atyre fëmijëve që kanë larë brigjet tona, jepini fund katastrofave në rajonin tonë, të cilat do të marrin përmasa globale në të ardhmen. Vini veshin zërit të bashkuar të miliarda njerëzve!

Bëhuni bashkë e ndërtoni struktura mbi-kombëtare dhe partneritet. Hidhuni tani në aksion. Hidhuni në aksion që të mbroni vendet, kombet dhe qytetet tona. Rajoni ynë po përballet me të vërteta të hidhura dhe kërcënime pas gati një shekulli. Ju jeni përfaqësuesit e vendeve tuaja në këto rrethana të vështira historike. Keni mbi supe një përgjegjësi të madhe. Ju përballeni me marrjen dhe implementimin e vendimeve të vështira. Merrini këto vendime në bashkëpunim. Ndani forcën dhe burimet tuaja. Me qindra miliona njerëz po vështrojnë veprimet tuaja.

Hartoni një plan për ta ndaluar këtë stuhi kaosi.

Përktheu Enes Neza | Redaktoi Roald A. Hysa

Ky artikull është publikuar te Yeni Şafak në një edicion special drejtuar Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) të mbajtur në Stamboll më 14-15 Prill 2016.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit