6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Përkujtimi i 22 korrikut 2011: Dhuna në emër të “luftës kundër islamizimit

Më të lexuarat

“Institucionet evropiane jo vetëm që duhet të jenë “më serioze” lidhur me lëvizjet e supremacistëve të bardhë të cilët rrezikojnë rendin politik, por duhet të krijojnë politika që mbështesin muslimanët të cilëve u janë mohuar të drejtat e barabarta

Shkruan: Farid Hafez

Autori i shkrimit është profesor me korrespodencë për Studime Ndërkombëtare në kolegjin Williams në Massachusetts dhe bashkëpunëtor i lartë në Iniciativën “The Bridge” të Universitetit në Georgetown.

Ende më kujtohet dita kur ndodhi. Supozoj se kisha mendimet e njëjta si shumë muslimanë të tjerë në Evropë: “Shpresojmë që kjo nuk është edhe një sulm i dhunshëm i kryer në emër të një prej religjioneve më të mëdha në botë”.

Madje, edhe para publikimit të fakteve, disa shtëpi mediatike morën rolin e njohësve të realitetit dhe publikuan artikujt e tyre për sulmin më të tmerrshëm, të cilin gjoja e kanë kryer “muslimanët e dhunshëm”.[1] Mirëpo, për kohë të shkurtë u bë e qartë se kishin gabuar dhe më 22 korrik 2011 Evropa do të bëhet dëshmitare e sulmit më të tmerrshëm dhe më të dhunshëm në dekadat e fundit. Të zakonshmit nuk ishin të dyshimtë, por një individ i ekstremit të djathtë i cili u përpoq të bëhet shembull i luftës kundër Islamit të supozuar.

Islamofobia u bë “mainstream”

Kaluan 11 vite që kur terroristi norvegjez i ekstremit të djathtë Anders Breivik masakroi 77 persona në aksionin e tërbimit të dhunshëm në kampin e të rinjve socialistë në Utoya të Norvegjisë. Breivik besonte se kampi do të lejonte muslimanët të hyjnë brenda, të cilët do të “ridefinonin demografinë e kontinentit evropian të bardhë dhe të krishterë”.

“Manifesti” prej 1.500 faqesh që la pas tregon se publikimet e tij ‘copy-paste’ në internet kishte marrë nga literatura që kishin prodhuar “Lëvizja Kundër Xhihadit”[2] dhe autorë të mirënjohur “mainstream” [3], të cilët ishin udhëheqës të përhapjes së ideve anti-muslimane në një mënyrë më të respektueshme dhe më pak agresive. Me fjalë të tjera; akti i tij ekstrem në fakt paraqet disa ide kryesisht “të zakonshme” rreth Islamit dhe muslimanëve.

Supremacia e bardhë ende ekziston në Evropë

Në një farë mënyre, 22 korriku 2011 mund të ishte një thirrje zgjimi për qeveritë kombëtare dhe organizatat mbikombëtare që të merrnin një qëndrim dhe të bënin diçka rreth rritjes së racizmit anti-musliman. Por, ajo për të cilën jemi dëshmitarë që nga viti 2011 në një shkallë të gjerë është shumë pak premtuese. Përkundrazi, Breivik është u bërë model në mbarë botën.

Nga sulmi në Christchurch të Zelandës së Re, ku më 2019 u vranë 51 persona në dy xhami, deri tek të shtënat në El Paso të SHBA-së në 2019, pastaj vrasësi në Hanau të Gjermanisë, në 2020, ku autorë të shumtë individualë kishin ndjekur Breivikun dhe më vonë terroristin Brenton Tarrant (Christchurch) duke imituar sulmet e tyre të dhunshme në emër të luftimit të “Shkëmbimit të Madh”. [4] Përveç akteve individuale të dhunës masive, organizimi i lëvizjeve të armatosura nëntokësore të supremacistëve të bardhë në Evropë është një trend që vazhdon. [5]

Shumë parti politike kanë qëndrim anti-musliman

Akoma më shqetësuese është se idetë që ishin mjaft të njohura në spektrin politik të ekstremit të djathtë dhe të cilat në masë të madhe u bënë trend kryesor, ndërkohë kanë qenë më pak të kontestuara ndërsa disa arritën në pozicione të pushtetit politik. Me sundimin e shkurtër të partive të ekstremit të djathtë si Lega në Itali ose Partia e Lirisë në Austri dhe me kooptimin e partive të ekstremit të djathtë anti-musliman nga partitë e qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë në të gjithë Evropën, qëndrimet kundër muslimanëve u bënë “mainstream”.

Valerie Pecresse, kandidatja presidenciale e qendrës së djathtë gjatë zgjedhjeve franceze të këtij viti, e cila përdori frazën “Shkëmbimi i madh” në një fjalim fushate, mund të jetë një nga shembujt më të fundit të profilit të lartë se si u bënë idetë kryesore rreth islamizimit të supozuar të Evropës. [6]

Kur kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern nisi “Thirrje globale të Christchurch” vitin e kaluar duke shënuar përvjetorin e dytë të vrasjes së 51 muslimanëve në Christchurch të Zelandës së Re, kancelari i atëhershëm austriak Sebastian Kurz dhe presidenti francez Emmanuel Macron diskutuan çështje të tjera. Kurz u fokusua ekskluzivisht në “luftën kundër islamit politik” dhe “veçanërisht terrorizmit të motivuar nga islamistët”. Kjo ishte një simbol i “islamofobisë së institucionalizuar” që ishte shpikur në vende si Austria, Franca dhe Danimarka.

Shenjat e shpresës?

Nga ana tjetër, ka dhe disa shenja të vogla shprese. Më në fund, tre vjet pas vrasjes së 51 personave në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re, OKB-ja miratoi rezolutë, ku 15 Marsin shpallën si Ditën Ndërkombëtare Kundër Islamofobisë. [7] Megjithatë, duket se lidershipi aktual evropian nuk është i bindur për luftën kundër islamofobisë.

Posti i koordinatorit në Komisionin Evropian për luftën kundër urrejtjes anti-muslimane, fillimisht i themeluar në vitin 2015, ka mbetur vakant që nga emërimi i Komisionit të ri. Shumë organizata joqeveritare anti-raciste në Bruksel e konsiderojnë se ky pozicion është shumë impotent. Me fjalë të tjera, pavarësisht se është prapa, Komisioni Evropian tani ka një shans falë rezolutës së re të OKB-së e cila u miratua me konsensus.

Institucionet evropiane jo vetëm që duhet të jenë “më serioze” lidhur me lëvizjet e supremacistëve të bardhë të cilët rrezikojnë rendin politik, por duhet të krijojnë politika që mbështesin muslimanët të cilëve u janë mohuar të drejtat e barabarta dhe janë stigmatizuar prej kohësh.

Burimet:

[1] https://www.schantall-und-scharia.de/10-jahre-oslo-und-utoya-mediales-totalversagen/

[2] https://bridge.georgetown.edu/search/?s_key=Counter-Jihad+Movement

[3] https://bridge.georgetown.edu/research/factsheet-lorenzo-vidino/

[4] https://bridge.georgetown.edu/research/global-islamophobia-the-great-replacement-conspiracy-theory/

[5] https://www.nytimes.com/2021/06/25/world/europe/germany-nazi-far-right.html

[6] https://www.nytimes.com/2022/02/15/world/europe/france-elections-pecresse-great-replacement.html

[7] https://press.un.org/en/2022/ga12418.doc.htm


* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të KI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit