Dr. Fahrush Rexhepi
Në “Kararnamen” e Lidhjes së Prizrenit, të nënshkruar nga 47 deputetë, në nenin 6 të saj, theksohej: “Në përputhje me ligjet e larta të besimit (sheriatit islam), ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e atyre që janë të besimit jomysliman ashtu si për vete.”
Për të trajtuar temën e përhapjes së Islamit ndër shqiptarët, rrugët nëpër të cilat depërtuan idetë e fesë islame tek ne, si dhe për të folur për rrugët dhe bartësit e përhapësit e këtyre ideve e mësimeve, të cilët endeshin nëpër trevat shqiptare e ballkanike, për përballimin që i bëri vendi ynë pushtetit osman e për rrethana të tjera historike, – e tërë kjo, e vështruar sado thjesht në kompleksitetin e vet, është një temë që kërkon studime të gjithanshme dhe të përgjithshme mbi përhapjen e feve në përgjithësi e të Islamit në veçanti në trojet shqiptare. Ekzistenca e paktë e këtij lloji analizash dhe aq më keq, mungesa e dokumentacionit si dhe probleme të tjera të ngjashme si këto, e vështirësojnë studimin dhe trajtimin e kësaj teme, veçanërisht kur përpiqesh të përfshish në të aspekte nga të gjitha momentet e rrjedhës historike të Islamit, qysh kur ka filluar përhapja e tij në vendin tonë(1).
Shtrirja gjeografike dhe zhvillimet historike
Siç dihet, shqiptarët, përveç një pjese që është në Greqi, banojnë në viset malore të bregut lindor të detit Adriatik, që shtrihet ndërmjet Malit të Zi dhe gjirit të Prevezës.(2)
Për prejardhjen e shqiptarëve, shumë shkencëtarë të huaj dhe shqiptarë që nga viti 1774 e këndej kanë ardhur në përfundim se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve, se janë ndër popujt më të vjetër të Evropës dhe popull autokton i Ballkanit. Ndërsa që nga antika greko-romake dokumentohet se ilirët, përveç në Shqipërinë e sotme e në Kosovë, shtriheshin në tërë Gadishullin Ballkanik.(3)
Është fakt historik se serbët, gjatë viteve 1340 -1347, kishin pushtuar të gjitha trojet shqiptaro–ilire. Sllavët barbarë, shqiptarëve që nuk pranonin fenë ortodokse, u bënin dhunë dhe tortura të llojllojshme. Nga ky shkak, më vonë osmanlinjtë në Rumeli, nuk u kundërshtuan aq shumë, madje në disa zona u konsideruan edhe si çlirues.(4)
Dihet se invazioni i parë turk është bërë në vitin 1387, por pas shumë kryengritjeve të mëdha, të udhëhequra nga Skënderbeu, forcat turke qenë tërhequr nga ky synim. Pas vdekjes së tij, turqit osmanlinj ripushtuan Shqipërinë më 1468. Duhet theksuar se Shqipëria asnjëherë nuk është nënshtruar në tërësi nga ana e Turqisë, sepse ka pasur kryengritje vazhdimisht, por, megjithëkëtë, deri në fillim të shekullit 20 nuk pati ndonjë rezistencë të organizuar e të përgjithshme. Nga historia dihet fare mirë se turqit depërtuan në Ballkan dhe në territoret shqiptare aty nga gjysma e dytë e shekullit 15 dhe vazhduan të qëndronin deri në fillim të shek.XX, pra për plot pesëqind vjet. Bashkëjetesa aq e gjatë e shqiptarëve me turqit osmanlinj, vendosja dhe përforcimi i administratës turke, kontaktet e dendura të popullit shqiptar me shërbimet administrative të kohës, emërimi në pozita të larta i shqiptarëve në qeverinë e Stambollit, hapja e institucioneve të ndryshme arsimore fetare, si dhe faktorë të tjerë fetarë, politikë, ekonomikë e shoqërorë me perspektivë, ndikuan drejtpërdrejt edhe në pranimin e Islamit nga shqiptarët dhe nga popujt e tjerë në Ballkan.
Procesi i përhapjes së fesë islame
Bazuar në rrethanat historike të përhapjes së Islamit ndër shqiptarët dhe në zhvillimin e faktorëve të tjerë që ndikuan në përhapjen e fesë islame në shumë pjesë të ndryshme të botës, që në fillim japim konstatimin se Islami në trojet tona nuk është përhapur në saje të dhunës së detyrueshme e as në saje të vullnetit të drejtuesve turq për asimilim, edhe pse të dhënat për trajtimin e kësaj problematike janë mjaft të kufizuara.(5)
Po theksojmë këtu konstatimin e profesor Robert Matran-it: “Drejtuesit osmanë nuk kanë pasur vullnet për asimilimin e popullsive të pushtuara, nuk kryen as osmanizim dhe as islamizim të detyruar; përndryshe si do të mund të shpjegonim ruajtjen e gjuhëve greke, bullgare, serbe, apo të gjuhëve të tjera, të feve të krishtera, të parisë lokale, – elemente që fuqitë e mëdha i kanë përdorur, duke nisur nga fundi i shekullit 18 dhe sidomos gjatë shekullit 19 nën pretekstin e parimit të kombësive dhe të mbrojtjes së minoriteteve etnike dhe fetare”.(6)
Për mospërdorimin e dhunës në përhapjen e fesë islame, mund të përmendim edhe vlerësimin e dr. Çiro Truhelkës, i cili konstaton: “Është mendim i gabuar se Islami është përhapur me dhunë. Ekzistojnë argumente të shumta, të cilat e hedhin poshtë këtë. Unë mund të përmend vetëm një, dhe ai është se shekulli 19 nuk do të gjente asnjë të krishterë dhe asnjë kishë e manastir në Ballkan, sikur Islami të përhapej me dhunë shtetërore”.(7)
Po ashtu një numër dijetarësh mendojnë se pranimi i Islamit shqiptarëve u shërbeu si një lloj fortifikate për ta shpëtuar vendin nga fqinjët grabitqarë sllavë, që kishin për qëllim asimilimin në mënyrë të dhunshme. Madje, disa studiues të shquar që janë marrë shumë me historinë fetare, politike, sociale e morale të Shqipërisë, janë të mendimit se, po të mos ishte përhapur feja islame në Gadishullin Ballkanik, sidomos në Shqipëri, shqiptarët do të ishin asimiluar nga kombet e tjera fqinje me ta. Prandaj, nuk është pa vend mendimi i rilindësit tonë Faik Konica: “Po të mos ishte islami, populli shqiptar do të kishte qenë populli më i madh në numër, por jo shqiptarë.”.(8)
Pra, në mënyrë analoge dëshira për të ruajtur identitetin kombëtar mund të ketë favorizuar pranimin e fesë islame nëpërmjet turqve, sepse turqit ishin më larg gjeografikisht dhe armiqtë kryesorë të shqiptarëve nga të cilët frikësoheshin për shkrirjen etnike, ishin popujt fqinjë sllavë dhe grekë.(9)
(Këto procese në Greqi vazhdojnë edhe sot). Sipas Qelebiut, Islami në Shqipëri në gjysmën e dytë të shek. 17, që ishte konsoliduar dhe që kishte marrë një vrull të paparë deri atëherë në përhapjen masive, shpjegohet me faktin e bindjeve të shëndosha mbi përparësitë e besimit islam dhe jo si rezultat i dhunës së ushtruar nga pushtuesit turq, sepse, po të kishte qenë rezultat i dhunës, ky proces jo vetëm që duhej të ishte ndërprerë, por duhej të ishte bërë e kundërta,d.m.th. kur myslimanët e të krishterët morën armët masivisht për t’i luftuar turqit si pushtues, të gjithë të konvertuarit në Islam me dhunë, duhej të ishin rikthyer në krishterim.(10)
Këtë gjendje të dekadencës kishtare në Shqipëri e pohon edhe autori Marko Bizi, i cili thotë: “Shumica e klerikëve të krishterë kanë qenë të paditur. Nëse disa prej tyre kanë ditur të lexojnë, më tepër kanë lexuar përmendsh sesa nga shkrimet. Këta kanë qenë aq pak të udhëzuar në detyrën e tyre fetare, saqë shumica nuk kanë ditur madje as përmendsh ta citojnë lutjen murgëtare … ata nuk kanë pasur dije tjetër për thelbin e fesë së tyre, e lëre më për çështjet e tjera të shumta që do të mbështeteshin në traditën gojore” Ai, më tutje, duke folur për numrin e pamjaftueshëm të klerikëve dhe paaftësinë e tyre, pohon se atje do të zhduket Krishterimi nëse kësaj nuk i gjendet ilaçi”. Kësaj i shtojmë edhe faktin se disa kisha të qarkut të Pultit për 40 vjet rresht s’kishin parë fare prift.
Për të analizuar situatën dhe për të marrë masa përmirësuese, më në fund në këtë krahinë ishin dërguar katër priftërinj, të cilët, pasi konstatuan në vend gjithçka, i bënë qendrës së vet një raport, ku i thoshin se turqit nuk i penguan fare në detyrë. me këtë rast duhet përmendur edhe bashkëpunimi tjetër i priftërinjve me autoritetet turke, në raste kur kleri katolik, pas paraqitjes së problemeve të ndryshme, me ndihmën e dekreteve të sulltanit, mblidhnin taksat e kishës nga banorët e qarqeve administrative të veta.
Rrethanat shoqërore të shekullit 18 dhe faktorët tjerë që përmendëm më lart, tregojnë mjaft për faktin se numri i popullsisë së krishterë në këtë periudhë kishte filluar të binte në mënyrë rapide. Ndërkaq, për një kohë prej 30 vjetësh, që mendohet të jetë e shkurtër për një popull të vogël, d.m.th. prej vitit 1620 deri më 1650, tregohet se Islamin e kishin përqafuar afërsisht 300.000 shqiptarë.
Rezultatet e arritura në rritjen aq të shpejtë të numrit të myslimanëve, u shënuan, sepse, në dallim nga Krishterimi që atë botë kishte rënë në një krizë shoqërore, Islami erdhi si një alternativë e re për shqiptarët dhe si fe me një zhvillim të plotë, ishte më progresiv, më i ri dhe më humanist se krishterimi. Shqiptarët e pranuan islamin sepse e kuptuan që ai nuk ishte në asnjë mënyrë mohim i vlerave që përmbanin besimet e mëparshme, po, përkundrazi, avanconte ato vlera në një etapë të re të zhvillimit. Ata e kuptuan se feja islame nuk kishte të bënte fare me ritet e paganizmit, me idhujtarinë dhe me injorancën e së kaluarës.
Shqiptarët e kuptuan se feja islame nuk ishte besim i kotë, dhe as ideologji e religjion, por fe e vërtetë e shpallur, Fjalë e Zotit e përkryer dhe dhuratë e ligj qiellor për njerëzit në Tokë. Nga radhët e personaliteteve tona fetare kanë dalë jo pak patriotë me peshë për fatet e kombit, midis të cilëve po përmendim myderrizin Ymer Prizreni, kryetar i Lidhjes së Prizrenit, dhe Haxhi Vehbi Dibrën, i cili më 1912 u zgjodh kryetar i pleqësisë në Qeverinë e Vlorës, me të drejtë të zëvendësonte Kryeministrin Ismail Qemali, kur mungonte. Kultura Islame i ka dhënë vendit personalitete të mëdha, në mesin e tyre edhe rektorin e parë të Universitetit të Stambollit, Hoxha Tahsinin. Pastaj vëllezërit Frashëri, Haxhi Zekën, Sulejman Vokshin, Hasan Prishtinën, Faik Konicën, Ibrahim Dalliun, Hafiz Ali Korçën e shumë patriotë tjerë të lëvizjes kombëtare.
Populli shqiptar i dha Perandorisë osmane gjatë shekujve 15-17, po edhe më vonë, dijetarë, qeveritarë, ushtarakë, letrarë, diplomatë, arkitektë e të tjerë të njohur në historinë dhe kulturën botërore. Këto personalitete shqiptare kurrë nuk hoqën dorë nga kombi i tyre shqiptar duke vepruar si pararojë e kombit të tyre dhe e
atdheut të tyre.
Toleranca ndërfetare dhe roli i fesë në integrimin e kombit shqiptar
Në jetën e popullit shqiptar, kultet fetare ndikuan fuqimisht në integrimet e krahinave etnografike dhe të nëndialekteve gjuhësore, kurse fetë e shpallura qiellore, Islami dhe Krishterimi, ndikuan fuqimisht në integrimet etnike, sociologjike, kulturore e politike të popullit shqiptar, dhe në integrimin e njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë, prandaj edhe në integrimin e kombit shqiptar të pakontestueshëm. Boshti i këtij uniteti u bë toleranca fetare e elementit mysliman që zinte vendin kryesor për nga numri i popullsisë. Shembull për këtë marrim protestën e popullsisë së Dibrës, organizuar me 13 qershor 1878, drejtuar ambasadorit të Anglisë në Stamboll kundër vendimit të traktatit të Shën-Stefanit, ku ndër të tjera theksohej: “Dibra është një vend krejt shqiptar dhe ka përmbi 220.000 myslimanë e 10.000 të krishterë, të cilët të gjithë janë prej një gjaku. Më mirë të shuhemi deri në burrin më të fundit, sesa të hyjmë nën sundimin e Bullgarisë, kundër dëshirës sonë dhe kundër të drejtave të kombësisë sonë”.Ndërsa në “Kararnamen” e Lidhjes së Prizrenit, të nënshkruar nga 47 deputetë, në nenin 6 të saj, theksohej: “Në përputhje me ligjet e larta të besimit (sheriatit islam), ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e atyre që janë të besimit jomysliman ashtu si për vete”. Reagime të tilla dhe protesta drejtuar Fuqive të Mëdha, Kongresit të Berlinit, Konferencës së Hagës, ku shprehej qartë qëndrimi unik i shqiptarëve, – ishin të shumta. Prandaj sot shpeshherë kërkohen në mënyrë të padrejtë shkaqet dhe pasojat e përcaktimit kolektiv të shqiptarëve në fenë islame. Polarizimet, shkrimet dhe polemikat e shpeshta nga individë të caktuar, qofshin fetarë apo të ashtuquajtur intelektualë, rreth përhapjes së Islamit ndër shqiptarët, janë të pabaza, ndonjëherë tendencioze dhe kanë për qëllim krijimin e dilemave me pretendimin e korrigjimit të pozicionimit të shumicës së shqiptarëve në fenë islame.
(1)Revista “Zani i Naltë”(ka filluar të botohet nga viti 1923) në vitin 1931 ka botuar në disa numra, të përkthyer nga anglishtja “Historinë e zhvillimit të islamizmit” të autorit anglez T.W.Arnold, pedagog i gjuhës arabe në universitetin e Londrës. studimet e më vonshme në këtë fushë shumë bazoheshin në tezat e këtij studimi.
(2) Thomas W.Arnold, Historia e Përhapjes së Islamit, Prishtinë,2004f.169.
(3) Po aty.
(4) Po aty.
(5) Po aty, f.171
(6) Robert Matran, L’Histoire de el’Empire Ottoman, Fayard,Paris,1989, f.11.
(7) H. Mehmet Handziç, Islamizacija Bosne i Hercegovine, Sarajevë, 1940, f.28
(8) Faik Ali Hoxha – Kasollja, Në pragun e misticizmit, Tiranë, 2002, f.15.
(9) Roberto Moroce de la Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri, 1920-1944, Tiranë,1994, f.23. Shih “Edukata Islame”, nr.60, Prishtinë, 1996, f.10.
(10) Basha, M. Ali, vepër e cituar, f.48-51.