9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Përndjekja islamofobe në Angli: Pasojë e dekadave të politikave raciste

Më të lexuarat

Po jetojmë në një epokë ku Islamofobia është bërë një fenomen i zakonshëm: nga sulmet e vogla deri te gjenocidi, nga Gaza në Gujarat, nga bandat e rrugëve te miliarderët, nga mediat te qeveritë: duket se jeta e muslimanëve nuk ka rëndësi.

Pogromi* (përndjekje, përsekutim, sh.p.) islamofob që përfshiu shumë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar (MB) ishte një befasi. Për shumëkënd, përfshirë muslimanët nga Franca apo Austria, Anglia shihej si një oaz tolerance – një vend mikpritës për muslimanët, ku komunitetet mund të praktikonin lirisht fenë e tyre pa ndërhyrjen e një shteti islamofob.

Askush nuk mund të kishte parashikuar se si një thashethem i rremë, se një “refugjat musliman” 17-vjeçar kishte vrarë tri vajza të reja, do të shkaktonte një dhunë kaq të madhe. Por i akuzuari nuk ishte as musliman dhe as refugjat, por një i krishterë i lindur në MB. Megjithatë, edhe sikur autori i ngjarjes të kishte qenë musliman, a do të justifikonte kjo sulmet mbi xhamitë, plaçkitjen e dyqaneve të muslimanëve, rrahjen e njerëzve me ngjyrë dhe shfaqjen e parullave që ofendojnë Profetin (paqja qoftë mbi të) dhe Islamin?

Çfarë e shkaktoi pogromin?

Një tipar i rëndësishëm i të gjitha formave të racizmit është mënyra se si një individ perceptohet si përfaqësues i një komuniteti të tërë. Islamofobia nuk shfaqet vetëm në aktet e dhunës ndaj shfaqjeve të perceptuara të muslimanizmit, por edhe në kushtet që e bëjnë të mundshme një dhunë të tillë. Një thashethem i rremë mund të ketë shkaktuar pogromin, por nuk ishte shkaku i vërtetë.

Jemi në një kohë kur Islamofobia është bërë e zakonshme: nga mikroagresionet deri te gjenocidi, nga Gaza në Gujarat, nga bandat e rrugëve te miliarderët, nga mediat te qeveritë: duket se jetët e muslimanëve nuk kanë rëndësi. Nëse përqendrohemi vetëm te ky pogrom islamofob në Britani, rrezikojmë ta trajtojmë si një incident të izoluar dhe të fshehim shkaqet e tij.

Islamofobia synon muslimanizmin sepse muslimanët nuk mund të kufizohen brenda kufijve të ndonjë shteti-komb; ata i shpëtojnë etnonacionalizmit dhe na kujtojnë njerëzimin tonë të përbashkët sepse përfaqësojnë, në thelb, mundësinë e imagjinimit të një shoqërie përtej racizmit. Sa herë që shfaqen islamofobët, qoftë në vende jomuslimane apo muslimane, ata së pari përpiqen ta nacionalizojnë Islamin. Qoftë në Francë, Kinë apo një grua me hixhab në Turqi që kërkon dëbimin e refugjatëve sirianë, është Islamofobi dhe është një fenomen global.

Pogromi islamofob në Britani ndodhi në mes të një sulmi të vazhdueshëm gjenocidal mbi Gazën. Që nga 7 tetori, establishmenti britanik i ka përshkruar protestat pro-palestineze, anti-gjenocid si “marshime urrejtjeje”, duke i dënuar ato si antisemite, ndërsa vazhdon të mbështesë gjenocidin e një regjimi kolonial dhe racist, duke i ofruar mbështetje ushtarake dhe diplomatike.

Ekstremistët e djathtë dhe mbështetësit e tyre kanë ricikluar vazhdimisht propagandën e Tel Avivit kundër palestinezëve dhe muslimanëve. Dehumanizimi i palestinezëve dhe demonizimi i aktivistëve pro-palestinezë ishte sfondi i shpërthimit të dhunës islamofobe në rrugët e botës javën e kaluar.

Cilët janë autorët dhe shkaktarët?

Autorët e pogromeve mund të identifikohen lehtë: janë ata që bëjnë djegie, plaçkitje dhe sulme. Por nëse përqendrohemi vetëm te kryerësit e pogromit dhe jo te shkaktarët e tij, neglizhojmë bashkëpunimin midis politikanëve të lartë dhe opinionistëve që kanë krijuar një mjedis armiqësor për muslimanët dhe refugjatët.

Për shembull, gjatë këtij pogromi, Robert Jenrick, një kandidat për drejtimin e partisë kryesore opozitare në Britani dhe një kryeministër i mundshëm, deklaroi në një intervistë televizive se çdo musliman që thotë “Allahu Akbar” duhet të arrestohet menjëherë.

Qeveria e re e Laburistëve vazhdon të refuzojë të angazhohet me Këshillin musliman të Britanisë – organizatën më të madhe përfaqësuese muslimane. Partia Laburiste, si pjesa më e madhe e establishmentit britanik, është e aftë të identifikojë antisemitizmin, madje edhe në gjurmët më të vogla, por mbetet e pavendosur për të etiketuar sulmet ndaj xhamive, ngacmimet ndaj grave me hixhab dhe dhunën ndaj atyre që perceptohen si muslimanë si Islamofobi. Ata nuk kanë fjalë për këtë.

Islamofobia, megjithatë, nuk është vetëm çështje fjalësh. Ajo është një koncept që na ndihmon të kuptojmë se çfarë po ndodh; pa të, nuk mund të shohim se çfarë e nxit dhunën dhe shkeljet ndaj muslimanëve. Që nga fundi i viteve ’80, një numër në rritje i politikanëve dhe opinonistëve evropianë kanë bërë barazime midis muslimanëve, migrantëve dhe marksistëve, me qëllimin e një kontrate të re sociale të bazuar në teorinë e konspiracionit të Zëvendësimit të Madh, sipas së cilës popullsitë evropiane po zëvendësohen demografikisht dhe kulturalisht nga të huajt (dhe muslimanët janë më të huajt nga të gjithë). Këto ide, të përsëritura dekadë pas dekade nga qeveritë, opinionistët, mediat dhe influencuesit e mediave sociale, kanë ushqyer pogromin islamofob në Britani.

Një nga rezultatet më shpresëdhënëse të pogromit islamofob në Britani ishte mënyra se si u përball me mobilizime popullore. Muslimanët, jo-muslimanët, njerëzit me ngjyrë, të majtët dhe të tjerët që refuzojnë racizmin – pavarësisht dekadave të propagandës islamofobe – dolën masivisht në rrugë, duke e tejkaluar numrin e ekstremistëve të djathtë dhe duke i heshtur mbështetësit dhe apologjetët e tyre.

Këto kundërprotesta, shpesh me flamuj palestinezë të dukshëm, treguan se Islamofobia nuk është e pashmangshme; ajo mund të mposhtet. Flamuri palestinez është bërë simbol jo vetëm i një Palestine të lirë por edhe i rezistencës kundër kolonializmit, racizmit dhe islamofobisë.

Në fund të fundit, ngjarjet që ndodhën në Britani shërbejnë si një kujtesë e fuqisë së bashkëpunimit midis grupeve të ndryshme që refuzojnë urrejtjen dhe padrejtësinë. Këto protesta dhe mobilizime tregojnë se ka ende forcë në shoqërinë tonë për të sfiduar narrativat raciste dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

*Pogrom: Përndjekje dhe vrasje në masë nga qeveri reaksionare dhe forca shoviniste kundër pakicave kombëtare, fetare e racore (Fjalori i Gjuhës Shqipe).

Solli në shqip Observer.al

Salman Sayyid

Salman Sayyid

Prof. Salman Sayyid është Profesor i Teorisë Sociale dhe Mendimit Dekolonial dhe Drejtor i Shkollës së Sociologjisë dhe Politikës Sociale në Universitetin e Leeds-it. Sayyid është një teoricien politik, puna e të cilit ka qenë pararojë e Studimeve Kritike Myslimane. Interesat e tij kërkimore përfshijnë studimet dekoloniale, historinë globale, studimin e Islamofobisë dhe racizmit. Shkrimet e Sayyid janë përkthyer në disa gjuhë. Publikimet e tij kryesore përfshijnë librin “A Fundamental Fear” (një libër që, pavarësisht se është ndaluar nga qeveria malajziane, tani është në botimin e tij të tretë); dhe “Recalling the Caliphate”. Ai është themeluesi dhe redaktori i revistës ReOrient dhe redaktori i serisë së botimeve të Pluto Press: ‘Studime Dekoloniale, Horizonte Postkoloniale.’

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit