4.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Përmes rritjes së tatimit për të pasurit deri te rimëkëmbja ekonomike

Më të lexuarat

Akademia e Shkencave të Maqedonisë së Veriut thotë se përmes rritjes së tatimeve, do të mund të krijohej mundësia për rimëkëmbje ekonomike, pas krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë thotë se është momenti më i mirë që të pasurit të paguajnë tatim më të lartë, pasi sipas tij, pandemia ka mundësuar që të pasurit të pasurohen edhe më shumë.

“Unë personalisht mendoj se tatimi progresiv në shtetin tonë do të duhej të aplikohej. Gjithsesi, jo në formën siç u aplikua më herët. Por, ka raste dhe shembuj të mirë ku është aplikuar tatimi progresiv dhe ka prodhuar rezultate të mira, duke mos e ulur konkurueshmërinë e vendit dhe as duke mos shkaktuar ndonjë goditje të madhe ndaj bizneseve”, thotë Bytyqi.

Me aplikimin e politikave të tatimit progresiv rritet edhe koeficienti i shumës që tatohet. Pra, sa më të larta të jenë të ardhurat, aq më e lartë është edhe shkalla e tatimit.

Ndërkaq, ish-guvernatori i Bankës Popullore, Petar Goshev, thotë për Radion Evropa e Lirë se Lidhja Social Demokrate e kryeministrit, Zoran Zaev aduk kryesor kishte politikat sociale, përkatësisht reformat në sistemin tatimor. Megjithatë, sipas tij, gjatë mandatit të parë të Zaevit si shef i ekzekutivit, janë bërë “ndërhyrje të vogla, kozmetike” në këtë fushë.

Sipas Goshevit, pushteti ka frikë “t’ua prish rehatinë” oligarkëve, pasi ata, përmes të punësuarve, kanë forcë elektorale, ku mund të përcaktojnë edhe fituesin e zgjedhjeve.

“Pabarazia është shumë e madhe dhe kjo gjë duket se nuk i shqetëson autoritetet udhëheqëse sepse për ta është shumë më e lehtë që të thellohet borxhi përmes huamarrjes, në mënyrë që të arnojnë vrimat e mëdha që janë paraqitur në buxhetin e shtetit. Kështu që nuk pres asnjë serioze në këtë plan. Thjesht (autoritetet shtetërore) janë nën kthetrat e grupeve të bizneset, të cilët botën e shohin nën prizmin e interesave të tyre”, thotë Goshev.

Kundër tatimit progresiv janë afaristët, odat ekonomike si dhe partia maqedonase në opozitë, VMRO-DMPNE. Sipas tyre, rritja e tatimeve, në një formë paraqet një lloj dënimi për personat e suksesshëm dhe druajnë se me rritjen e tatimeve, do të rritet edhe evazioni tatimor.

Por, Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se shteti duhet t’i referohet praktikave evropiane, ku aplikohet sistemi i shkallëzuar i pagesës së tatimeve.

“Aplikimi i tatimit progresiv në periudhë afatgjate nuk besoj se do të paraqesë ndonjë sfidë. Këtu mendoj në aspektin e largimit të investitorëve aktualë dhe atyre potencialë për shkak të aplikimit të kësaj norme sepse edhe në vendet përreth praktikohet kjo normë e tatimit”, thotë Halili, i cili aktualisht është ligjëruese i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore.

Ndërkaq, akademiku Taki Fiti, i cili ka qenë edhe ministër i Financave, ka propozuar që qeveria të ulë harxhimet joproduktive dhe në formë të butë të rrisë tatimet. Sipas tij, nëse veprohet kështu do të mund të menaxhohej borxhi publik, i cili tashmë ka kaluar mbi 60 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Fiti ka thënë se “nuk duhet të rritet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, pasi në këtë mënyrë do të goditej kategoria më e varfët e qytetarëve”, megjithëse ka nënvizuar se duhet të ketë një rritje të lehtë të tatimit personal, tatimit të pronës si dhe të aplikohet tatimi ekologjik mbi bazë të praktikave të vendeve të zhvilluara evropiane.

Ai ka propozuar që krahas vendosjes së tatimit progresiv për kompanitë, duhet të punohet edhe në luftën kundër ekonomisë gri.

Për këtë çështje, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi thptë se ende është herët të flitet për detaje, por shton se idetë e ekspertëve do të diktojnë edhe modalitetin që do të zgjidhet sa i përket rritjes së tatimeve.

“Debati duhet të zhvillohet, por momenti se kur do të aplikohen politikat e tatimit progresiv, do t’u bëhen me dije shumë më herët të gjithëve, në mënyrë që ata të mund të përgatiten për një gjë të tillë”, thotë Bytyqi.

Tatimi progresiv u aplikua në fillim të vitit 2019, gjatë mandatit të parë të Zaevit në postin e kryeministrit. Por, pas dhjetë muajsh, qeveria vendosi që aplikimi i këtij tatimi të pezullohej deri më 2023. Këtë vendim ekzekutivi e mori pas reagimeve negative nga pronarët e kompanive dhe përpjekjeve të tyre, që me qëllim që ta shmangin pragun e tatimit, ata transferuan të ardhurat te njerëz të tjerë.

[email protected] (Zërijeta Hajro Jajaga)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit